E Shtunë, 31 Tetor 2026

Teme Sejkua shtatë ditë në arkivol me pistoletë te koka



Jonuz Kuçuku

çfarë ndodhi me Teme Sejkon dhe grupin e çamëve të dënuar në gjyqin e majit të 61-shit, e dinte Braho Emini, ose ndryshe agjenti “Gjoksi”, por ai nuk e tregoi asnjëherë. Në numrin e kaluar botuam kujtimet e studiuesit Jonuz Kuçuku për misteret që fshihte ish zyrtari i lartë i zbulimit të shtetit, i riatdhesuar rishtaz nga misoni i fshetë jashtë shtetit vetëm pak ditë para arrestimit të ish komandantit të Flotës Luftarake Detare dhe bashkëpunëtorëve ët tij. Koha vërtetoi se i famshmi “Gjoksi” nuk kishte pasur lidhje të drejtpërdrejtë me këtë histori, por diçka asokohe flitej se “Gjoksi” kishte depërtuar deri në organet e larta të zbulimeve të huaja, madje deri në oborrin e Mbretit të Greqisë, ku siç pohohej kishte rënë në gjurmë të komplotit të një koloneli shqiptar, që synonte rrëzimin e regjimit në Shqipëri. Pavarësisht cila ishte e vërteta e këtyre pohimeve, ish heroi i sigurimit, përfundoi i braktisur në qytetin e Shkodrës dhe e mbylli jetën me të ardhurat si shitës në një dyqan mishi(!)...
Goditja e Teme Sejko dhe e shumë çamëve të tjerë, pa fakte të vërteta, nuk mund të bëhej duke qenë gjallë Hilmi Seiti. Prandaj siç dyshohej dhe u përfol që në atë kohë, gjeneral Seiti duhej të ishte viktima e parë e të ashtuquajturve “komplotistë”. Në shkrimin “Mbi vdekjen enigmatike të Gjeneral Hilmi Seitit”, Pandeli Permeti, ish-bashkëpunëtor dhe shok i tij, pas një analize të gjerë, pohon: “Partia realizoi humbjen e mistershme të tij”. Ndërsa Vehip Dojaka ka shkruar se “Gjeneral Halim Xhelo, i cili ka vdekur në burgun e Burrelit, më ka treguar se Hilmiun e thirrën në Tiranë dhe i propozuan një lloj kompromisi, një sakrificë të çamëve në interes të atdheut, por ai e kundërshtoi kategorikisht”. (Kombi Nr.5,25 mars 1992). Para disa vitesh e shoqja e Hilmiut, duke më dhënë fotografinë e tij për një shkrim që përgatisja për ta botuar në gazetë, më tha se për të sqaruar vdekjen e dyshimtë të Hilmiut, i kishte kërkuar takim Enver Hoxhës dhe ai e kishte pritur menjëherë. Gjatë bisedës i kishte pohuar se Hilmiun e kishte pasur shok besnik dhe për vdekjen e tij kishte kërkuar t’i paraqisnin sqarime të hollësishme, sipas të cilave, rezultonte se vdekja e tij kishte qenë natyrale. Sakaq Enveri, duke tentuar t’i hiqte çdo fije dyshimi, i ishte përbetuar se për atë dhe fëmijët e Hilmiut Partia kishte detyrime dhe për çdo nevojë t’i drejtohej drejtpërdrejt për ta ndihmuar. Tashmë është plotësisht e qartë si përgatiteshin informacionet zyrtare për të tilla raste dhe si inskenoheshin provat. Gjithsesi, Hilmi Seiti iku papritur nga kjo jetë, duke lënë nga prapa shumë dyshime e dilema...
