E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtyhet afati për zgjedhjen e degëve

30/06/2009  Formula për llogaritjen e pikëve minimale e maksimale për t’u pranuar në universitet

Zgjedhja e gabuar e degëve mund të ndëshkojë kandidatët me humbjen e 1000 pikëve

Përcaktimi i degëve në formularin A-2 për ndjekjen e studimeve të larta nga maturantët që janë klasifikuar kalues në dy provimet e detyruara, do të shoqërohet me afate të tjera plotësimi. Ndonëse në rregulloren e provimeve të Maturës Shtetërore për 2009-n ishte vendosur që afati i fundit për dorëzimin e formularit të plotësuar të ishte data 2 korrik, tashmë është vendosur që të hyjë në fuqi një tjetër afat kohor. Burime pranë Ministrisë së Arsimit kanë bërë të ditur se brenda pak ditësh pritet të nisë plotësimi i formularit dhe se maturantët do të kenë në dispozicion kohën e mjaftueshme për të marrë vendimin në lidhje me programet studimore që duan të ndjekin gjatë vitit të ardhshëm akademik. Kështu, plotësimi i formularit të dhjetë preferencave do të mbyllet rreth datës 15 korrik. Brenda këtij harku kohor është vendosur që në të gjitha shkollat të dërgohen specialistë të maturës, të cilët do të orientojnë maturantët në plotësimin e saktë të formuarit, në mënyrë që të shmangen mundësitë e gabimeve që mund të sjellin skualifikimin e tyre në fazat e mëpasshme përzgjedhëse.

Plotësimi

Specialistët pohojnë se shtyrja e afatit për plotësimin e preferencave sipas rendit zbritës në formularin A-2 nuk do të ndikojë në procesin e provimeve me zgjedhje që pritet të zhvillohet më datën 10 korrik. Kjo shpjegohet me faktin se maturantët tashmë kanë vendosur se cilat janë lëndët që do të japin provim për studimet universitare (të cilat janë konfirmuar që në muajin mars, gjatë kohës kur është zhvilluar dhe plotësimi i formularit A-1. Megjithatë, specialistët gjithashtu kanë argumentuar se është menduar që plotësimi i të dhënave në formular të bëhet në këtë hark kohor, me qëllim që vetë maturantët të jenë në gjendje të bëjnë një llogaritje paraprake se sa pikë mund të grumbullojnë për të hyrë në garën e pranimeve në universitete. (Ata tashmë disponojnë jo vetëm koeficientet e lëndëve me zgjedhje dhe të llojit të shkollës së mesme, por dhe rezultatet e dy lëndëve të detyruara.) Edhe për pranimet e këtij viti përllogaritja do të bazohet në formulën tradicionale, e cila përcakton dhe një kufi të caktuar pikërisht që vetë maturantët mund të arrijnë në këtë proces. Pas nxjerrjes së këtij rezultati vetë maturantët mund t’i krahasojnë me rezultatet e fituesve të fazës së fundit për çdo program studimi të ofruar gjatë vitit të shkuar. Kështu ata do të jenë në koherrencë me pikët që mund të arrijnë, në bazë dhe të kuotave tashmë të propozuara për çdo degë. Vetëm kështu kandidatët do të jenë në gjendje të përcaktojnë se cilat janë degët e duhura ku duhet të ndjekin studimet e larta.

Provimet me zgjedhje

Provimet me zgjedhje do të jepen në të njëjtën ditë për të gjithë maturantët që kanë aplikuar për studimet e larta në vitin akademik 2009–20010. Kohëzgjatja e provimeve do të jetë rreth katër orë për të dyja lëndët, ndërsa teza e provimit do të jetë e kombinuar ndërmjet pyetjeve me alternativa dhe atyre me zhvillim. Aktualisht specialistët kanë përcaktuar dhe skemën e vlerësimit që do të aplikohet për të gjitha lëndët. Ndërkohë lëndët që do të jepen për provimet me zgjedhje janë përkatësisht: Matematikë, Gjuhë shqipe, Fizikë, Kimi, Biologji, Histori, Gjeografi, “Njohuri për shoqërinë”, Ekonomi-Filozofi, anglisht, frëngjisht, italisht, gjermanisht, spanjisht. Procesi i korrigjimit do të bëhet nga specialistë të përzgjedhur që konsiderohen ndryshe si vlerësues të jashtëm, ku përfshihet çdo mësues i shkollës së mesme, pedagog ose specialist me përvojë në mësimdhënie në lëndën që zhvillohet provimi. Për renditjen e kandidatëve fitues pas përfshirjes në procesin e përpunimit të të gjithë komponentëve të Maturës Shtetërore përdoret një program i posaçëm kompjuterik. Ky program rendit të gjithë kërkuesit për secilin program studimi sipas rendit zbritës të pikëve. Më pas merr në konsideratë preferencat dhe i jep përparësi preferencës më të lartë, pas plotësimit të kuotave të miratuara hiqet vija e fituesve që do të pranohen.

