E Diel, 1 Nëntor 2026

Lojërat e fatit, mungesa e parave në buxhet detyron qeverinë t’u rrisë taksat

Nga biznese zbavitëse kazinotë kthehen në ngushëllim për të dëshpëruarit . Ligji parashikon që kazinotë duhet të kenë më shumë se 10 makina të ndryshme

Ervin KOÇI

Kazinotë dhe lojërat e fatit në të gjithë vendin nga dikur të konsideruara si biznese luksi ose zbavitëse, sot janë kthyer në një ngushëllim për të gjithë njerëzit e dëshpëruar. Në të gjitha pikat e ndryshme të lojërave të fatit syri të kap gjithmonë e më shumë lojtarë që rijnë në “pritje të fatit”. Por kjo gjë nuk i ka shpëtuar as syrit të Ministrisë së Financave e cila menjëherë ka marrë vendimin për rritjen sërish të disa taksave për të gjitha llojet e lojërave të fatit dhe kazinove. Nevoja për para dhe zbrazja e buxhetit të shtetit prej fushatës elektorale, ka bërë që qeveria ta shikojë si një propozim “interesant” kërkesën e Financave, duke e marrë menjëherë në mbledhjen e djeshme vendimin e rritjes së disa taksave. Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1 e Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave u vendos që në ligjin nr.10023, datë 11.12.2008, “Për lojërat e fatit të ndryshuar”, të bëhen edhe disa ndryshime të tjera. Këto ndryshime nuk janë gjë tjetër veç se shqimi i disa taksave specifike për llojet e makinave elektronike që përdorin bizneset e lojërave të fatit.

Taksat e reja

Taksat e reja që i shtohen bizneseve të lojërave të fatit do të jenë si më poshtë vijon:
a) për rrethet e kategorisë së parë, 400.000 (katërqind mijë) lekë, për çdo sallë, dhe 100.000 (njëqind mijë) lekë, për çdo makinë elektronike, të tipit slot e videolotari; b) për rrethet e kategorisë së dytë, 200.000 (dyqind mijë) lekë, për çdo sallë, dhe 60.000 (gjashtëdhjetë mijë) lekë, për çdo makinë elektronike, të tipit slot e videolotari; c) për rrethet e kategorisë së tretë, 100.000 (njëqind mijë) lekë, për çdo sallë, dhe 40.000 (dyzet mijë) lekë, për çdo makinë elektronike, të tipit slot e videolotari; ç) për çdo makinë elektronike me më shumë se një pozicion (ruletë), organizatori paguan një kuotë fikse mujore prej 1.000.000 (një milion) lekësh dhe 300.000 (treqind mijë) lekësh në muaj për çdo pozicion loje, pavarësisht nga rrethi, ku ushtron veprimtarinë. Ndërkohë shtesat në ligjin e ri parashikojnë dhe disa lloje taksash më specifike, si më poshtë vijon: a) për tryezat me më shumë se një pozicion (ruletë), një taksë mujore, në masën 300.000 (treqind mijë) lekë në muaj për çdo pozicion; b) për çdo tryezë të lojërave (me letra ose/dhe me zare), një taksë mujore, në masën 1.500.000 (një milion e pesëqind mijë) lekë; c) për lojërat elektronike dhe makinat slot, me fitim në çast, dhe për videolotarinë, të vendosura në mjediset e kazinosë, një taksë mujore, në masën 120.000 (njëqind e njëzet mijë) lekë, për çdo kompjuter elektronik.

Pagesa e taksave

Për sa u takon kazinove elektronike, të cilat janë tepër të përhapura në Shqipëri, ligji parashikon që duhet të kenë më shumë se 10 makina të ndryshme. Kapitali themeltar i saj duhet të jetë jo më i vogël se 10 milionë lekë dhe të paguajë çdo vit një taksë prej 1 milion lekësh. Ky ndryshim në ligj ka favorizuar kompanitë e vogla, të cilat tashmë mund të vendosin sa makina dhe ruleta të duan në sallonet e tyre me kusht që të paguajnë taksat speciale. Për një sallë duhet të paguhet taksa mujore prej 400 mijë lekësh, e shoqëruar edhe me 20 mijë lekë për çdo makinë. Një ndryshim në këtë ligj është bërë për lotaritë kombëtare. Aty është parashikuar që licenca për lotari të tipit “Keno” ose “Bingo” të jepet vetëm një dhe ajo të ketë një periudhë 10-vjeçare. E njëjta periudhë është parashikuar edhe për kazinotë e mëdha. Por, personi që fiton të drejtën për një kazino të madhe duhet të paguajë menjëherë 1 miliard lekë nëse ndodhet në Tiranë dhe 300 milionë nëse ndodhet në zona turistike. Kapitali themeltar i shoqërisë nuk mund të jetë më i vogël se 1.2 miliardë lekë, përveç 1 miliard që duhet të paguhen në shtet. Vendet ku mund të hapen kazinotë përzgjidhen vetëm nga Këshilli i Ministrave dhe një person nuk mund të hapë më shumë se një kazino. Bastet sportive duhet të paguajnë në shtet 10 për qind të xhiros dhe nga ana tjetër duhet t’u paguajë lojtarëve jo më pak se 50 për qind të shumës së vënë në lojë.

Taksat për reklamat dhe tabelat emërtuese vetëm 1 euro

Qeveria vendosi dje në mbledhjen e saj që taksa për tabelat emërtuese të jetë një euro. Kryeministri, Sali Berisha, tha se nga ky vendim do të përfitojnë vetëm ata që emërtesat në tabelat e tyre i kanë në gjuhën shqipe, duke përjashtuar emërtesat e filialeve të kompanive të huaja. “Taksa e tabelës do të jetë një euro, me kusht që tabelat të kenë emërtesë shqip. Askush nuk do të mund të na vendosë emra të huaj në to, por në gjuhën shqipe. Në rast të kundërt, nuk përfitojnë nga ky ligj. Unë mendoj se në të gjithë vendin duhet të kemi një standard të tillë, përveç atyre që janë filiale të kompanive të huaja”- u shpreh Berisha.

9 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›