E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ilir Gjoni: “Si e shoqëruan në Polici Sali Berishën”



Nga Lorenc Vangjeli

Dy herë ministër, i Rendit dhe i Mbrojtjes, Ilir Gjoni, një nga figurat më të spikatura të Partisë Socialiste, tregon për herë të parë detaje nga e shkuara. Arrestet e bujshme apo dhe shoqërimi në polici i ish-liderit të opozitës, Sali Berisha, lufta kundër trafiqeve dhe dështimet aktuale të qeverisjes. Kujton se çfarë funksionoi keq dhe shkaktoi tragjedinë e Gërdecit dhe pse është kapur shteti aty. Socialisti Gjoni tregon për MAPO-n pse partia e tij do të vijë në pushtet dhe pse mendon që e keqja më e vogël për momentin është paaftësia e qeverisjes aktuale.
“Sali Berisha nuk është arrestuar kurrë. Ish-lideri i opozitës është shoqëruar në Drejtorinë e Policisë për një verifikim dhe pavarësisht ngarkesës politike që iu dha më pas këtij veprimi, ai ishte një mesazh i jashtëzakonshëm për publikun shqiptar, një mesazh që u dha si nga forcat e policisë, si nga vetë zoti Berisha; në këtë vend duhet të vijë mbretëria e ligjit”. Ilir Gjoni pranon të tregojë për herë të parë historinë e bujshme të ndalimit të kryeministrit të sotëm, pothuaj tetë vjet më parë dhe për herë të parë jep një version krejt tjetër shpjegues për të. “Pa dyshim që kjo ka qenë një ngjarje tepër serioze dhe një moment aspak i dëshirueshëm për çdo drejtues të Ministrisë së Brendshme, aq më shumë sepse bëhej fjalë për liderin e opozitës. Për mua kjo ishte një përvojë e hidhur, sapo kisha marrë detyrën, dhe sot kam bindjen se gjithë ngjarja duhet të shihet në kontekstin dhe kompleksitetin e rrethanave dhe momentit kur ndodhi”, - thotë Ilir Gjoni.
Nuk pranon të jetojë me të shkuarën, por e shkuara e tij e vrullshme e ndjek pas. Dy herë ministër në qeveritë socialiste, në Ministrinë e Mbrojtjes dhe atë të Rendit, Ilir Gjoni pranon se ajo eksperiencë e jashtëzakonshme në kohëra jo fort të zakonshme, e ndihmon të orientohet më mirë në të sotmen dhe të nesërmen. I jep një mundësi më shumë të flasë për këto institucione, të identifikojë problemet që sheh aty, madje dhe të jetë një kritik i ashpër i dobësive të tyre. “Përvojat e mia në këto dy ministri kanë lënë gjurmë të thella tek unë. Ashtu siç e shoh sot, disa nga veprimet dhe vendimet e mia të atyre viteve mund edhe t’i bëja ndryshe, por nuk do të ndryshoja asgjë në dëshirën e jashtëzakonshme për punë, në atë forcë që e jep vetëm idealizmi dhe bashkëpunimi për një qëllim të madh”, - thotë Gjoni, që shton se sot, thembra e Akilit në këto dy ministri nga më të rëndësishmet, ndonëse jo gjithmonë është ndërhyrja negative e politikës, por dhe mefshtësia e vetë specialistëve që punojnë në to, për t’u përballur më këto presione.
