E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtyhet sërish çështja “Ruzhdije”, mungojnë avokatët

19/05/2010 Njëri prej tyre jep dorëheqjen, tjetri do të merret me forcë

FIER- Për të katërtën herë është shtyrë seanca gjyqësore në ngarkim të 9 shtetasve, gjashtë ish-komisionerë dhe tre banorë të fshatit Ruzhdie të marrë të pandehur nga Prokuroria e rrethit Fier. Në seancën e djeshme ka munguar sërish pala mbrojtëse përkatësisht avokatët Zenun Hadërmataj, si dhe Baftjar Shehu. Ky i fundit ka dhënë dorëheqjen nga mbrojtja e tre të pandehurve. Përballë kësaj situate gjyqtari i çështjes Roland Jaupaj është detyruar të shtyjë seancën, e cila ka zgjatur rreth 30 minuta, për në datën 31 të këtij muaji. Kjo është kundërshtuar nga prokurori i çështjes Clirim Sinaj. Ai i ka kërkuar trupit gjykues të marrë masa duke e quajtur të pajustifikueshme mungesën e palës mbrojtëse të të pandehurve. Edhe pala mbrojtëse e të akuzuarve të majtë, Rozeta Plaku, u shpreh se mungesa e palës mbrojtëse të akuzuarve të djathtë duhet parë nga trupi gjykues. Ajo e ka cilësuar këtë si një gjest të mungesës së kulturës dhe edukatës ndaj trupit gjykues dhe ligjit. Të akuzuarit janë Bujar Kararaj, kryetar i komisionit, Pëllumb Myrtaj zëvendëskryetar dhe anëtarët e komisionit Robert Myftaraj, Veledin Myftaraj dhe Shezai Kararaj. Komisionerët e Ruzhdies akuzohen për shpërdorim të detyrës, falsifikim të dokumenteve të votimit, si dhe votim më shumë se një herë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›