E Diel, 1 Nëntor 2026

Shuhet Enzo Bearzot, trajneri i Italisë kampione bote në `82

Ndërroi jetë paraditen e sotme në moshën 83-vjeçare Enzo Bearzot, njeriu që udhëhoqi Italinë drejt fitimit të Kupës së Botës në vitin 1982.
Bearzot lindi në Aielo të Friulit më 27 shtator 1927. Luajti si mesfushor në Serinë B, e më pas te Interi, Katania dhe Torino në Serinë A. Me përfaqësuesen italiane luajti vetëm një ndeshje në 1955-ën. Pas disa përvojave të hershme si trajner, ulet në stolin e kombëtares Axurre U-23, ku qëndron prej vitit 1969 deri në 1975.

Kjo ishte trampolina për në skuadrën e parë, ku, pas dështimit në 1974-ën, ndan stolin me Fulvio Bernardinin deri në 1977-ën. Vazhdimi është historia vetë. Italia merr vendin e katërt në Botërorin e 1978-ës në Argjentinë, falë zgjedhjeve të guximshme të Bearzotit. Të tilla ishin grumbullimi i të rinjve Paolo Rosi dhe Antonio Kabrini.

Pikërisht Rosi, i grumbulluar në “Spanjë `82” pas skualifikimit të famshëm, do të jetë simboli i triumfit Axurr: një sukses i arritur pas eliminimit njëri pas tjetrit të gjigantëve Brazil, Argjentinë dhe Gjermani. Triumf i arritur edhe kundër kritikave të ashpra të mediave italiane, ndaj të cilave Bearzoti “shpiku” heshtjen e shtypit.

Më pak fatlume ecuria e mëtejshme e kampionëve pas `82-shit: katër vjet më pas Italia eliminohet në 8-she nga Franca. Enzo Bearzot dorëhiqet mas 104 ndeshjesh në krye të stolit Axurr. Më tepër nga të gjithë, rekordi i tij vazhdon të mbetet i pathyer edhe sot. 83-vjeçari Bearzot lë pas emra të cilët i zbuloi vetë e që mandej mbetën të paharruar në futbollin italian: Xof, Kolovati, Shirea, Kabrini, Xhentile, Bergomi, Oriali, Konti, Tardeli, Graciani, Rosi, Altobeli e Antonjoni.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›