Ilir Gjoni ka një kujtesë mjaft të mirë, por jo gjithmonë i beson asaj deri në fund. Në intervistën e tij për MAPO-n ai konsultohet me shënimet e tij të shumta të atyre viteve, në të cilat ka fiksuar momentet më të rëndësishme të punës së tij. Një numër pothuaj rekord arrestimesh të bujshme që kanë tronditur në ato kohë opinionin publik, por dhe histori të cilat janë shndërruar në legjenda urbane të politikës – shoqërimi në Drejtorinë e Policisë të ish-liderit të opozitës – apo arrestet e kryera për figura mjaft të njohura të botës së krimit. Grupi i trafikut ndërkombëtar të kokainës, trafikanti shqiptaro-maqedonas Kadriovski, i kërkuar nga mbi 20 agjenci të antidrogës, Sali Mulosmani, një nga të akuzuarit dhe të dënuarit nga Drejtësia shqiptare për vrasjen e Azem Hajdarit e kështu më radhë. Por Gjoni ruan si krenari të tij faktin që ka qenë një nga punëtorët e palodhur të krijimit të Qendrës Ndërkombëtare Antitrafik në Vlorë, e cila sot duket se ka pushuar se funksionuari, po për shkak të politikës.
Gjoni afron, megjithatë, fare pak politikë dhe politesë, kur flet për tragjedinë e Gërdecit. Për të fajtorët janë të qartë dhe të identifikuar. Përveç emrave të përveçëm, ai fajëson mbi të gjitha paaftësinë e qeverisjes dhe kapjen e saj nga krimi. Si ish-ministër i Mbrojtjes ai tregon detajet fatale që shkaktuan tragjedinë, tregon se çfarë defektesh ka gjithë sistemi i sigurisë në vend, por dhe se çfarë duhet të ndryshojë nesër.

Si ish-ministër i Rendit ju kujtoheni, veç të tjerash, edhe për momentin e shoqërimit në Drejtorinë e Policisë të ish-liderit të opozitës Berisha, por dhe disa arreste të tjera të bujshme. Çfarë mund të thoni mbas kaq vitesh për këto episode?
Sali Berisha nuk është arrestuar kurrë, siç thuhet sa herë përmendet kjo ngjarje. Ish-lideri i opozitës është shoqëruar në Drejtorinë e Policisë për një verifikim dhe pavarësisht ngarkesës politike që iu dha këtij veprimi, ai ishte, por dhe është, një mesazh i jashtëzakonshëm për publikun shqiptar, një mesazh që u dha si nga forcat e policisë, si nga vetë zoti Berisha; në këtë vend duhet të vijë mbretëria e ligjit. E di që kjo është një ngjarje e cila ka të gjithë parametrat për të gëzuar vëmendjen dhe kureshtjen e publikut, por ndoshta edhe për këtë shkak ajo është shndërruar në një legjendë politike urbane. Pa dyshim që ka qenë një ngjarje tepër serioze dhe një moment aspak i deshirueshëm për çdo drejtues të dikasterit të Ministrisë së Brendshme, aq më shumë ngaqë bëhej fjalë për liderin e opozitës. Për mua kjo ishte një përvojë e hidhur, sapo kisha marrë detyrën e ministrit dhe normalisht ngarkesa ishte e jashtëzakonshme. Megjithatë, sot, mbas pothuaj tetë vjetësh, sërish kam bindjen se ngjarja duhet parë në kompleksitetin e rrethanave dhe momentit të caktuar. Kam vënë re se shpesh ka një ngatërresë “alogjike” mes termave “arrest” dhe “shoqërim”. Në këtë rast duhet përcaktuar qartë që bëhej fjalë për një shoqërim në drejtorinë e policisë të zotit Berisha dhe se nga ana e forcave të rendit nuk është bërë asnjë shkelje e ligjit. Përkundrazi, bashkëpunimi i siguruar, ndonëse me vështirësi dhe më vetë zotin Berisha në ato momente, është ajo çka nuk po ndodh ende në shoqërinë shqiptare; shenjtërimi i ligjit dhe sqarimi i cilësdo situatë me parametrat e ligjit. Një veprim mund të gjykohet dhe nga pasojat që e shoqërojnë atë, nëse pranohet kjo aksiomë, atëherë mund të them se ai ishte një veprim i drejtë.