Vlerësimi

Testet e provimeve me zgjedhje të Maturës Shtetërore do të përmbajnë për secilën lëndë 20 pyetje, nga të cilat 10 pyetje me përgjigje alternative (10 pikë) dhe 10 pyetje me përgjigje me zhvillim (30 pikë). Një maturant duhet të marrë maksimumi 80 pikë për dy provimet me zgjedhje. Nxënësi që është mbetës qoftë edhe në një nga provimet e detyruara të Maturës Shtetërore në sesionin e parë, nuk ka të drejtë të futet në provimet me zgjedhje. Ai është i detyruar të japë provim lëndët e detyruara në vjeshtë dhe, në qoftë se i merr ato, ka të drejtë të futet në provimet me zgjedhje vitin e ardhshëm. Kohëzgjatja për dhënien e përgjigjeve me shkrim për të dyja testet e provimeve me zgjedhje do të jetë 4 orë.

Renditja e preferencave

Në shembullin e mëposhtëm shpjegohet e gjithë procedura që do të ndiqet për caktimin e rezultatit final që do të dalë pas përllogaritjes standarde të gjithë komponentëve përbërës të Maturës Shtetërore të marrë së bashku. Llogaritja edhe për këtë vit do të bëhet sipas formulës tradicionale të Maturës Shtetërore (D1 + D2 + M) x Ksh + Z1 x K1 + Z2 x K2], ku Ksh është koeficienti i shkollës, K1 është koeficienti për provimin e parë me zgjedhje dhe K2 koeficienti për provimin e dytë me zgjedhje. Kështu, maturanti para se të renditë dhjetë programet e studimit mund të përllogarisë vetë se sa është niveli maksimal i pikëve që mund të mbledhë dhe niveli minimal. Duke pasur këto rezultate dhe duke i krahasuar ato me pikët e fituesve të fazës së fundit të pranuar gjatë vitit të shkuar, mund të përcaktohet edhe se cilat janë degët prioritare që mund ta bëjnë këtë kandidat fitues, sipas kuotave tashmë të propozuara nga universitetet publike në gjithë vendin për pranimet e vitit të ardhshëm akademik.

Zbritja nga lista e fituesve

Maturantët duhet të bëjnë kujdes në listimin e degëve ku duan të ndjekin studimet e larta. Specialistët këshillojnë që të parat preferenca duhet të jenë ato degë universitare që janë të ngjashme me llojin e shkollës së mesme që ka mbaruar nxënësi. Në këtë rast kandidati do të sigurojë më shumë pikë në rezultatin përfundimtar sesa pikët që mund të arrinte po të rendiste degë të profilit të kundërt. Kjo pasi koeficientet që përfshihen në procesin e llogaritjes janë më të larta për profilet e ngjashme të fakulteteve me llojin e shkollës së mesme. Përllogaritjet e bëra kanë treguar se përzgjedhja e profileve diametralisht të kundërta do të shoqërohet dhe me rënie të ndjeshme të pikëve. Kështu, nëse maturanti që ka mbaruar për drejtim shoqëror, por në listë vë të parat lëndët e profilit natyror, mund të humbasë nga përllogaritja jo pak, por 1000 pikë, ose më shumë.

Kjo mund të jetë fatale për të, sepse jo vetëm merr më pak pikë, por kjo diferencë mund ta eliminojë kandidatin nga kuotat e përcaktuara për fituesit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›