E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabitën 11 shtëpi,prangosen dy autorët

 

GJIROKASTER - Kapen dy grabitës, të cilët ishin shndërruar në tmerrin e banorëve në fshatrat e Gjirokastrës dhe Delvinës. Shpëtim Ciku, 23 vjeç dhe Petrit Aruci, 21 vjeç nga Kamza e Tiranës u prangosën mbrëmjen e së shtunës si të dyshuar për 11 vjedhje në këto zona. Në makinën e tyre TR 80 16 F u zbuluan materiale që provonin autorësinë e grabitjes në disa shtëpi, ndërsa dyshohen dhe si personat që rrëmbyen në një banesë në Finiq një shumë prej 3 milionë lekësh. Sipas policisë, në fshatrat e Gjirokastrës dhe Delvinës ata kishin grabitur para apo sende me vlerë, duke mos kursyer as objektet e kultit. Falë bashkëpunimit mes policisë së Gjirokastrës dhe Delvinës u realizua aksioni i koduar "Shëtitësit". Dy të rinjtë janë kapur së bashku me sendet e vjedhura të depozituara në bagazhin e makinës, teksa udhëtonin drejt kryeqytetit. Vlera e sendeve të vjedhura është vlerësuar në 277 mijë lekë të reja. Fshatrat Vllahogoranxi në zonën e Dropullit dhe Bistricë e Krane në Delvinë, kanë qenë zonat e banuara më të frekuentuara nga të rinjtë nga Kamza, të cilët asnjëherë nuk janë zbuluar nga policia ndonëse kishin guxuar të vidhnin edhe në mes të ditës. Pritet që pas verifikimit të gjurmëve të zbardhet nëse ata janë autorët e grabitjes në Finiq.                       p.n/sh.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›