E Shtunë, 31 Tetor 2026

Keni mbështetjen tonë gjatë procesit

13/03/2009  Zv/ambasadori amerikan Stefen Kristina vizitë në Shkodër, njihet me punën për zgjedhjet

“Ndihmë në teknologji, në asistencë njerëzore, trajnime dhe bashkëveprime”

SHKODER- Zv/ambasadori amerikan në Tiranë, Stephen Cristina, ka zhvilluar dje një takim pune me drejtuesit e pushtetit vendor. Gjatë takimit me kryetarin e Bashkisë së Shkodrës, Lorenc Luka zv/ambasadori Kristina ka bërë të ditur se qëllimi i vizitës së tij ishte informimi rreth punës që po bëhet dhe mbarëvajtjes së përgatitjeve për një zhvillim sipas standardeve të procesit të zgjedhjeve parlamentare që do të zhvillohen më 28 qershor 2009. Gjatë takimit mes zv/ambasadorit Cristina dhe kryebashkiakut Luka ishin të pranishëm prefekti i Shkodrës Maxhid Cungu, bashkëshortja e ambasadorit Withers dhe bashkëshortja e zv/ambasadorit Kristina.

Zgjedhjet

Numri 2 i ambasadës amerikane kërkoi një informacion sa më të plotë në lidhje me punën që po bëhet për realizimin me sukses të procesit zgjedhor. Kryetari i Bashkisë Shkodër theksoi se Bashkia Shkodër ka marrë të gjitha masat për krijimin e kushteve për aplikimin e qytetarëve pranë zyrave të gjendjes civile për pajisjen e tyre me kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike. Njëkohësisht Luka i bëri të ditur zv/ambasadorit punën e bërë për përfundimin e sistemit të ri të adresave si dhe realizimin e projektit të dixhitalizimit të shërbimit të gjendjes civile dhe krijimin e regjistrit elektronik të shtetasve. Më pas kryebashkiaku Luka e njohu zv/ambasadorin Kristina me masat e marra për menaxhimin e një procesi zgjedhor tërësisht demokratik dhe brenda të gjithë standardeve të kërkuara. Sipas Lukës, ishte për t’u vlerësuar dhe puna e bërë për sistemimin e të gjitha dublikimeve në listat paraprake të zgjedhësve, afishimin e hartave me qendrat e votimit pranë njësive administrative dhe në ambientet e gjendjes civile, sistemimin e zgjedhësve që në zgjedhjet e ardhshme njiheshin me kodin 999, shpalljen e listave paraprake të zgjedhësve që më datë 6 mars dhe më pas më datë 9 mars janë dorëzuar listat paraprake në version elektronik subjekteve politike të Shkodrës.

Mbështetja

Pasi u njoh me situatën dhe punën e bërë, zv/ambasadori amerikan ritheksoi se qeveria që ai përfaqëson është e interesuar për zhvillimin normal dhe brenda të gjitha standardeve, të procesit zgjedhor të 28 qershorit në Shqipëri. Zv/ambasadori Kristina u bëri të ditur përfaqësuesve të pushtetit vendor në Shkodër se ambasada e SHBA-së në Tiranë ka qenë dhe vijon të mbetet mbështetëse e të gjitha zhvillimeve demokratike në të gjitha drejtimet, ndaj është e gatshme t’u ofrojë ndihmën e nevojshme për problemet që mund të hasen gjatë procesit zgjedhor të qershorit. Ndihma ofrohet në teknologji, në asistencë njerëzore, në trajnime dhe bashkëveprime gjatë këtij procesi. Pas takimit me pushtetarët vendorë, përfaqësues të së djathtës në pushtet, zv/ambasadori amerikan ka zhvilluar dhe një takim me drejtuesit e degës së PS-në Shkodër. Kryetari i kësaj dege Edip Shiroka ka njohur zv/ambasadorin me pikëpamjet e socialistëve shkodranë në drejtim të masave të deritanishme për përballimin e procesit zgjedhor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›