Shuhet vullkani në Islandë, probleme në aeroportet gjermane
Avujt e vullkanit Grimsvoetn në Islandë, reja e të cilit ka shkaktuar probleme në trafikun ajror të Europës Veriore, kanë reshtur. Sipas meteorologëve, aktiviteti i vullkanit ka përfunduar, por fluturimet në Gjermaninë Veriore mbeten pezull, pasi reja e hirit vullkanik qëndron ende mbi këtë vend. Aeroportet e Hamburgut dhe Bremës, në veri të Gjermanisë, kanë mbetur të mbyllur për disa orë përpara se të rihapen, ndërsa ato Berlinit dhe Hanoverit qëndruan të bllokuara deri pasdite vonë për të gjitha fluturimet hyrëse dhe dalëse. Eurokontrolli parashikoi anulimin e rreth 700 fluturimeve në Gjermani. Në aeroportet e Frankfurtit, Duseldorfit dhe Monakos nuk ka pasur probleme. Pritet që reja të ketë ndikime në trafikun ajror sot në Poloni.