E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Pashë njerëzit që rrëmbyen Remziun"

 

Armand Bajrami

Astrit Sula, ish-ekonomist në firmën "Albatros" dëshmoi dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda, "rrëmbimin" e pronarit të kompanisë biznesmenit shqiptaro-maqedonas Rem-zi Hoxha, më 21 tetor 1995. Dëshmia e ekonomistit u administrua në procesin gjyqësor kundër 4 ish-zyrtarëve të SHIK-ut të akuzuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës 14 vite më parë. Sipas dëshmisë para togave zeza të Gjykatës për Krimet e Rënda, Astrit Sula, aktualisht 71 vjeç, ka qenë vetëm pak metra larg, kur persona të panjohur për punonjësit e firmës kishin marrë pronarin e tyre. Mosha e madhe, koha e gjatë nga kur është shënuar ngjarja dhe problemet shëndetësore që kishte pasur dëshmitari më pas, e penguan atë të kujtonte detaje dje nga rrëmbimi i Hoxhës. Ndërsa prokurori i çështjes kërkoi kundërshtimin e dëshmisë dhe leximin e deklarimeve të dhëna nga dëshmitari në vitin 2003, ku ai jepte përshkrim të hollësishëm të automjeteve që morën Remzi Hoxhës dhe të dy personave që më pas kontrolluan automjetin personal të tij. Sula tha se, kishin qenë dy punonjëse të firmës, ato që kishin denoncuar rrëmbimin në polici dhe se kishin pretenduar se pronari i tyre ishte rrëmbyer nga keqbërës me qëllim marrjen e parave. 
RREFIMI
Pasi u "shfajësua" para gjykatës nëse nuk do të kujtonte dot hollësi nga ngjarja e 14 vjetëve më parë, Astrit Sula iu përgjigj pyetjeve të palëve në gjyq. Ai tha se ditën e rrëmbimit të Hoxhës, ai kishte qenë pranë godinës së firmës së tij, në rrugën "Siri Kodra" në kryeqytet. "Unë isha duke bërë një inventar në pjesën e fundit të magazinës. Më thirrën punonjësit e tjerë të firmës. Më thanë që disa persona po grindeshin me Remziun. Shkova me shpejtësi për andej nga më thanë punëtorët. Tek dera gjeta të gjithë punëtorët e ndërmarrjes të mbledhur grumbull. Ata më thanë që 'e morën Remziun'. Pikërisht në këtë moment dëshmitari kishte parë një automjet duke u larguar nga porta e jashtme e oborrit, ndërsa brenda saj ishte edhe Remzi Hoxha. "Ishte një makinë me ngjyrë të errët dhe iku me shpejtësi. Pas saj ishte edhe një makinë tjetër me ngjyrë qumështi. Njëra nga ato e kishte targën TR 2648 C. Për targën unë jam shumë i sigurtë, pasi në kohën qe pashë targën e makinës unë i thashë punëtorëve 'fiksojeni mirë këtë targë', pasi makina iku me shpejtësi dhe pasi dyshoja se personat që morën Remziun ishin të rrezikshëm", kishte pohuar dëshmitari në deklarimet e dhëna në vitin 2003. Të tronditur nga ngjarja dëshmitari kishte shkuar në një bar pranë firmës, ku pas pak minutash ishte lajmëruar se dy persona po kontrollonin makinën personale të Remzi Hoxhës. "Pas rreth gjysmë orë, na njoftuan se kanë ardhur dy persona që po kontrollojnë makinën tip 'Benz' të Remziut. U ngrita nga kafja dhe shkova atje. Pashë që ishin dy persona. Në momentin qe ata ishin pranë makinës, iu afrova njërit prej tyre, ai që ishte më i vjetri dhe i dhashë një cigare. Ky ishte me trup mesatar, rreth 45 vjeç, me një kostum kafe të errët, me flokë normale me ngjyrë të zezë, ndërsa personi tjetër ishte rreth 35 vjeç, i gjatë, i dobët, veshur me pantallona xhinse, me flokë biond të shkurtër. Me këta persona nuk arrita të komunikoj, për arsye se ata u larguan në makinën e tyre, e cila ishte jashtë rrethimit të oborrit, targat nuk i fiksova. Pashë edhe familjarët e Remziut, të cilët erdhën menjëherë. Ndërsa ajo që më kishte bërë përshtypje, nga personat që ishin aty ishte se njëri nga ata, ai më i vjetri, kishte njërin krah më të shkurtër", u citua nga deklarimet e tij.

Policia nuk gjen dëshmitarin,Prokurori: Është në Shqipëri
TIRANE - Përgjigjet zyrtare të kthyera nga Drejtoria e Policisë në lidhje me njoftimin e dëshmitarëve krijuan jo pak konfuzion mes palëve në seancën e djeshme. Përgjigjja e policisë se "dëshmitari Riza Shehu prej 10 vjetësh jeton në Amerikë", hasi në kundërshti të fortë të prokurorit të çështjes Xhevat Hana. "Kemi konfirmim zyrtar, që nga viti 2008 dëshmitari Riza Shehu nuk ka lëvizur nga Shqipëria. Ai është një nga dëshmitarët më kryesorë të kësaj çështjeje. Policia po mashtron", tha prokurori Hana. Por ndërsa kryesuesi i seancës po shpjegonte se gjykata nuk mund të kontrollonte punën e policisë, prokurori Hana i paraqiti gjykatës dokumente zyrtare, ku pasqyroheshin të gjitha hyrje-daljet nga territori i Republikës së Shqipërisë të Riza Shehut. Sipas materialeve të paraqitura rezultonte se Shehu që nga viti 2008 nuk kishte kryer asnjë dalje nga Shqipëria. Në vijim gjykata vendosi ridërgimin e njoftimit për paraqitjen në gjykatë të këtij dëshmitari. Ngjarja për të cilën akuzohen ish-sekretët Arben Sefgjini, Ilir Kumbaro, Budjon Meçe dhe Avni Koldashi është shënuar në vitin 1995. Sipas Prokurorisë për Krimet e Rënda ata akuzohen për rrëmbimin dhe torturimin e Remzi Hoxhës, Ziso Kristopullit dhe Avdyl Loshaj, me pasojë vdekjen e biznesmenit Hoxha.                                          ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›