Shtyhet seanca gjyqësore e 14 shtatorit
Gjykata e Tiranës vendosi të shtynte seancën gjyqësore në ngarkim të të akuzuarve për ngjarjen e "14 shtatorit". Shkak për shtyrjen e seancës ishte mosparaqitja e njërit nga anëtarëve të trupit gjykues. I pranishem në sallën e gjyqit ishin Antoneta Malaj dhe zëvendësministri i Kulturës Ekrem Spahia. Dosja në të cilën figuron edhe Ekrem Spahia, i cili mban postin e kreut të Partisë Lëvizja e Legalitetit, është një nga tre dosjet për ngjarjen e "14 shtatorit" 1998, kur turma e armatosur që përcillte në varreza trupin e pajetë të deputetit të vrarë Azem Hajdari, sulmoi institucionet qendrore të shtetit. Pas hetimeve mbi këtë çështje, u vendos që dosja të ndahej në tre pjesë, njëra prej të cilëve është dosja e ashtuquajtur e ish badigardëve, e dyta është dosja e qytetarëve të armatosur, ndërsa e treta është ajo e ish-gazetarëve, ku bën pjesë dhe zv. ministri i kulturës Ekrem Spahia. Seanca e rradhës për dosjen e 14 shtatorit është vendosur të zhvillohet pas dy javësh.