E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çekia: “Të përmirësohet ligji i dosjeve”

Autori i Lajmit: Suela Topi
Çekia do të sjellë së shpejti një ekspert në vendin tonë për të përmirësuar ligjin e dosjeve. Kryetari i Komisionit të Ligjeve të Çekisë, Marek Benda, ka pohuar dje për median shqiptare se ligji i Lustracionit , i miratuar në Kuvend duhet të vihet në zbatim vetëm kur të mos ketë më përplasje me Kushtetutën. Megjithatë, ai ka përmendur faktin se dhe në Çeki ligji për Lustracionin në momentin e miratimit ka pasur shumë kontestime nga ndërkombëtarët. Delegacioni i Parlamentit çek zhvilloi dje një takim me Komisionin e Ligjeve të Parlamentit shqiptar dhe me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Gjata takimit me të është përshëndetur anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe është shprehur mbështetja për integrimin e mëtejshëm në Bashkimin Evropian.
Deklarata
Sipas kryetarit të ligjeve të Çekisë, së shpejti do të mbërrijë në Tiranë eksperti që do të ndihmojë në riformulimin e ligjit të Lustracionit”, ndërsa deklaron se ligji i mazhorancës duhet të vihet në zbatim vetëm në momentin kur të mos ketë përplasje me Kushtetutën. “Është e rëndësishme që të gjitha vendet ish-komuniste të ndahen nga e kaluara. Kur ne miratuam fillimisht ligjin tonë të “Lustracionit, pati kontestime të forta nga ndërkombëtaret, sepse ata nuk e kuptonin. Ne do të sjellim një ekspert tonin për të zgjidhur problemet tekniko- juridike që ka ligji. Kur të jetë në përputhje të plotë me Kushtetutën, atëherë mund ta vini në zbatim”, - tha Benda. Gjatë vizitës në vendin tonë delegacioni çek zhvilloi një takim me kryeparlamentaren Topalli. Në takimin me të, Benda e cilësoi si një rastësi shumë të bukur këtë vizitë në Tiranë në këtë moment historik, që u ka sjellë në memorie momente nostalgjike të anëtarësimit të Çekisë në NATO. “Pas anëtarësimit në NATO, urojmë që rruga e Shqipërisë drejt BE-së të jetë sa më e shkurtër”,- u shpreh ai. NATO, tha ai, nuk është thjesht një organizatë por është një bashkim shtetesh që jeton në paqe e liri e që garantojnë të drejtat dhe liritë e gjithsecilit. Ndaj dhe anëtarësimi i Shqipërisë është një ngjarje e jashtëzakonshme. Benda, vendi i të cilit mban presidencën e radhës së BE-së, konfirmoi se “Çekia është shumë e interesuar që Shqipëria dhe vendet e “Bllokut të Lindjes” të përafrohen me BE-në dhe ne do të mbështesim politikën e zgjerimit me të gjitha mundësitë. Ndërsa kryeparlamentarja Topalli tha se anëtarësimi në NATO është i rëndësishëm për çdo vend, por anëtarësimi i Shqipërisë ishte i një rëndësie historike, pasi pas 17 vitesh ndarje nga regjimi izolues totalitar ne arritëm t i bashkoheshim familjes që i përkisnim, mes kombeve të lira.
Për Kryetaren e Kuvendit tashmë në politikën e jashtme prioritare është liberalizimi i vizave, sepse shqiptarët meritojnë të lëvizin të lirë. “Energjia dhe optimizmi i qytetarëve shqiptarë, vokacioni i tyre perëndimor kanë shërbyer si motor për ecjen tonë përpara”, - theksoi ajo. Duke theksuar ndjesinë dhe afrimitetin e Çekisë me Shqipërinë, si dy vende të ish-bllokut komunist, Benda tha se vendi i tij është për hapjen e portave të Evropës që qytetarët, të rinjtë, djemtë e vajzat të lëvizin të lirë, të mendojnë të lirë. Duke biseduar për bashkëpunimin ekonomik Kryetarja e Kuvendit shprehu kënaqësinë që një kompani çeke ka privatizuar rrjetin e shpërndarjes së energjisë në Shqipëri dhe uroi që kësaj kompanie t i bashkangjiten të tjera nga vendi mik çek. Më tej biseda u ndal në rritjen dhe intensifikimin e bashkëpunimit mes dy parlamenteve dhe shkëmbimin e përvojës në përafrimin e legjislacionit me atë të BE-së.

Ky lajm është publikuar: 07/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›