Fluksi i arrestimeve
Arrestimet e shumta që u bënë në disa rrethe të Shqipërisë tregonin se “komploti”, kishte shtrirje të gjerë. Midis të arrestuarve që u paraqitën të pandehur para gjyqit special, i cili u zhvillua në ish kinemanë e Brigadave, ishin një numër i madh njerëzish të thjeshtë, të cilët më tepër u habitën kur i arrestuan sesa u trembën. Ata që u arrestuan dhe u përpunuan në qelitë e burgut si pjesëtar të “komplotit” ishin nga Konispoli e fshatrat si dhe nga Tirana, Durrësi, Elbasani etj. Ndër të akuzuarit si komplotistë ishin, përveç kryesorëve: Ali Xhelo, Gani Tatari, Rushan Mulaj, Beqo Plaku, Ali Goxhaj, Asllan Veliu, Taip Kaleshi, Mero Plaku, Hajrie Mane, Zalo Goxhaj. Mehmet Hoxha, Luan Goxhaj etj nga Konispoli, Jonuz Purrizo nga Vërva, Haxhi Bilali nga Markati, Hasan Mero nga Pandalejmoni si dhe Dem Osmani, Lutfi Sejko, Shaban Ademi, Skënder Bariu dhe Dervish Sulo, çamë të ardhur në Shqipëri pas gjenocidit të përgjakshëm të monarkofashistëve grekë në 1944. Sakaq në grupin e tyre bënte pjesë edhe Nasho Gërxho dhe pjestarë të tjerë të komunitetit vllah(arumun). Kësisoj u penalizuan rreth 60 vetë të cilët ishin përcaktuar për të nxjerrë dëshmi të rreme, për të vërtetuar veprimtarinë e të pandehurve kryesorë të kryqëzuar si organizatorët e drejtuesit e “Komplotit”. Në të vërtetë arrestimet e shumta jo vetëm i dhanë një shtrirje të gjerë “komplotit”, gjë që e rriste para opinionit rrezikshmërinë e tij, por lehtësuan të nxirren sa më shumë dëshmi për të provuar akuzat. Duke qenë midis të pandehurve pleq, bujq, bari, pa shkollë u bë më e lehtë që ata të pohonin veprime e fakte të paqena. Një nga të dënuarit ka shkruar: “Siç kam mësuar nga kontaktet me të dënuarit që mbetën gjallë nëpër burgje, shumica pa shkollë e të mashtruar nga premtimet e kombinuara me torturat fizike e psikike, pranuan akuzat e sajuara me shpresë se me pohimet do të merrnin fund vuajtjet e ferrit dhe të familjeve të tyre”. çamëria Vatra Amtare Nr.16,1991). Kurse një tjetër i dënuar ka shkruar “Ishte e pamundur t’u rezistoje torturave. Ata që u thyen të parët ndihmuan sigurimin për të ngritur e mbajtur në këmbë atë grehinë mosturioze për të ashtuquajturën veprimtari armiqësore e komplotiste të grupit të Teme Sejkos” (Dielli, 24 dhjetor 1991). Karakteristikë e gjyqit special, që u hap më 15 maj 1961, në Tiranë me shumë bujë, ishte se akuza dhe gjykimi u mbështetën vetëm në pohimet e dëshmitë e disa të pandehurve, pa asnjë lloj prove tjetër. Pranimi qoftë edhe pjesërisht nga disa prej të pandehurve të “krimeve” të pabëra u paraqit si “Mbretëresha e provave”, ku u mbështet akuza e prokurorit dhe pretencë e tij, e cila u pranua nga trupi gjykues, i cili vendosi dënimin me vdekje të tetë të “pandehurve” dhe me burgim 25 vjet të mjaft të tjerëve. Duke nxjerrë me dhunë nga viktimat e tyre pohime të pabesueshme, inskenuesit kishin qëllim të krijohej në opinionin e brendshëm e të jashtëm imazhi i një veprimtarie të rrezikshme. Për ta bërë sa më të plotë këtë imazh duhej që pa tjetër të pandehurit të pohonin vetë ato që i kishin “pranuar” në hetuesi. Krimet e sajuara, të cilat nuk i kishin bërë i detyruan t’i mësonin e t’i përsërisnin që t’i pohonin gjatë procesit gjyqësor. Gjyqi special që u hap në 15-ditëshin e dytë të majit 1961, u shoqërua me një propagandë të gjerë në gazeta, radio, televizion dhe bëri jehonë brenda e jashtë vendit. Skenari i tij fliste hapur se “Lufta e klasave” që zhvillohej edhe brenda partisë ishte ashpërsuar shumë dhe kalohej nga frikësimi në shfarosjen e të ashtuquajturve “armiq të partisë”, “armiq të popullit” “spiunë”. “sabotatorë”, “vegla” e “shërbëtorë” të imperializmit e revizionistëve modern. Aq sa nga opinioni i brëndshëm, gjyqi farsë i Teme Sejkos, u ndoq me mosbesim edhe nga opinioni i jashtëm
Zhvillimi i gjyqit dy javor u prit me frikë brenda vendit, si dhe me mosbesim. I pari që u shpreh skeptik për vërtetësinë e akuzave ishte Gomulka, drejtuesi i partisë së Polonisë, i cili rekomandoi të sillte në Shqipëri një komision hetimi nga Traktati i Varshavës, për të parë në vend si qëndronte e vërteta.