Sa për arrestet e tjera që referoheni, do të veçoja grupin ndërkombëtar të kokainës me disa të prangosur dhe sot të dënuar nga Drejtësia shqiptare, arrestin e Sali Mulosmanit, një nga të dënuarit nga gjykata për vrasjen e Azem Hajdarit apo dhe të Kadriovskit, shqiptaro-maqedonasit të kërkuar atëherë nga mbi 20 agjenci ndërkombëtare të Antidrogës. I veçova këto raste edhe sepse impakti i tyre në shoqërinë shqiptare, por dhe marrëdhëniet e vendit më partnerët ndërkombëtarë, ishte i jashtëzakonshëm. Ne siguruam atëherë, – dhe nuk nguroj ta them një gjë të tillë, – respektin e tyre jo vetëm sepse realizuam detyra të një shkalle të jashtëzakonshme vështirësie profesionale, por sepse dëshmuam vendosmërinë e shtetit shqiptar në përballje me krimin. Dhe këto sinjale vinin nga SHBA-të dhe fqinjët, të cilët mbajtën shënim këtë përpjekje dhe sforco të rralla për kushtet e atëhershme të vendit. Secili nga këto operacione policie ka qenë një model i përkushtimit dhe profesionalizmit. Duke dhënë këto konsiderata, besoj se ajo periudhë ka pasur të tjera detaje që ndoshta edhe pse nuk kanë bujën që shoqëron për arsye që dihen episode të tilla, janë shumë më të rëndësishme për luftën kundër krimit dhe marrëdhëniet ndërkombëtare të vendit.

Kujt i referoheni në një rast të tillë?
Krijimi i Qendrës Ndërkombëtare Antitrafik të Vlorës ka qenë një ngjarje e shënuar jo vetëm për Ministrinë e Rendit, por për gjithë vendin. Ajo erdhi si rrjedhojë e angazhimit direkt të strukturave të Ministrisë, punës në planin diplomatik të kësaj ministrie si dhe rezultateve të arritura deri në atë kohe. Krijimi i Qendrës i dha mundësi Shqipërisë të njihej në arenën ndërkombëtare jo më vetëm si burim trafiqesh, por çfarë është më e rëndësishmja si promotore e luftës antitrafik, jo vetëm brenda vendit, por dhe më gjerë. Këtë fakt e provon më shumë pjesëmarrja në të e Gjermanisë, e cila nuk ishte direkt e ndikuar, në të njëjtën masë nga fenomeni e pasoja e tij, siç ishte Italia apo Greqia. Për fat të keq funksionimi i Qendrës nuk eci ashtu siç do ta dëshiroja dhe siç e kishim konceptuar që në fillim. Roli i saj fatkeqësisht u reduktua thjesht në një instrument për “marrëdhënie me publikun” duke humbur çdo element operativ e për rrjedhojë edhe interesin e partnerëve.

Por qeveria aktuale, që në fillim të mandatit të saj, shpalli moratoriumin trevjeçar për mjetet lundruese, tani ka sinjale që ai do të shtyhet dhe për një vit më tej. Mendoni se ishte veprim i drejtë dhe sa mendoni se ka shërbyer ky akt për luftën kundër trafiqeve?
