PD shkarkon Kullin e KKRT-së, Ndoka: Eshtë hakmarrje ndaj PDK
PD nis hakmarrjen ndaj PDK-së, duke treguar shenja të qarta divorci mes dy partive që dikur ishin në një koalicion qeveritar. Maxhoranca ka rinxjerrë në skenë kërkesën për shkarkimin e nënkryetarit të KKRT-së, Frano Kulli, i cili kohë më parë është propozuar nga PDK-ja si anëtar i këtij institucioni. Argumentimi i shkarkimit të Kullit, lidhet me pretendimin e bërë se Kulli është kryetar i PDK-së në Lezhë dhe se ligji nuk lejon që në KKRT të jetë një anëtar partie. Kreu i PDK-së, Nard Ndoka kontestoi një gjë të tillë, duke deklaruar se Kulli nuk është anëtar partie. “Në këtë mënyrë ju po veproni me të gjitha institucionet, keni vepruar me Presidentin, kështu vepruat me Prokurorinë, kështu po veproni me gjykatat. Ju zotërinj të maxhorancës po tregoheni të frikshëm përpara qytetarëve, të pabesueshëm, të rrezikshëm duke ndërhyrë me dhunë ndaj institucioneve, prandaj bëheni edhe të pabesueshëm përballë qytetarëve, për çdo rast që ndodh në territorin tonë kur del policia dhe thotë gjahtarin e vrau lepuri”, deklaroi Ndoka. Kulli u shkarkua me 54 vota pro. Kundër votuan 48 deputetë, ndërsa dy të tjerë abstenuan.