Shtyhet seanca për Albin Kurtin
Seanca gjyqësore kundër Albin Kurtit, udhëheqës i lëvizjes "Vetëvendosje", është shtyrë sërish për datën 19 prill, për shkak të mungesës së Kurtit në seancë dhe avokatit të tij mbrojtës.
Autoritetet kanë lëshuar fletë-arrestin për ta sjellë Albin Kurtin në gjykatë, por deri tani, kjo nuk ka ndodhur.
Seanca e sotme ishte e shtata me radhë në përpjekje për ta përballur Albin Kurtin me akuzat për "pjesëmarrje në një turmë që ka kryer vepra penale, pjesëmarrje në një grup që ka penguar personat zyrtarë në kryerjen e punëve zyrtare dhe për thirrje për rezistencë në lidhje me ngjarjet e shkurtit të 2007-ës, në të cilat u vranë dy protestues".
Glauk Konjufca, një nga anëtarët e kësaj lëvizje, në një prononcim për "Ora News" tha se sot mungoi avokati mbrojtës i Kurtit, Dragusha, çka solli shtyrjen e seancës. Ai tha se gjyqi ndaj Kurtit është i padrejtë.
Lidhur me mosparaqitjen e Kurtit në proces, Konjufca tha se Albin Kurti nuk e njeh këtë proces. "Në protestën e 2007-ës, për të cilën akuzohet Kurti, janë goditur demonstruesit. Ndaj tyre janë përdorur edhe armët", tha ai.
Por ndërkomëbtarët, sipas Konjufcës, kanë deklaruar më vonë se këto veprime mund të ishin shmangur.