Tërmeti “Bojaxhi” në Ksamil, një histori e gabuar shkatërrimi
Nga i dërguari ynë,Ferdinand Dervishi
“Mirë se erdhët në Kandahar!” Banorët e Ksamilit, perlës ekskluzive të turizmit shqiptar, e shoqërojnë këtë urim hipokrit, me një lëvizje qarkuese të gishtit tregues mbi gërmadha.Gishti shënjon në ajër në të katër anët godina shumëkatëshe të këputura nga këmbët dhe të rrëzuara, në shumë raste vetëm të shtrembëruara, si një tablo surealiste. Ndërsa pamjen e plotë të Kandaharit mund ta vëzhgojë shumëkush që kthehet nga vizita në qytetin antik të Butrintit.
Me motivin e prishjes së ndërtimeve pa leje, në prag të sezonit turistik, në fillim fare të tij, mes datave 24 maj dhe 3 qershor, një ushtri laramane e udhëhequr nga Gjergji Bojaxhi, kreu i ri i Inspektoratit Kombëtar të Ndërtimit, e përbërë nga punonjës, fadroma, furgonë policie të mbushur me specialë të armatosur deri në dhëmbë, pushtoi e shkretoi Ksamilin. Sot, gati një muaj më pas, nëpër lokalet e mbetura në këmbë të këtij fshati transmetohet non-stop një dokumentar me titull “10 ditët që përmbysën Ksamilin”, me filmime live të aksionit shkatërrues të Bojaxhiut, ndërsa bisedat e banorëve, përmes ringjalljes së ndjenjave të revoltës shkaktuar nga pamjet në ekran, sillen e mbeten gjithë kohën në detajet e kësaj ngjarjeje të pazakontë. Mes bisedave rrëfehet edhe për dy gra që u lyen me benzinë për t’u djegur para shtëpisë së rrethuar nga fadromat, të cilat policia i shpëtoi në momentin e fundit, edhe për një plak, xha Vezirin, që tentoi të hidhej nga kati i katërt, për fëmijë, gra e pleq të nxjerrë forcërisht nga banesat e tyre, të njëjtët reagojnë pas batutës së regjistruar të Gani Selmanit, lëshuar teksa zalisej përtokë: “Dhëmbët m’i mori Enveri, këta më morën gjakun”, flasin edhe për shumë të tjerë që shkuan në spital me ndjenja të humbura.
Shteti dhe ksamiljotët
“Shteti na lejoi të ndërtonim. I kishte ndërtimet tona para sysh për muaj e vite me radhë, por në asnjë rast nuk erdhi të na ndalonte, të na i prishte që kur nisëm themelet. Në Ksamil të gjitha ndërtimet e reja, filluar që nga 1992, pa leje janë, por morën në qafë më fukarenjtë”, rrëfen i revoltuar Nevruz Lame, të cilit ushtria e Bojaxhiut i ka hedhur përtokë një ndërtesë trekatëshe që gjendej mbi sipërfaqe në proces legalizimi.
Nevruzi është një nga banorët më të vjetër të fshatit, që është themeluar në vitin 1970 me banorë të ardhur nga disa vise të Shqipërisë, kryesisht nga Tepelena, por edhe Kukësi. Për rrjedhojë ata, shtëpitë e vjetra, por edhe ato të reja, i kanë ndërtuar në tokat e shtetit. Në vitin 1991 Ksamili kishte vetëm 428 familje dhe rreth 1900 banorë. Pikërisht në këtë kohë shteti, ende i drejtuar nga komunistët, përjashtoi vetëm dy zona, Ksamilin dhe Orikumin, nga fuqia e veprimit të ligjit të famshëm nr: 7501 të datës 19.07.1991 “Për tokën”, që realizoi dhënien në pronësi të banorëve të fshatrave, në gjithë vendin, të ngastrave të vogla të tokës. Gjithsesi, me guximin që karakterizon shqiptarët, ksamiljotët nisën të ndërtonin ambiente, kryesisht me drejtim turistik, por edhe për banim, qoftë në bahçet e tyre, qoftë përmbi sipërfaqet e banesave të vjetra, qoftë në truallin e shtetit. Me kalimin e viteve shteti, i evoluar në vetvete, për habi pothuaj nuk ndërhyri duke bërë që Ksamili të shndërrohej në një kantier të madh ndërtimi. Kështu, ngjitur në vitin modern 2010 fshati ka kapur përmasat e një qyteti dhe banohet nga rreth 1700 familje dhe rreth 12 mijë banorë. Ndërsa pushteti vendor, komuna, është kujdesur të parcelizojë zonën, të ndërtojë rrugë komunikimi, të sistemojë energjinë dhe ujin e pijshëm për të gjithë, edhe për të ligjshmit, edhe për të paligjshmit. Kështu u mbërrit deri në epokën e legalizimeve të ndërtimeve pa leje dhe përpilimin e hartave dixhitale, që do të stoponin këtë boom ndërtimesh. Por... ksamiljotët duket nuk e kishin besuar përrallën e prishjes së ndërtimeve pa leje. Sepse që nga 1992 ato vetëm ishin lartuar dhe shteti, vazhdimisht, deri para zgjedhjeve të 2009, kishte premtuar zgjidhje të problemeve të tyre, madje edhe dhënien për çdo familje të një trualli nga 300 deri në 750 metër/katror, si kompensim për mosfunksionimin në këtë zonë të ligjit 7501. Një premtim i nxjerrë në mes të fshatit, për herë të fundit, pak ditë para zgjedhjeve të përgjithshme, nga goja e Kryeministrit Sali Berisha.
