Shtyhet serish procesi i aplikimit për karta në Shkodër
SHKODËR- Shtyhet sërish afati i fillimit të procesit për aplikimin e kartave të identitetit për banorët e qarkut të Shkodrës. Shkak është bërë mos instalimi i pajisjeve kompjuterike në ambientet e gjendjes civile, pavarësisht se ato kanë mbërritur që të martën pasdite. Banorët e Shkodrës prej më shumë se 15 ditësh çdo ditë sorollatën dyerve të gjendjes civile pranë prefekturës së qarkut dhe zyrave të postës të interesuar për të ditur se kur do të fillojë ky proces, por kthehen mbrapa të zhgënjyer duke mos arritur të marrin një përgjigje të saktë.
Nënkryetari i Bashkisë së Shkodrës Ridvan Troshani ka bërë të ditur për televizionin “NEWS24” se të gjitha sportelet si në gjendjen civile ashtu edhe tek Albapost janë gati për të filluar këtë proces, por gjithçka ka mbetur pezull nga mos instalimi i pajisjeve kompjuterike nga kompania Sagem.
Akoma nuk është përcaktuar dita se kur do të fillojë realisht procesi i aplikimit megjithatë nënkryetari Troshani siguron se ky proces do të fillojë brenda kësaj jave. E nëse nisja e procesit ka mbetur e paqartë në Shkodër situata po procedon ndryshe, pasi deklarohen afate për nisjen e këtij procesi ato më pas shtyhen drejt një date pa përcaktim. (a.r/news24/balkanweb)