E Diel, 1 Nëntor 2026

Shuhet zjarri në Dajt pasi u dogj mali

“Falë ndërhyrjes së bërë nga forcat ushtarake, por edhe falë bashkëpunimit mjaft të ngushtë, midis këtyre të fundit me përfaqësuesit e pushtetit lokal, atij qëndror, shërbimit zjarrëfikës (PMZSH) dhe shërbimit pyjor, situata e zjarrit në fshatin Priskë e Madhe është vënë nën kontroll dhe ajo nuk përbën më një rrezik për Parkun Kombëtar të Dajtit”, thekson Qendra e Bashkuar Operacionale e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. 

Të njëjtat burime, bëjnë me dije se gjatë ditës së sotme, në vendngjarje ndodhen 80 forca ushtarake nga batalioni Komando i Forcave Tokësore, si dhe 5 mjete transporti të tipit “Iveko” dhe “Sterio”. Operacioni i forcave ushtarake për shuarjen e zjarrit në kurorën e gjelbër të malit të Dajtit, ka nisur që nga dita e mërkurë e kësaj jave, ndërsa po vazhdon puna për shuarjen e tij.

 Burime pranë Qendrës së Bashkuar Operacionale, në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, konfirmojnë gjithashtu se, situata e zjarreve që ka përfshirë vendin tonë gjatë këtyre ditëve është vënë nën kontroll në pjesën më të madhe të zonave që janë prekur nga zjarret. Madje, edhe zjarri që ka përfshirë mëngjesin e sotëm Komunën Vig-Mnelë të qytetit të Shkodrës, është lokalizuar dhe vënë në kontroll. Kërkesa e bërë nga Shtabi i Emergjencave Civile në Shkodër dhe e përfaqësuesve të pushtetit lokal të këtij qyteti, (gjatë ditës së sotme) bëri që FA të angazhojnë 30 forca ushtarake dhe 1 mjet i tipit “Iveko”, nga Batalioni i Këmbësorisë Malore, Vau i Dejës, Shkodër, duke e çuar në këtë mënyrë 110 numrin e efektivëve ushtarakë që janë përfshirë gjatë kësaj fundjave në operacionet për shuarjen e zjarreve.

Që nga muaji korrik i këtij viti, periudhë kjo kur vendi ynë është përfshirë nga zjarret, e deri në ditën e sotme, Forcat e Armatosura Shqiptare janë angazhuar totalisht për t’u ardhur në ndihmë institucioneve qendrore dhe pushteteve lokale të zonave të ndryshme, me qëllim kapërcimin e kësaj situate me pasoja sa më të vogla për vendin tonë.

Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm, kanë vënë në dispozicion të gjitha asetet dhe resurset e Forcave të Armatosura, ndërsa janë të gatshme dhe garantojnë se do të vijojnë të mbështesin, ndihmojnë dhe të kontribuojnë në çdo rast që do të jetë e nevojshme, duke përmbushur në këtë mënyrë të gjitha detyrimet dhe obligimet që i ngarkon ligji dhe Kushtetuta. Qeveria e Shqipërisë, Ministri i Mbrojtjes, dhe Shtabi i Përgjithshëm i FA, kanë përcaktuar realizimin brenda standardeve dhe me cilësi të lartë të të gjitha hallkave të funksionimit të FA, pjesë kryesore e së cilës është edhe përballimi me sukses i sfidave dhe vështirësive i operacioneve luftarake dhe ai i operacioneve të emergjencave civile. /Start/

                                                                                             2012-08-18 15:27
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›