Që në fillim kam pasur mendimin se ky është një veprim i gabuar, i cili u motivua vetëm nga dëshira për të shprehur vëmendjen përpara faktorit ndërkombëtar për të luftuar trafiqet përmes kalimit të kufirit detar. Ishte më shumë një veprim që kërkonte të realizonte një produkt publiciteti, por dhe një raport dhune e arbitrariteti me qytetarin shqiptar. Kjo nismë, si në formë, ashtu dhe në përmbajtje, ishte thjesht e panevojshme dhe e dëmshme. Dy shtetet më të prekura nga trafiku nëpërmjet detit, Italia dhe Greqia, kishin deklaruar se niveli i trafikimit ishte në nivelin zero. Kujtoni deklaratat e përsëritura të Berluskonit në lidhje me këtë fakt. Kjo vinte si rezultat i punës efikase që kishin bërë strukturat e Policisë së Shtetit. Në aktin e qeverisë shqiptare të tre viteve më parë, objekti i këtij veprimi ishte i kufizuar dhe i mangët, ai mbulonte vetëm kalimin detar apo pjesën më “spektakolare” të trafikut. Mos harrojmë, për mjetet lundruese kishte një ligj i cili nuk lejonte qarkullimin e mjeteve me fuqi motorike mbi 20 ntm. Edhe kërkesa për shtyrje të moratoriumit është në të njëjtën logjikë. Madje në këtë rast pranohet haptazi edhe paaftësia për të luftuar këtë fenomen. Për mendimin tim, kjo është një nga format e shëmtuara të traditës më të keqe të politikës shqiptare që ardhjen në pushtet e lidh me mohimin e gjithçkaje të bërë nga paraardhësit dhe madje edhe me një instinkt të panatyrshëm për të zgjedhur për të bërë qoftë dhe keq një veprim, mjaft që ai të jetë i ndryshëm nga i paraardhësve.

Raporti i fundit i Departamentit të Shtetit e konsideron sërish Shqipërinë në listën e vendeve në vëzhgim për probleme të trafikut, ndërkohë që në 2002-shin ndodhej në nivelin e dytë. Pse mendoni se është shkaktuar një regres i tillë?
Është shkaktuar kryesisht nga faktorët që përmenda. Në fillim të vitit 2002 DASH informoi qeverinë shqiptare se në klasifikimin e trafikimit, Shqipëria kishte kaluar në kategorinë e dytë nga ajo e treta. Ishte një akt i drejtpërdrejtë që pasqyronte përpjekjet e vazhdueshme të strukturave të Policisë, profesionalizmit të tyre dhe efikasitetit në luftën kundër trafiqeve. Në raportin e Departamentit të Shtetit, gjashtë vjet më pas Shqipëria cilësohet “si vend origjine për trafikimin e vajzave dhe grave për qëllime shfrytëzimi seksual dhe punë të detyruar...; Qeveria Shqiptare është vendosur në listën e vëzhgimit të nivelit të tretë, pasi nuk ka dëshmuar për shtimin e përpjekjeve për të luftuar trafikimin e personave... nuk ka identifikuar saktë viktimat e trafikimit..., si dhe nuk ka dëshmuar se ka hetuar apo ndjekur penalisht me vendosmëri zyrtarë që kanë bashkëpunuar në trafikim”. Ky qëndrim realist i raportit të DASH-it shpreh faktin se qeveria ka dështuar në këtë front të rëndësishëm të luftës kundër krimit dhe se fitoret që ajo trumbeton, janë thjesht virtuale. Për të zgjedhur të keqen më të vogël, shpresoj që kjo situatë të jetë shkaktuar nga paaftësia e saj dhe jo nga faktorë të tjerë shumë më të zymtë.

Si ish-ministër i Mbrojtjes, cili është gjykimi juaj për tragjedinë e Gërdecit, çfarë besoni se nuk funksionoi në sistemin e sigurisë së vendit? Pse ndodhi, sipas jush, Gërdeci?
Tragjedia e Gërdecit nxori në pah tërë boshllëqet e sistemit tonë të sigurisë kombëtare. Njëkohësisht provoi dhe faktin se sa i pa informuar është publiku mbi atë çka ndodh në emër të sigurisë kombëtare. Më shqetësues është fakti që qysh në fillim qeveria u përpoq të justifikonte tragjedinë kur kryeministri u mundua të bënte me përgjegjësi sa presidentin, po ashtu dhe ministrinë e Mbrojtjes, a thua se kryeministri është i tillë vetëm brenda përmasave të zyrës së tij. Akoma më keq kur përpiqej të fajësonte dhe opozitën për ligjet e miratuara, të cilat, sipas tij, “i kishin lidhur duart”. Më e rëndë bëhet gjendja po të kemi parasysh faktin se deri më sot qeveria nuk është mbledhur për të analizuar shkaqet që çuan në këtë tragjedi, për të lexuar funksionimin (lexo mosfunksionimin) e strukturave aktuale shtetërore, boshllëqet legjislative e administrative. Arsyeja që jepet se me këtë çështje po merret Prokuroria, është vetëm një alibi e mjerë.
