E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha për “Rojters”-in: “Nuk duhet të hapen të gjitha dosjet e spiunëve”

Kryeministri Berisha flet në shtypin perëndimor për çështjen delikate. Çfarë pasojash pritet të sjellë hapja e dosjeve në Shqipëri

Nga Adam Tanner

Në fillim të viteve ’70, Spartak Ngjela foli kundër qeverisë staliniste në Shqipëri. Kjo i kushtoi atij plot 14 vite burg. Sot Ngjela është deputet në Kuvendin e Shqipërisë dhe po përpiqet që të rihapë dosjet e Sigurimit të Shtetit, 18 vjet pas rënies së një prej regjimeve më të egra komuniste, si ai i Enver Hoxhës. “Dua që t’i hap të gjitha dosjet e atyre agjentëve, spiunëve dhe çdokujt që është përfshirë dhe ka qenë pjesë e terrorit shtetëror. Pa Sigurimin e Shtetit Enver Hoxha ishte një hiç. Sigurimi i Shtetit në atë kohë ishte arma e tij më e fortë”, - deklaron Ngjela.
Disa vite pasi vendet ish-komuniste të Europës Lindore zgjidhën çështjet e dosjeve të Sigurimit, Shqipëria po përballet sërish me kujtimet e Sigurimit të Shtetit. Vendi ballkanas sigurisht që ka arritur progrese të mëdha që pas rrëzimit të komunizmit.
Rrugët e Tiranës kanë një trafik të ngjeshur, me shumë makina dhe ku bumi i ndërtimeve në të gjithë Shqipërinë po i jep një fytyrë të re vendit. Megjithatë, hijet e së kaluarës rëndojnë keqazi për ish-vendin komunist që po tenton të anëtarësohet në NATO dhe ëndërron anëtarësimin në Bashkimin Europian. “Kjo është një telenovelë që nuk mbaron kurrë që nga dita e parë e rënies së komunizmit. Komunizmi në Shqipëri është si puna e bombës atomike në mendjet e njerëzve. Shpërthimi ka mbaruar, por pasojat e radioaktivitetit ende vazhdojnë të dëmtojnë”, - shprehet kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe lideri socialist i opozitës, Edi Rama.

Rrjeti i bashkëpunëtorëve
Sipas një ish-zyrtari të lartë të Sigurimit të Shtetit, i cili insiston të mbetet anonim, gjatë regjimit stalinist, Sigurimi i Shtetit punësoi rreth 800 bashkëpunëtorë, duke përfshirë operativë dhe drejtues. Gjithashtu kishte edhe shumë bashkëpunëtorë të papaguar, të cilët ishin të detyruar të bashkëpunonin për këtë organ, pasi ndiheshin të kërcënuar.
“Pse bashkëpunonin ata? Sepse qeveria ishte shumë e fuqishme këtu”, - vijon zyrtari, i cili tregon se rrjeti i bashkëpunëtorëve nuk shtrihej vetëm në Tiranë, por në të gjithë Shqipërinë.
Askush nuk di me saktësi se sa shqiptarë punuan apo ndihmuan Sigurimin e Shtetit, por deputeti Ngjela deklaron se bëhet fjalë për 17% të popullsisë. Në vitin 1960, një prej zyrtarëve komunistë deklaroi se një ndër katër persona ishin bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit. Aktualisht shumica e zyrtarëve nuk janë mbështetës së idesë për hapjen dhe bërjen publike të të gjitha dosjeve, ashtu siç ndodhi në Gjermaninë Lindore. Dosjet e spiunëve në Shqipëri janë hapur në mënyrë selektive përpara zgjedhjeve të vitit 1996, për të parë pastërtinë e figurave të kandidatëve për deputetë, megjithatë ende nuk është vendosur një rregull i qëndrueshëm në lidhje me këtë gjë.
“Unë nuk jam për hapjen e të gjitha dosjeve. Siç e shikoni, ne jemi një shoqëri rurale. Kjo do të krijonte probleme shumë të mëdha nëse ne do t’i hapnim dosjet në këtë mënyrë. Unë jam më shumë i mendimit për të hapur dosjet e atyre të zgjedhurve dhe për njerëzit e shtresave të larta. Ky nuk është një mëkat. Ajo çka është e rëndësishme është që të mbyllet njëherë e mirë ky kapitull”, - tha kryeministri Berisha në një intervistë për “Rojters”-in.
Shërbimi sekret
“E vërteta është gjithmonë shumë e rëndësishme për demokracinë dhe të ardhmen, dhe çdo gjë që bëhet me besim duhet të zhvillohet”, - tha Anastasious Janullatos, arkipeshkvi ortodoks për Shqipërinë në një intervistë të dhënë ditën e premte.
“Dhe mos harroni që ata që janë në krye nuk do ta bëjnë atë menjëherë”, - vijoi ai duke kujtuar përfshirjen e tyre në të kaluarën komuniste. “Ata u lindën këtu dhe ishin këtu përpara 1990-s. Kjo do të thotë se ata kanë lindur në një tjetër atmosferë dhe janë rritur me një tjetër ideologji.
Deputeti Ngjela e akuzoi kryeministrin Berisha se ka denoncuar njerëz te Sigurimi i Shtetit gjatë kohës që ai ishte zyrtar i Partisë Komuniste. Por gjatë intervistës, kryeministri Berisha mohoi se ai apo ndonjë anëtari i kabinetit të tij qeveritar të ketë pasur ndonjë lidhje me policinë sekrete, duke shtuar se nëse do të rezultojë i përfshirë ndonjë prej ministrave të tij, do të largohej menjëherë nga qeveria. Një tjetër pyetje qarkullon rreth arkivave të policisë sekrete, ku zyrtarë të qeverisë dhe ekspertë të pavarur thonë se pjesa më e madhe e tyre janë shkatërruar. “Në të vërtetë shumica e dosjeve janë të shkruara me shkrim dore, pjesa tjetër e tyre janë të regjistruara me emrat e informatorëve, pseudonimet dhe për sa kohë që ata kanë shërbyer”, - thotë një prej ish-drejtuesve të lartë të Sigurimit të Shtetit.
“Askush nuk do të jetë në gjendje të zbulojë se çfarë saktësisht kanë njerëz kanë bërë. Gjithsesi, shoqëria nuk ka përse t’i penalizojë ata në kohët e sotme. Shumë prej këtyre njerëzve kontribuuan për atdheun e tyre”. Drejtoresha Ekzekutive e Grupit Shqiptar për të Drejtat e Njeriut, Elsa Ballauri, shprehu zhgënjimin ndaj shoqërisë civile, e cila nuk po i kushton mjaftueshëm vëmendje kësaj çështje, por ajo tha se priste nga Parlamenti për të kaluar një projektligj të propozuar. “Por unë nuk e di se sa dhe si do të implementohet një gjë e tillë”, - shtoi ajo.

15 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›