E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shuhet Sabri Godo, politika kosovare telegram ngushëllimi

PRISHTINË- Autoritete të larta të politikës kosvyre i kanë dërguar një telegram ngushëllimi familjes Godo dhe presidentit të Shqipërisë për humbjen e politikanit dhe shkrimtarit të njohur Sabri Godo.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes Godo dhe Partisë Republikane të Shqipërisë, me rastin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit dhe politikanit, kryetarit të nderit të Partisë Republikane të Shqipërisë, Sabri Godo.
“Në shoqërinë, kulturën dhe politikën shqiptare, Sabri Godo u shqua si një nga personalitetet më kulmore, i cili në gjithë jetën dhe veprimtarinë e tij reflektonte urtësinë, inkurajonte bashkëpunimin, unitetin dhe vendosmërinë për të punuar në të mirë të mbarë kombit shqiptar. Në momentet më të vështira dhe më vendimtare për çlirimin e Kosovës, gjatë luftës çlirimtare të udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, jam dëshmitar i kontributit të çmuar të Sabri Godos në mbështetjen e fuqishme të luftës dhe në unifikimin e faktorit politik shqiptar për t’u vënë në shërbim të plotë të çlirimit të Kosovës”,- thuhet në telegramin e kryeministrit Thaci.

Ndërkohë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i ka dërguar një letër ngushëllimi presidentit të Shqipërisë, Bamir Topi, me rastin e vdekjes së ish deputetit, politikanit, shkrimtarit dhe mikut, Sabri Godo.
“Vdekja e plakut të urtë, Sabri Godo, i cili kontribuoi aq shumë për transformimet demokratike të Shqipërisë dhe për ruajtjen e ekuilibrimeve politike në procese të ndjeshme, është humbje e madhe për politikën e kulturën shqiptare, për familjen e tij dhe miqtë e shumtë që kishte”- thuhet në telegramin e ngushëllimit të kryeparlamentarit të Kosovës.
(el.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›