Bojaxhiu, provat e selektimit
Fadromat e Bojaxhiut, shoqëruar nga një ushtri e madhe policësh mbërritën në Ksamil më 24 maj. Dhjetë ditë më parë banorët, ndërtimet e të cilëve ishin bërë pas fotografimit të zonës në tetor 2007, kishin gjetur poshtë derës një fletë pa gjenealitetet e marrësit, që dënonte me vdekje ndërtimet e tyre të reja. Një total i përbërë nga 280 godina pa leje. Më e fundit goditje e shtetit në këtë zonë ishte shënuar më 6 mars 2009, ku në mënyrë selektive ishin prishur 7-8 objekte te zona e quajtur e Baxhos si dhe 3-4 objekte të zonës së Parkut të Butrintit. Kështu që sërish banorët nuk e morën seriozisht këtë shfaqje të radhës së forcës së shtetit. Ata nuk kishin si ta dinin se Gjergji Bojaxhiu, kreu i sapoemëruar Inspektoriatit Kombëtar të Ndërtimit, e kishte marrë shumë seriozisht. Për shkak të profilit pozitiv të krijuar në krye të KESH (Korporata Energjitike Shqiptare), të gjitha palët e politikës, por edhe mediat, duket e kishin krehur me vlerësime pozitive Bojaxhiun menjëherë pas emërimit. “Me pinca në dorë zoti Bojaxhi bëri shumë punë, ndërsa me buldozerë do të bëjë akoma më shumë” ishin pak a shumë fjalët e ministrit të Transporteve, Sokol Olldashi, gjatë prezantimit të Bojaxhiut në detyrën e re.
Ndërsa vetë Bojaxhiu, nisjen e shkatërrimit të ndërtimeve të paligjshme në prag të sezonit turistik në Ksamil, më saktë atyre të bëra pas vitit 2007, e konsideronte një rastësi. Justifikimi “përse në këtë zonë” dalë nga goja e tij, ishte pak si shumë i turbullt: “...Ksamili është një zonë e veçantë, ku veç palëve të prekura direkt nga ndërtimet pa leje, siç janë banorët, ka shumë aktorë të tjerë të interesuar në këtë proces, si pushteti lokal. Nga ana tjetër Ksamili është një zonë e veçantë arkeologjike pranë qytetit antik të Butrintit. Veç kësaj, Ksamili është një zonë shumë heterogjene, me banorë që kanë ardhur që nga Skrapari e deri nga Malësia e Madhe...”, ishte deklarata e tij për një media opozitare. Pra, shumëkush pas këtij deklarimi mund të ndalet me dyshim pas frazave “Ksamili është një zonë e veçantë arkeologjike pranë Butrintit” dhe “Ksamili është një zonë shumë heterogjene, me banorë që kanë ardhur që nga Skrapari e deri...”, sepse të paktën kjo e fundit duket krejt e pakuptimtë.
“Ditët e para Bojaxhiu nuk pyeti askënd. Prishi të gjitha sa kishte në plan, por me kalimin e kohës duket u lodh nga ndërhyrjet dhe kështu nisi edhe selektiviteti”, rrëfen një nga banorët, që nuk përton të të shoqërojë për të fotografuar këto prova selektiviteti. Ai të rrëfen me dorë një ndërtesë buzë rrugës, së cilës fadromat e Bojaxhiut i kanë bërë vetëm një vrimë në katin e dytë dhe pak më tej edhe një tjetër, që edhe pse e shënuar me kryq të kuq, nuk është prekur fare. Në fakt banesa të tilla, vetëm të shënuara me kryqe, apo të goditura paksa nga fadromat, ka gjithandej. “Shpëtuan rreth 80 të tilla, por do të prishen në shtator apo tetor, pas sezonit turistik”, përsërisin banorët justifikimin e dëgjuar nga goja e Bojaxhiut, pa nguruar të shtojnë në vijim të kësaj ligjërate edhe lajmin më të ri: “Menjëherë pas largimit të fadromave dhe Bojaxhiut, në fshat ia kanë behur mashtruesit. Kërkojnë që ne të paguajmë duke dhënë garanci se nuk do të na prishen ndërtesat, duke u munduar të na bindin se kanë miqësi me Bojaxhiun, apo edhe ministra e më tej”.
