E Shtunë, 31 Tetor 2026

Analiza e arsimit, probleme të dukshme në infrastrukturë

13/03/2009  Drejtori i DAR, Yzedin Hima: Ka mësues që neglizhojnë detyrën e tyre

Kryebashkiaku këmbënguli tek lufta ndaj analfabetizmit

BERAT - Drejtoria e Arsimit të rrethit Berat ka bërë dje analizën vjetore të semestrit të parë të vitit 2008-2009. Analiza ka patur si qëllim vënien në dukje të nivelit mësimor edukativ, ndërsa nga mësuesit, drejtuesit e shkollave, nxënësit dhe bordi i prindërve theksi është vënë në problemet e infrastrukturës të arsimit ku mungojnë mjete shkollore ambiente sportive, kompjuterë që janë të pakët, oborre të zënë nga privatët apo dhe mosinvestime të tjera në fushën e arsimit. Drejtori i arsimit Yzedin Hima në fjalën e tij, veç vlerësimit për drejtuesit e shkollave, iu ka tërhequr vëmendjen mësuesve dhe për probleme që janë hasur gjatë kontrolleve të inspektoratit. Sipas Himës, aktualisht i është dhënë përparësi arsimit të 103 fëmijëve me aftësi të kufizuar. Por në drejtim të arsimit ka probleme në mësues që e zvarrisin punën në krijimin e kabineteve, në marrëdhëniet mësues-nxënës, në dhënien e literaturës artistike të komanduar në shkolla si dhe probleme të tjera. Në fjalën e tij për problemet e ngritura nga përfaqësues të shkollave “Kristaq Capo”, “Shyqëri Lakra”, “Kristo Isak”, “22 Tetori”, Hima ka thënë se do t’u jepet përparësi për të zgjidhur problemet në këto shkolla në bashkëpunim dhe me Ministrinë e Arsimit. Po në këtë analizë ka folur dhe prefekti i Beratit, Thoma Rumnici, i cili ka përshëndetur mësuesit për punën e mirë, por njëkohësisht ka nxjerrë në pah dhe të metat e pushtetit lokal, në investime që janë bllokuar si pasojë e problemit të shpronësimeve të pronarëve. Prefekti ka folur dhe në lidhje me bursat, fondet dhe probleme të tjera të arsimit. Në analizë me nota të ashpra kundrejt arsimit ka folur kreu i Bashkisë së Beratit Fadil Nasufi, i cili ka kërkuar që nga qeveria të ketë më shumë investime në drejtim të arsimit. “Në lidhje me nxënësit që kanë braktisur arsimin kryebashkiaku ka cituar se ne do paguajmë për këta fëmijë që nuk shkojnë në shkollë, do të paguajmë për cilësinë e arsimit, për aksidentet politike në arsim, pasi vihet re një zbehje e rolit të mësuesit”, ka theksuar Nasufi.

REPLIKAT

Replika të ashpra ka pasur mes prefektit të Beratit Thoma Rumnici dhe kryetarit të bashkisë Fadil Nasufi për bllokimin e shesheve të ndërtimit të një shkolle tek Pjeshkorja. “Pushteti vendor duhet të zhbllokojë menjëherë dhe sa më parë truallin për ndërtimin e një shkolle në lagjen më të re të qytetit të Beratit në atë të Pjeshkores”, ka thënë prefekti Rumnici. Në përgjigje të kësaj kritike kreu i bashkisë të Beratit që ishte i pranishëm në këtë analizë tha se sheshi i ndërtimit ku kërkohet të ndërtohet një shkollë e re, e ka një person që ende nuk dihet nëse është ish-pronar apo një person tjetër. “Për këtë arsye kemi kërkuar dokumentet ku kërkohet trualli dhe më pas do të punojmë që të bëjmë të mundur vënien në dispozicion për ndërtimin e shkollës së re”, ka pohuar kryebashkiaku Nasufi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›