Në gjykimin tim, mangësitë thelbësore që çuan në këtë tragjedi (veç faktit të korrupsionit dhe kapjes se shtetit), janë të shumta. Ato nisin me mangësitë në bazën ligjore që do të ndante qartë përgjegjësitë ndërmjet aktorëve kryesorë të sistemit të sigurisë kombëtare. Sistemi aktual i komandimit paraqet një zinxhir të ndryshueshëm e të paqartë cili krijon probleme në kalimin nga një situatë normale në një situatë krize a lufte, me ndryshimin e përgjegjësive të aktoreve kryesore. Eksperienca ka treguar që kjo situatë mbjell konfuzion dhe shmangie përgjegjësie nga aktorët kryesorë përgjegjës për zhvillimin e mekanizmave e instrumenteve të sigurisë që në kohe paqeje. Është e nevojshme të rishikohen disa struktura, si Këshilli i Sigurimit Kombëtar, që të vihet në eficencë dhe të shërbejë njëkohësisht në procesin e domosdoshëm të veprimit ndërinstitucional duke i dhënë mundësi autoriteteve respektive të shtetit të kontrollojnë e menaxhojnë të gjitha elementet e sigurisë kombëtare. Këshilli i Sigurimit Kombëtar është organ konsultativ nën drejtimin e Presidentit të Republikës në bazë të Kushtetutës. Deri sot funksionimi i tij ka lënë shumë për të dëshiruar, ndonëse presidenti ka autoritet ligjor qoftë mbi mbrojtjen si komandant i Përgjithshëm, ashtu dhe me SHISH-in, si autoriteti që certifikon kryetarin e Shërbimit. Ndonëse ekzistojnë elementë të mjaftueshëm në dorë të presidentit për të qenë më aktivë në këtë drejtim, puna ka çaluar pasi drejtimi i ditëpërditshëm i këtyre strukturave varet nga qeveria. Shoh shumë e shumë vakuume në këtë pikë, por me shumë trishtim shoh edhe që tragjedia nuk shërbeu si një mësim i madh për të shmangur pësime të tilla në të ardhmen. Gërdeci, por jo vetëm kjo tragjedi, ka provuar qartë se ka një mungesë totale të strategjive përkatëse për zhvillimin e kapaciteteve të nevojshme për parandalimin dhe menaxhimin e krizave të shkaktuara nga rreziqe asimetrike. Sërish do të thosha që nëse kjo gjë shkaktohet vetëm nga paaftësia – dhe kjo qeverisje është dëshmuar e tillë – do të ishte vetëm një e keqe përgjysmë. Ashtu siç po i vjen fundi kësaj qeverie të keqe dhe kësaj filozofie kuturu të drejtimit të vendit. Partia Socialiste është premtimi i madh solemn për ndryshimin e situatës. Dhe kjo do të ndryshojë pa diskutim. Sa për shkaqet e tjera të natyrës korruptive dhe të kapjes së shtetit nga krimi, ky është një kapitull të cilin opozita e ka shkruar menjëherë mbas tragjedisë dhe shpresoj që edhe Prokuroria të thotë fjalën e saj. Ka dështim politik dhe ky do të vijë në vitin e ardhshëm, me zgjedhjet e përgjithshme, ka dhe ndëshkim penal që do ta bëjë Drejtësia.

Jeni sërish i angazhuar në Partinë Socialistë. Si e konsideroni aktivitetin e saj dhe përgatitjet që mendoni të bëni për rikthimin në pushtet?