Të dhunuarit
Ndërsa historitë personale të të dëmtuarve nga shteti janë nga më të dhimbshmet. “Ndjehemi të dhunuar nga shteti ynë”, thotë Dashamir Daci, një emigrant në Greqi, duart e të cilit, me kallo që mund të maten me centimetra, tashmë lëshohen si të këputura në krahët e karriges. Dhe në fakt historia e Dashamirit duket të jetë nga më ekstremet. Ai është lindur e rritur në Ksamil. Për gati 20 vjet ka punuar në Greqi në punë të rëndomta dhe më në fund, duke parë të tjerët që ndërtonin e ndërtonin, vendos të provojë edhe ai. “Ndërtesën e re e bëra mbi atë të vjetrën, ku isha rritur, që e prisha. Aty hodha të gjitha të hollat e punës si skllav në Greqi. I kisha grumbulluar ato lekë edhe i pangrënë, edhe i papirë, si klandestin. Vetëm në vitin 2000 u bëra me dokumente. S’më erdhi askush nga komuna të më thoshte: Mos e bëj! Madje në komunë më thanë ta bëja ndërtesën 3 plus 1 katëshe. Erdhën bënë edhe gentplanin e energjisë dhe të ujit të pijshëm. Nisa të paguaja edhe taksa për pushtetin lokal. Dhe një ditë të bukur vjen shteti, duke të mbajtur me policë, të kthen në gërmadha gjithë sa ke. Edhe katin e parë, që nuk kalonte përmasat e sipërfaqes së vjetër të shtëpisë, e shkatërruan. Kështu që tashmë unë jam një i pastrehë, sepse më kanë prishur edhe shtëpinë e vjetër. Nuk e kuptojmë sjelljen e këtij shteti. Sepse shteti, kur bie tërmet, përpiqet të strehojë popullatën, kurse neve na nxori jashtë më përdhunë, me fëmijë e me pleq, na prishi shtëpitë dhe na la në rrugë të madhe, pa asnjë ndihmë”, përmbyll Dashamiri duke rrotulluar nëpër gishtërinjtë gjigantë një fotografi të godinës së tij të shkatërruar.
Ligji i shtrembëruar
Në fakt në Ksamil rasti i Dashamir Dacit është një ndër të shumtët të ngjashëm. Sepse furia e shembjes së ndërtimeve të bëra pas vitit 2007 nuk ka kursyer as ndërtesat e bëra përmbi ato të vjetra, që nuk bien ndesh me ligjin më të fundit, të kaluar në Parlament, nr. 10078, datë 16.2.2009, që thotë saktësisht se “...për ndërtimet e kryera pa leje nga pronarët në pronën e tyre, kur plotësohen kushtet urbanistike, KRRT vendos për legalizimin e ndërtimit me kushtin e detyrimit të pagesës së gjobës të barabartë me 10 për qind të vlerës së investimit të realizuar, ndërsa për shtëpitë e banimit 4 për qind të kësaj vlere”.
Për më tepër i njëjti ligj thotë se ndërtimet e paligjshme prishen vetëm në rastet kur “pengojnë realizimin e studimeve të miratuara të çdo niveli që janë në fuqi” si dhe kur “përbëjnë rrezik për mjedisin apo kanë zënë territoret publike”. Por një vëzhgues, qoftë edhe fare i rëndomtë, mund të shohë se të paktën në Ksamil kjo pjesë e ligjit nuk është zbatuar. Pasi shumë ndërtesa, tashmë të shkatërruara nga fadromat e Bojaxhiut, janë në radhë me ndërtesa të tjera, në harmoni të plotë me mjedisin dhe territorin publik si dhe nuk pengojnë as rrugë, apo ndonjë tjetër projekt. Thjesht ato janë dënuar me vdekje sepse janë ndërtuar pas vitit 2007, mbase për faktin e vetëm sepse pronarët e tyre nuk kanë pasur mundësi financiare më parë. Apo thënë ndryshe, në një pjesë të mirë të rasteve, kanë qenë më të varfër se pjesa tjetër.
