Rama, letër Metës për takim
Aristir Lumezi
Përmes një letre zyrtare, kreu i selisë rozë u kërkon kolegëve të tij opozitarë një takim bashkë me kryetarët e grupeve parlamentare për të gjetur një qëndrim për çështje të rëndësishme. “Në emër të Partisë Socialiste dhe së bashku me kryetaren e grupit parlamentar socialist, jemi të gatshëm të diskutojmë e të bashkërendojmë me Ju qëndrime e veprime të përbashkëta për çështjet madhore të drejtësisë e të sigurisë në Shqipërinë e kërcënuar seriozisht nga krimi, korrupsioni dhe trysnia e pushtetit të sotëm mbi liritë e njeriut”, shprehet Rama në letrën e tij. Pas Gërdecit dhe veçanërisht gjatë procesit të përcaktimit të sistemit zgjedhor dhe ndryshimeve kushtetuese, ka qenë kërkesa e përsëritur e Paskal Milos për thirrjen e tryezave të kryetarëve të partive për të unifikuar qëndrimet e tyre. Që prej prishjes së koalicionit të majtë opozitar, pas zgjedhjeve vendore në shkurt 2007, kjo është hera e parë që kryetari socialist i fton kryetarët e partive opozitare të ulen dhe të diskutojnë rreth çështjeve të reformave. Por në letrën e tij, Rama nuk e përmend diskutimin për Kodin Zgjedhor, duke e konsideruar këtë një çështje të ezauruar mes tyre. Dje, kryetari i LSI-së, Ilir Meta, gjatë emisionit “Shqip” të Rudina Xhungës në Top Channel, ku është vënë në dijeni me letrën që Edi Rama i ka dërguar atij, u shpreh se shpreson që qëllimi i letrës të mos jetë vetëm efekte mediatike, por një reflektim serioz të kryetarit të PS-së për atë që ka ndodhur në Shqipëri këto gjashtë muaj, që nga tragjedia e Gërdecit, por dhe ndryshimet kushtetuese të 21 prillit, kur Sali Berishës iu dhanë me votat e socialistëve të gjitha pushtetet”. Në letrën e tij, si njeriun që bashkon të gjitha partitë e majta vendos Sali Berishën dhe qeverinë e tij.
“Në kohën mes dy ngjarjeve fort tronditëse, tragjedisë së Gërdecit dhe vdekjes së dëshmitarit kyç kësaj çështje, Kosta Trebicka, të cilat kanë kallur thellë në shpirtin e në mendjen e qytetarëve shqiptarë pezmatim e pasiguri, Shqipëria ka pritur rezultatet e hetimeve të tragjedisë dhe ka parë një sërë përpjekjesh shumë shqetësuese nga ana e qeverisë së Sali Berishës për ta vënë nën presion organin e akuzës. Në sytë e Shqipërisë që kërkon siguri, punë, shpresë, kjo qeveri është njehsuar pazgjidhshmërisht me korrupsionin, klientelizmin dhe nepotizmin më skajnor. Në sytë e botës që kërkon prej Shqipërisë garancitë e një vendi të gatshëm për në NATO e BE, gjatë qeverisjes së Sali Berishës, korrupsioni është rritur dyfish dhe siguria është pakësuar dy herë”, shprehet Rama në letrën e tij drejtuar kryetarëve të partive opozitare.