Zhvillimet demokratike të pas viteve '90 dhe në mënyrë të posaçme impakti i sistemit të ri ekonomik e politik ndaj shtresave të ndryshme sociale, interesave, vlerave, aspiratave dhe mënyrave të komunikimit, shtroi si detyrë dhe nevojë krijimin e një shumice fituese elektorale, krijimin e aleancave të reja dhe strategjive të reja të komunikimit. Janë pikërisht këto realitete që kanë shtyrë Partinë Socialiste të ndërmarrë që prej tre vjetësh një proces të thellë e të gjithanshëm reformimi e modernizimi. Ky proces, i cili shtrihet si në rrafshin organizativ, ashtu dhe në atë politik, mbart në vetvete disa elementë të qenësishëm, të cilët synojnë që ta kthejnë Partinë Socialiste në një forcë politike moderne, të aftë për të shprehur zhvillimet dhe realitetet e reja. Kam bindjen se PS-ja e drejtimi i saj ka lexuar qartë nevojën të formuar aleanca të reja sociale e politike, tashmë nisur jo mbi bazën e linjave klasore të vjetra, por në vlerat dhe grupet e reja sociale.
Në plan politik, është bërë një analizë kritike e proceseve brenda Partisë Socialistë si dhe në nivel të vetë shoqërisë shqiptare. U formalizua hapja e Partisë Socialistë dhe u zbatua një nga parimet më demokratike për jetën e një force politike, siç është parimi "Një anëtar, një votë", duke i dhënë kështu jetë parimit demokratik të demokracisë së drejtpërdrejtë dhe duke emancipuar mendimin politik jo vetëm brenda PS, por në tërë spektrin politik shqiptar. Në bazën e këtyre ndryshimeve qëndron pikërisht vënia në themel të vendimmarrjes së anëtarit të partisë. Anëtari i PS-së sot është njëkohësisht autori dhe aktori i jetës së Partisë Socialiste. Një aspekt i rëndësishëm i reformimit të PS-së është ripërtëritja si element jetësor duke prurë në të elementë të rinj, jo vetëm në moshë, por në radhë të parë në mentalitet, të aftë për të kuptuar drejt dhe përkthyer në politika moderne realitetet e reja dhe njëkohësisht për të përfaqësuar ato grupe sociale të cilat nuk kanë ekzistuar më parë në realitetin socio-politik shqiptar. Do të thosha se ndryshimet e përjetuara rishtazi në PS, kanë në thelb përpjekjen për të harmonizuar elementët e maturisë dhe vendosmërisë për arritjen e një konsensusi mes saj, duke ofruar zgjidhje inteligjente që kombinojnë njëkohësisht vazhdimësinë dhe ndryshimin, impenjimin dhe përfshirjen krah për krah me qëndrueshmërinë dhe evolucionin e nevojshëm, që kombinojnë e harmonizojnë etikën e bindjeve me atë të përgjegjësisë. Kjo gjen mishërim në lidershipin e ri të PS-së. Procesi i dialogut me Shqipërinë ishte një risi në politikën shqiptare. Ai jo vetëm që krijoi një precedent pozitiv, pasi theu barrierat parti-qytetar, duke u përpjekur ta bëjë politikën të kapshme, të kuptueshme dhe të nevojshme për qytetarin dhe fatet e tij. Kësaj radhe besoj se ndryshimi i ngjyrave në qeverisje nuk do të vijë siç ka ndodhur rëndom në Shqipëri, si rënie e një maxhorance për shkak të dobësive të saj, kësaj radhe maxhoranca aktuale do të largohet sepse ka përballë një alternativë që është shumë më e fortë se ajo në të gjitha pikëpamjet. E kemi dëshmuar këtë gjë duke u bërë iniciatorë dhe realizues të reformave të rëndësishme që tani që ndodhemi në opozitë, do ta bëjmë shumëfish më shumë, kur të marrin detyrën e shërbesës për qytetarin.
Marrë nga revista “MAPO”

15 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›