E Shtunë, 31 Tetor 2026

Supermarketi Tirana, titullarët pranë largimit

Gilman Lika kërkohet nga Vllaznia dhe Ilioni nga Flamurtari

Hulian Rubio Sançez mund të përjetojë ditë vërtet të këqija nëse lojtarët nuk do të marrin pagat e prapambetura. U bë kohë që qark ambientit bardheblu fjala “para” është me pikatore, ndaj edhe lojtarët kanë filluar kontaktet e para me skuadra të ndryshme nëse deri në janar nuk do të jenë shlyer financiarisht nga Tirana. Shkodrani Gilman Lika është synimi kryesor për Vllazninë. Trajneri Rudi Vata e kërkon ta ketë në skuadër mesfushorin e talentuar dhe në janar drejtuesit do të provojnë t’ia marrin bardhebluve. Lika ka kërcënuar Tiranën se do të largohet nëse nuk e paguajnë dhe kjo ka ndezur shpresat e tifozëve shkodranë që duan ta shohin prapë në qytet beniaminin e tyre. Në merkaton e janarit, Vllaznia do të përforcohet dhe puna mendohet të nisë nga afrimi i Likës.

Por edhe Lika tjetër, Ilioni, mund të marrë rrugët, si Gilmani. Vetëm se ish-portieri i kombëtares mund të udhëtojë drejt jugut, aty ku e pret Shkëlqim Muça, që e do te Flamurtari. Problemet që kanë pasur kuqezinjtë në këtë sezon kanë qenë kryesisht të lidhura me repartin mbrojtës dhe sidomos me mbrojtësin ekstrem. Moçka dhe Spaho nuk e kanë bërë detyrën ashtu siç duhet dhe në disa ndeshje, vlonjatët janë ndëshkuar pikërisht për shkak të golave që kanë pësuar nga pasiguria e portierëve të tyre. Në këto rrethane, duket se janë pjekur kushtet që Ilion Lika të provojë një tjetër skuadër në kampionatin shqiptar, pas Dinamos, Elbasanit, Kastriotit dhe Tiranës.

Megjithatë, zërat e mëparshëm theksojnë se Tirana do të shpëtojë sapo të futet muaji janar, kur në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak të kryeqytetit, do të synohet shitja e një pjese të aksioneve.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›