DëSHMI Të SAJUARA
Ndonëse sipas kodit të Procedurës Penale në fuqi nuk përbënte provë pohimi i bërë nën ndikimin e mashtrimit dhe të kërcënimit, në rastin e procesit të Teme Sejkos dhe bashkëpunëtorëve të tij, u operua krejësisht në kundërshtim me këtë detyrim ligjor. Ai ishte një proces nga më tipikët që nuk u zbatua asnjë rregull procedural, ku akuza e prokurorit dukej se ishte bërë bashkë me hetuesit për të zbatuar skenarin e montuar, ku trupi gjykues as që mund të shtronte për diskutim çështjen e vlerësimit të drejtë apo jo të provave të mbledhura nga seancat e hetimeve. I dënuari Gani Tatari ka shkruar se: “Më ballafaquan me Ali Xhelon që ishte katandisur sa një shtëllungë e zezë dhe mezi qëndronte në këmbë nga torturat që e kishin thyer, ai pohoi se Ganiu është agjent i grekut dhe këtë e kishte mësuar nga Izet Osmani “ I ashtuquajturi ‘Krishti çam”, burri nga Konispoli i penalizuar i pandehur në gjyqin e Sejkos”. Ishte fare e qartë për trupin gjykues të konstatonte se dëshmitë e të pandehurve nuk ishin të tyre, por të atyre që i kishin detyruar me metoda të paligjshme. I pandehuri Ali Xhelo, vëlla dëshmori i cili ishte i lidhur ngushtë me partinë e pushtetin dhe punonte me përkushtim e ndershmërisht si drejtues i Kooperativës Bujqësore të Konispolit, kishte pranuar gjithçka i kishin diktuar me dhunë, por në sallën e gjyqit nuk arriti të pohonte pasi u rrezua përtokë, se kishte rënduar padrejtësisht të tjerë të pafajshëm. Sidoqoftëë pohimet e tij i përdori prokurori për të goditur të pandehurit dhe vet Aliun, i cili u dënua me pushkatim. Konispolati tjetër Ali Goxhaj u çmend në hetuesi dhe nuk mundën ta nxirrnin në gjyq. Kur flet për tmerret që ka përjetuar në hetuesi Aliu, bërtet me zë të lart: “Gjithçka ishte shpikje. Na torturuan çnjerëzisht. Edhe thonjtë më ranë nga rrahjet.” Aliun e gjorë e kishin arrestuar befasisht, i kishin hedhur një thes në kokë dhe për ditë të tëra e torturuan në qelitë e errta. Dhuna ishte aq e tmerrshme sa Aliu u çmend në burg. Ashtu i çmendur e i sfilitur Aliu bëri 25 vjet burg. Plaku Jonuz Purrizo u detyrua të pohonte gjithçka i duhej hetuesit se e thyen me dhunë e mashtrime duke i premtuar se do të shpëtonte me një dënim të lehtë. Siç u ka treguar bashkëvuajtësve të tij, ai u mposht, u zhgënjye dhe mallkoi veten kur u dënua rëndë. Kurse plaku tjetër Nasho Gërxho la amanet që të thuhej se të gjitha dëshmitë e tij për Teme Sejkon që nuk e kishte njohur kurrë, ishin marrë nën torturë e presion psikologjik. Gjithsesi, ata që mundën të mbijetojnë nga dënimet e atij gjyqi, i kaluan ditën në liri me ndërgjegje të vrarë dhe vdiqën me marazin e madh për dëshmitë e rreme që ua morën nën dhunë.
