Shtyhet zyrtarizimi, por në Itali janë të sigurt, Xhani De Biasi do të firmosë
Në federatë ngrenë supet në lidhje me datën e prezantimit të trajnerit të ri, por nga gadishulli Apenin njoftojnë se gjithçka do të ndodhë shpejt
Shtypi shqiptar ishte i sigurt, zyrtarizimi i trajnerit të ri pritej të ndodhte dje. Ndonëse emrat ishin dy (De Biasi dhe Karbone), kombëtarja kuqezi do të njihte trajnerin e saj të ri. Por gjërat nuk kanë rrjedhur sipas planeve. Në federatë vijojnë të ngrenë supet në lidhje me trajnerin e ardhshëm, pasi të gjithë e kanë gojën të mbyllur në lidhje me atë që me të drejtën e dhënë nga Komiteti Ekzekutiv, cilësohet si një ekskluzivitet i presidentit Armand Duka. Duka ka udhëtuar shpesh në drejtim të Italisë gjatë kësaj periudhe ku ka takuar disa trajnerë italianë, të rekomanduar natyrisht nga agjenti i FIFA-s, Sokol Haxhia. Dëshira e Dukës për të sjellë në krye të Shqipërisë një trajner nga shkolla e madhe e futbollit italian është një dëshirë e hershme, por tani duket se është shumë pranë realizimit. Mediat në gadishullin Apenin e bëjnë fakt të kryer firmën e Xhani de Biasit në krye të stolit të Shqipërisë. “Ish-trajneri i Modenas, Breshias, Torinos e Udinezes, është fare pranë firmës me federatën e vendit ballkanas. Xhani de Biasi do të jetë trajneri i ardhshëm i kombëtares së Shqipërisë. Për De Biazin, 55-vjeçar, kjo do të jetë detyra e parë si komisar teknik i një kombëtareje,” shkruan portali Sportmediaset.it, një nënsajt i prestigjiozit tgcom.it. Kontrata e De Biasit do të jetë 2-vjeçare dhe trajneri italian do të përfitojë shumën e 200 mijë eurove. Tashmë pritet vetëm ardhja e De Biasit në kryeqytetin shqiptar për të hedhur të zezën mbi të bardhë.
De Biasi do të zëvendësojë në pankinën kuqezi, Josip Kuzhe, që u shkarkua nga detyra pas dështimit në eliminatoret e Euro 2012. Që nga largimi i kroatit, shumë emra të tjerë janë afruar pranë skuadrës shqiptare, ndërsa më në fund Duka ka vendosur t’ia besojë atë shkollës italiane të futbollit, duke zgjedhur Xhani De Biasin. Ky i fundit mundi rivalitetin e patriotëve të tij, Mario Berreta dhe Benito Karbone, të tjerë kandidatë për t’u ulur në pankinën e kombëtares së Shqipërisë.
Pasi ka drejtuar skuadra si Breshia, Torino dhe Udineze në Itali dhe Levanten në Spanjë, ekipi shqiptar është aventura e parë e teknikut 55-vjecar në pankinën e një kombëtareje. Nëse gjithçka do të vendoset pas firmës në kontratë, testi i parë i trajnerit do të jetë më 29 shkurt në miqësoren kundër Gjeorgjisë. Xhiani De Biasi do të jetë kështu italiani i dytë në historinë e kombëtares shqiptare, pas eksperiencës së hidhur me Xhuzepe Dosenën në vitin 2002.
Por flitet edhe për një firmë me Breshian
Por, po nga Italia vjen një tjetër lajm, pasi Breshia kërkon si trajner pikërisht Xhani De Biasin, njeriun që është piketuar si favoriti për të qenë pasardhësi i Josip Kuzhes.
Lajmin e jep e njëjta media që ushqen edhe publikun shqiptar, “tutomerkatoweb”, e cila njofton se trajneri i Breshias, Shenca, është në prag largimi dhe se favorit për klubin lombard është pikërisht De Biazi. Humbja 1-3 në Serinë B ndaj Barit, madje brenda fushe, ishte një këmbanë alarmi për Shencën. Megjithatë, për këtë rast gjithçka është e varur nga rrethanori “mundet”.