Kjo është panorama e Ksamilit, ndërkohë që sezoni turistik ka nisur. Një qytet i ngjashëm me atë ku ka lënë pasojat e veta një tërmet i shkallës më të lartë të magnitudës, që ka hedhur përtokë edhe ndërtime super të forta, të derdhura në beton. Por përkundër rasteve të ngjashme, pas këtij tërmeti banorët nuk janë ndihmuar nga shteti. As ata të nxjerrë jashtë me përdhunë nga shtëpitë me kuç e me maç dhe të lënë në qiell të hapur. Dhe një fenomen i tillë ka shumë të ngjarë të përsëritet, përderisa shteti u jep personazheve të ndryshëm fuqi të pakontrolluar për të shkatërruar duke shkelur edhe ligjet, edhe procedurat e dërgimit të çështjeve në gjykatë, duke fundosur njëmijë pash nën dhe’, pa u menduar dy herë, mundin e një jete të tërë të njerëzve të një kombi, të një race, të një fati. Mundin e një jete të tërë duke u shërbyer fqinjëve si kafshë pune me qëllimin e ëndërruar që pas vitit 1990, për një jetë më të mirë. Të shkatërrosh në një kohë kur shteti që ti përfaqëson i ka lejuar vetë këta njerëz të ndërtojnë, pafundësisht. I ka ushqyer vetë me këtë ndjenjë guximi. Duke konsumuar kështu edhe ai vetë një vepër kriminale, atë të mosfunksionimit përballë taksapaguesve. Pasi të paktën shteti duhet të ndërhynte e t’ua prishte këto banesa që në themel, duke i sqaruar njëherë e mirë se ata nuk mund të ndërtonin dhe se këtë radhë shteti për herë të parë e kishte seriozisht. Por shteti këtë nuk e bëri, përkundër, u la banorëve të kuptonin, apo edhe u foli në vesh, që të vazhdonin të ndërtonin, duke i futur në kurth. Një kurth që për fat të keq shoqërohet me zgjedhje të gabuar, duke ngarkuar për realizimin e tij, njerëz të formatit të ngjashëm me atë të kalit, sytë e të cilit kufizohen, që të shohin vetëm në një drejtim: Përpara.
Një oficer i marinës nuk duroi rrëzimin e shtëpisë trikatëshe
Vlorë, fadromat sulmuan në mes të natës, priten me plumba
Vlore – “Erdhën në orën 3 e gjysmë të natës dhe nisën të shkatërronin, sikur të ishin jashtëtokësorë”. Kjo është fjalia e parë e banorëve të një lagjeje të re në Pyllin e Sodës në Vlorë, kur pyeten për aksionin e ndërtimorëve në këtë zonë. Më 18 qershor, që pa gdhirë, aksioni numër 2 i madh i inspektoratit të Gjergji Bojaxhiut mbërriti në Pyllin e Sodës, në Vlorë. Fillimisht, vala më e fortë përfshiu një lagje të re të banuar, por këtu u regjistrua një incident i rëndë. M. Xholi, një oficer marine, që nuk duroi dot të shikojë se si shembej para syve ndërtesa trikatëshe në pronësi të tij, nxori pistoletën dhe qëlloi, për fat të mirë pa bërë ndonjë dëm. Dhe ndërsa kjo ngjarje u preu hovin aksioneve të shtetit për ndërtimet pa leje, banorët e zonës rrëfejnë sërish histori paligjshëmrie.
“Ja, këtë ndërtesën këtu e shembën edhe pse ishte e legalizuar. Thjesht sepse i zoti nuk u gjend. Ndërsa këtë tjetrën e shkatërruan me gjithë plaçka, pasi asnjë nga familjarët nuk gjendej, sepse kishin ikur në një rast vdekjeje. Ndërsa tek ajo tjetra, policia nxori me përdhunë, duke e mbajtur hopa, një plakë që nuk donte të dilte”, rrëfen Hëna, një banore e lagjes. Në vazhdim të të njëjtit aksion, ndërtimorët kanë pastruar edhe lokalet provizore në breg të detit, pa bërë përjashtim edhe për ata që ishin brenda në pyll. Një veprim pozitiv, mbase i vetmi, por që gjithsesi ka një të metë. Në fillim të këtij sezoni turistik, kjo zonë praktikisht do të ketë det, bregdet ranor, vend për parkim, por jo shërbim ushqimi. Shteti ndërkohë ka nisur të sistemojë plazhin dhe njëkohësisht një vend për parkimin e mjeteve, ndërkohë që të pyetur, punonjësit nuk dinë të thonë asgjë për mundësinë e plazhistëve për të pasur shërbimin e ushqimit gjatë këtij sezoni turistik.