E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtyhet varrimi i Gadafit, shtohen pyetjet lidhur me vrasjen e tij

Ministri i Naftës, Ali Tarhouni, tha se trupi i ish-liderit mund të mbahet “për pak ditë”. Sipas traditës islame varrimi duhet të kryhet sa më shpejt të jetë e mundur. Organizata e Kombeve të Bashkuara të Amerikës kërkon hetimin e vrasjes së Gadafit ditën e djeshme në Sirte. Ndërkohë, NATO pritet të deklarojë përfundimin e fushatës në Libi gjatë orëve në vijim.

Presidenti francez, Nikolas Sarkozi, tha se vdekja e kolonel Gadafit do të thotë se ndërhyrja ushtarake e NATO-s ka arrtur në përfundim. “Qartësisht, operacioni ka ardhur në fund”, tha ai për reporterët.

Shtohen pyetjet...

Korrespondentja e BBC-së në Tripoli thotë se autoritetet tani janë përballë dilemës se si do ia bëjnë me trupin e Gadafit, i cili ndodhet në qytetin e Misratës. Ka mosmarrëveshje të mëdha lidhur me atë se çfarë do të bëhet me të. Autoritetet e përkohshme duan që ta varrosin në mënyrë sekrete por akoma nuk është marrë asnjë vendim se ku do të varroset, në Misrata, në Sirte apo në shkretëtirën e Libisë.

Korrespondentët njoftuan se zyrtarët kanë thënë se do të kryejnë një varrim të shpejtë. Ka spekulime sipas të cilave autoritetet mund të provojnë ta varrosin në det siç u bë me Osama Bin Ladenin, duke parandaluar çdo mundësi që mbështetësit e tij ta kthejnë në një vend të vizitueshëm.

Tarhouni, një zyrtar vendas, theksoi për “Reuters”-in se trupi i kolonel Gadafit nuk do të hiqej nga morgu i Misratës për varrosjen e menjëhershme. “U kam kërkuar ta mbajnë në frigorifer…për t’u siguruar se gjithkush e di që ai tashmë ka vdekur”, tha ai. “Reuters” po ashtu citoi zyrtarët në kushtet e anonimatit të kenë thënë se ka mosmarrëveshje edhe me Këshillin Kombëtar të Tranzicionit lidhur me atë se çfarë do të bëhet me trupin e tij.

Ndërkohë që po shtohen pyetjet lidhur me atë se çfarë ndodhi ekzaktësisht në moemntet e fundit të Muamar Gadafit, pasi ishte kapur nga forcat e KKT-së. Zyrtarët kanë mohuar në mënyrë kategorike ekzekutimin e tij.

Dy video dhe 4-5 versione

Anekënd botës qarkullojnë dy video, njëra e cila tregon se Gadafi është gjallë, dhe e dyta shfaq trupin e pajetë të kolonelit. Në lidhje me atë se cfarë ka ndodhur mes këtyre dy videove ka katër ose pesë versione. Kryeministri në detyrë, Mahmoud Xhibril, tha se koloneli është qëlluar në kokë gjatë shkëmbimeve të zjarrit mes mbështetësve të Gadafit dhe forcave të qeverisë pas kapjes së tij në Sirte. Videoja shfaq se ai u mor zvarrë nëpër rrugë.

Një luftëtar i KKT-së tha për “BBC”-në se ai e kishte gjetur Gadafin të fshehur në një tub kullimi dhe se ai i ishte lutur të mos e qëllonte. Luftëtari u tregoi reporterëve një pistoletë ari, të cilën ai tha se ia kishte marrë kolonel Gadafit.

Shqetësime të mëdha...

Anëtari i lartë i KKT-së, Mohammed Sayeh, gjatë një prononcimi për BBC-në shprehu dyshimet se Gadafi ishte vrarë qëllimisht porse shtoi: “Edhe nëse është vrarë qëllimisht, mendoj se ai e meritonte këtë. Nëse e vrasin 1 mijë herë, mendoj se nuk do të ishte shpagim për atë që ai u ka bërë libianëve”. Të premten, Komisionerja e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Navi Pillay tha se duhet të ketë hetim të plotë lidhur me vrasjen e kolonelit. Zëdhënësi i saj tha se në vrasjen e Gadafit mund të jetë shkelur ligji.

“Njerëzit vriten në luftëra dhe kjo njihet në të drejtën ndërkombëtare. Në anën tjetër, është shumë e qartë bazuar në këtë të drejtë se ekzekutimet në masë, dhe ekzekutimet ekstra-gjyqësore janë të paligjshme”. Pavarësisht të gjithave, korrespondentët ndërkombëtare në Libi thonë se të paktë janë libianët që duan t’ia dinë lidhur me mënyrën e vrasjes së Gadafit. Festimet vijuan gjatë gjithë natës anekënd Libisë.

Këshilli Kombëtar i Tranzicionit pritet që zyrtarisht të shpallë çlirimin e plotë të vendit të shtunën në qytetin lindor të Bengazit. Në këtë mënyrë merr fund edhe fushata shtatë mujore e NATO-s në Libi. Aleanca e Atlantikut të Veriut ka kryer 26 000 fluturime dhe ka ndërmarrë 10 000 misione goditjeje.

Kolonel Gadafi, i cili mori pushtetin në vititn 1969, u rrëzua nga  pushteti në muajin gusht. Deri dje ai ishte në kalanë e tij të fundit, Sirten, së bashku me dy djemtë e tij, Mutasimin dhe Saif Al-Islamin. Mutasim Gadafi është raportuar zyrtarisht i vdekur dje, ndërkohë që ka informacione kontradiktore lidhur me vendndodhjen e Saif Al-Islamit. Disa raportojnë se ai është kapur nga forcat e KKT-së, të tjerë thonë se ai ëhstë parë tek arratiset për në Niger.

/Start/F. Prroni/

                                                                                             2011-10-21 17:58
   

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›