E Diel, 1 Nëntor 2026

Kukës, kapen 20 pistoleta në autobusin nga Kosova

 

KUKES - Doganierët e Kosovës dhe të Shqipërisë kanë zbuluar në vendkalimin kufitar Vërmicë, pranë Kukësit, 20 pistoleta, në një autobus me targa të Kosovës, i cili po udhëtonte për në Shqipëri. Vetëm disa minuta para mesnatës së të martës oficerët e doganës kanë arritur të bllokojnë në të dalë të Kosovës autobusin, ku gjatë kontrollit janë gjetur të fshehura armët e zjarrit tip "Bereta", që sipas policisë po transportoheshin nga drejtuesi i automjetit, në drejtim të Shqipërisë. Në mediat kosovare është cituar zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, i cili është shprehur se 20 pistoletat janë zbuluar në autobus gjatë një kontrolli rutinë, që kryhet në doganën e Vërmicës. Autobusi me targa të Kosovës po udhëtonte në drejtimin e Shqipërisë dhe policia ka arrestuar drejtuesin e tij, emri i të cilit nuk bëhet i ditur për shkak të hetimeve që kanë nisur paralelisht nga policia kosovare dhe ajo shqiptare. Mësohet se policët kosovarë kanë kërkuar ndihmën e policisë së Kukësit dhe Antitrafiqeve për të zbuluar rrjetin e trafikut të armëve, pasi dyshohet se personi që do i priste pistoletat mund të ketë qenë përtej kufirit, në territorin shqiptar. Armët janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, ndërsa policia po heton këtë trafik armësh për të gjetur dhe për të arrestuar persona të tjerë të implikuar në rrjet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›