E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mësoi se kishte kancer, vret veten me armën e gjahut

Një tjetër viktimë e vetëflijimit është shënuar në Rrethin e Lushnjës. Këtë herë, në fshatin Gradishtë të Komunës Këmishtaj, rreth 12 kilometra larg qytetit. Ndrekë Petushi, 69 vjeç, i ardhur para disa vitesh në fshatin Gradishtë, ka vendosur t‘i japë fund jetës, duke u vetëvrarë me armën e gjahut. Petushi vuante prej pak kohësh nga kanceri dhe vetëm ditët e fundit kishte mësuar se nuk kishte shpëtim. Duke parë edhe kushtet e vështira ekonomike të familjes, ai ka vendosur të mos i mundojë më familjarët dhe të afërmit, si dhe veten, duke u vetësakrifikuar. Burri ka marrë armën e gjahut, të cilën e kishte me leje dhe në momentin që në banesë nuk kishte njeri, ka vrarë veten. Sipas burimeve zyrtare të Komisariatit të Policisë së Lushnjës, Petushi ka qenë në kushtet e tronditjes së rëndë psikike kur ka marrë vendimin fatal. Familjarët kanë mbërritur në banesë vetëm pak minuta pas ngjarjes nga zhurma e armës, por çdo gjë ka rezultuar e kotë. Ai kishte ndërruar jetë menjëherë dhe dërgimi në spitalin e Lushnjës ka rezultuar i kotë. Grupi hetimor ka nisur hetimin e kësaj ngjarjeje, duke e cilësuar menjëherë si vetëvrasje. Kujtojmë se në Rrethin e Fierit, numri i vetëvrasjeve është jashtëzakonisht i madh. Vetëm në vitin 2008, në këtë qark pati më shumë se 140 raste vetëvrasjesh.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›