çuditë e atij gjyqi janë të shumta, pasi i ashtuquajturi komplot ishte montuar fund e krye në mashtrime e gënjeshtra. Ndodhi që Taho Sejkon nuk e nxorën në gjyq dhe u përhap fjala se “ka vrarë veten duke i rënë murit me kokë”. Më pas u tha se “ishte çmendur”. Por pak kohë pas gjyqit u muar vesh se i “çmenduri” Taho Sejko u shërua, ashtu siç ishte ngjallur Izet Osmani “Krishti çam”. Tahua u deklarua fajtor dhe u pushkatua. Edhe Shaban Ademi nuk u nxor në gjyq, por siç u tha u gjykua me dyer të mbyllura dhe u pushkatua. Ai ishte një gjyq special i organizuar për t’i shërbyer situatës politike dhe qëllimeve kriminale nga ata që e kishin montuar të ashtuquajturin komplot, dhe jo për të provuar fajësinë me prova të vërteta. Taip Kaleshi provoi se banesa ku sipas akuzës gjoja ishte bërë mbledhja e komplotistëve në Konispol, në atë kohë ishte në dorëzim të shtetit dhe nuk ka qenë e blerë prej tij. Pavarësisht se këtë fakt e provoi zyrtarisht, ankesa e tij nuk u pranua, por u dënua madje rëndë dhe vdiq pak kohë pas lirimit nga burgu. Me akuza false si poliagjent në shërbim të amerikanëve, grekëve e jugosllavëve, si vazhdim i grupit të Teme Sejkos, u arrestua, u gjykua e u dënua Luan Goxhaj, pas një viti nga gjyqi special i majit 61. Gjatë 30 vjetëve ai paraqiti prova për falsitetin e akuzave, por kërkesat iu refuzuan. Në kujtimet e tij ai ka pohuar: “njoha hetime e gjykime të egra e arbitrare, ngjallje të vdekurish dhe vdekje të gjallësh” (çamëria nr.16-1991). Duke kombinuar torturat fizike e psikike në presionin e leksioneve u nxorën pohime false e absurde nga disa, të cilët të mashtruar shpresuan të shpëtonin nga vuajtjet vetë familjet, por u dëmtuan më keq.
TEME SEJKO, DITët
e tmerrit ne qeli
Teme Sejkua u paraqit në gjyq gjakftohtë dhe në pjesën më të madhe pranoi akuzat e bëra nga prokurori i çështjes. Ish-oficeri i Sigurimit të Shtetit, Strati Papai, me të cilin jam njohur që në kohën e luftës, pak kohë se të ndërronte jetë, më ka deklaruar mua dhe Mustafa Qilimit se :”Teme Sejko në një rast është mbajtur brenda në arkivol pesë ditë e netë me pistoletë te koka” Zëra që u përhapën në atë kohë thanë se Teme Sejko pohoi para gjyqit pjesë të akuzës me kërkesën e drejtpërdrejtë të Enver Hoxhës, për të demaskuar imperializmin e revizionizmin. U fol në atë kohë por dhe më vonë, se Teme Sejkos i ishte premtuar se pas përfundimit të këtij procesi do ta nxirrnin jashtë familjarisht, duke i siguruar jetën. Sidoqoftë, qëndrimi i Temë Sejkos në gjyq ishte dhe mbetet një enigmë që u varros bashkë me të. Veçse ata që e kanë njohur atë në luftë e deri sa u arrestua, nuk e kanë besuar kurrë tradhëtinë e këtij njeriu trim, guximtar, i ndershëm, dhe i papërkulur. Atëherë pse e pranoi qetësisht etipetin armik, agjent i shërbimeve sekrete të Greqisë, Jugosllavisë e Amerikës.?! Nuk duhet përjashtuar, se duke u vënë para një rreziku të madh nga kurthi i përgatitur dhe nga dëshmitë e montuara, Teme Sejko mund të ketë viktimë e premtimeve që i ajën bërë para se të delte në gjyq. Nga ana tjetër Teme Sejko duhet të ketë qenë në depresion të thellë, i hipnotizuar dhe i çorientuar nga torturat e metodat e ndryshme për ta bërë që të pranonte e të pohonte akuza të paqena që i ishin imponuar, t’i mësonte përmendësh e t’i fliste pa u menduar për pasojat. Teme Sejko ishte kuadri i lartë nga më të kulturuarit e më të specializuarit e ushtrisë që u bë pre e veprimtarisë kriminale të organeve të shtetit për të cilin ai kishte dhënë kontribut të madh.
vijon nesër...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›