Vdes gruaja, familjarët akuza mjekut
BERAT/ DILAVER XHELILI
Vdes nga dhimbja e kokës, familjarët akuzojnë mjekët e spitalit të Beratit për mjekim të gabuar. Viktima është nëna e tre fëmijëve nga fshati Moravë, Mamude Myrteli. Gruaja rome ishte paraqitur të hënën në spitalin e Beratit me një krizë të fortë në kokë. Mjekët e urgjencës i kanë sugjeruar 54-vjeçares për të kryer një kontroll tek specialisti neurolog. Mësohet se ky i fundit i ka matur tensionin dhe pasi i ka dhënë disa ilaçe për të qetësuar dhimbjet, gruaja është larguar për në banesën e saj. Sipas familjarëve, krizat në kokë kanë vijuar gjatë gjithë natës. Sapo është gdhirë, ata e kanë marrë sërish të sëmurën për ta nisur në spital. Nga dhimbjet e forta ajo ishte thuajse pa ndjenja. Të afërmit pohuan se dje në mëngjes ajo kishte edhe temperaturë të lartë dhe dridhje. Por gjatë rrugës 54-vjeçarja ndërroi jetë pa pasur mundësinë të mbërrijë e gjallë tek mjekët. Familjarët e 54-vjeçares Mamude Myrteli, pohuan se gjendja e saj shëndetësore është përkeqësuar së tepërmi gjatë natës, pas përdorimit të medikamenteve të marra një ditë më parë me autorizimin e specialistit neurolog. Bashkëshorti i viktimës, Ylmi Myrteli tregoi se paraditen e së hënës ai e kishte shoqëruar të shoqen në spital për ta vizituar. Pasi kanë mbërritur në urgjencë, mjekët e kanë dërguar të sëmurën tek neurologu. "Specialisti, pasi e pyeti gruan në lidhje me dhimbjet që kishte i mati vetëm tensionin, të cilin e kishte normal. Më pas i dha një recetë me medikamente antimigrenë, pa i bërë gruas asnjë analizë apo ekzaminim në kokë, ku edhe kishte dhimbje shumë të forta", u shpreh Myrteli. Sipas tij, vdekja e së shoqes nuk mund të quhet natyrale sepse askush nuk vdes nga darka në mëngjes vetëm nga dhimbjet e kokës. Ai hodhi dyshimet se vdekja e gruas ka të bëjë direkt me papërgjegjshmërinë e mjekut në ekzaminimin e saj, e rrjedhimisht në dhënien e ilaçeve të gabuara. Nipi i Myrtelit, i cili është edhe kryetari i Shoqatës së Romëve në Berat, Laver Myrteli e lidhi ngjarjen e rëndë që ka ndodhur në familjen e tij me racizmin. Sipas tij, raca e tyre nuk shikohet asnjëherë me përparësi nga mjekët e çdo lloj spitali. Ai përmendi këtu edhe një ngjarje të ndodhur disa muaj më parë ku një fëmijë rom vdiq pasi u pickua nga gjarpri. Sipas tij, fakti që ata janë romë ka bërë që mjeku të mos i kushtojë asnjë rëndësi vizitës së gruas, duke i dhënë thjesht një recetë medikamentesh dhe qetësuesish. Tepër të indinjuar, familjarët e viktimës i janë drejtuar policisë, duke kërkuar të kryhet ekspertiza mjeko-ligjore, e cila do të përcaktojë edhe shkaqet e vërteta të vdekjes së 54-vjeçares Mamude Myrteli.
Drejtori: Presim ekspertizën
Drejtori i Spitalit të Beratit, Shkëlqim Hysaj u shpreh dje se janë duke pritur mjekët ligjorë të vijnë nga Tirana për të kryer edhe ekspertizën në lidhje me shkakun e vdekjes së 54-vjeçares, Mamude Myrteli. Sipas Hysajt, mjeku neurolog e ka vizituar një ditë më parë viktimën, duke shënuar në kartelën e saj mjekësore mjekimin e dhënë antimigrenë dhe qetësues për dhimbjet e forta të kokës. Hysaj sqaroi dje se mjeku që kishte kryer vizitën e Myrtelit nuk ndodhej në spital për arsye të forta familjare, ndërkohë që pohoi se shkaku i vdekjes së 54-vjeçares do të dalë pas përfundimit të ekspertizës së mjekëve ligjorë në morgun e spitalit, ku edhe ndodhet viktima.