E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja në prani të policisë në Elbasan, gjykata lë në burg dy efektivët roje

Elbasan- Tre ditë pasi dy persona u ekzekutuan në banesën e tyre, edhe pse kjo ruhej nga policia, Gjykata e Elbasanit ka dhënë sot masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për shpërdorim detyre për dy efektivët Neshat Budani dhe Sami Serstila që më 15 Gusht po bënin roje jashtë banesës së Gentjan Beqirit.

Edhe pse i ruajtur nga policë, ndërsa ndodhej në arrest shtëpie, një 40-vjeçar është vrarë pikërisht në shtëpinë e tij, ndërsa dy policë qëndronin tek dera për ta ruajtur.

Gentian Beqiraj, ishte vënë nën akuzë për pjesëmarrje në vrasjen e një biznesmeni, Sokol Çapja, ndodhur disa vite më parë në këtë qytet. Ai kishte marrë një plumb në shpatull gjatë ngjarjes dhe gjykata e kishte caktuar masën e sigurisë arrest shtëpie, të ruajtur me policë. Gjatë kohës së implikimit në këtë vrasje, ai kishte ndryshuar edhe emrin në Ardian Metaj.

Por paraditen e 15 Gushtit, disa persona kanë ngjitur shkallët e pallatit ku jetonte Beqiraj bashkë me të atin, në bllokun e banimit pranë Sportit të Vjetër. Ata i kanë thënë patrullës së policëve, që përgjigjeshin për ruajtjen e tij, se ishin shokë të Beqirajt dhe derën ua ka hapur pikërisht i ati. Sapo kanë hyrë brenda ata e kanë ekzekutuar Gentianin me armë me silenciator dhe janë larguar.

Familja e viktimës dhe konkretisht nëna, ka akuzuar njerëzit e ish-biznesmenit Çapja, për vrasjen e të cilit dyshohej Gentiani. Ndërkohë që policiët Neshat Budani dhe Sami Serstila janë ndaluar në komisariat për të shkak se ata ishin përgjergjës për sigurimin e të arrestuarit në shtëpi. Teksa për të riun e vrarë prokuroria kishte kërkuar 40-vjet heqje lirie për vrasjen e biznesmenit kurse gjykata e kishte çuar dy herë çështjen për gjykim.

Një ditë më vonë policia bëri me dije se në pranga janë vënë, si të dyshuarit e vrasjes së 38-vjeçarit Gentjan Beqiri, shtetasit: Arben Jaçe, vjeç 31, lindur ne Përmet dhe banues në Tiranë, i dyshuar për vrasjen e shtetasit Roland Rexhepi në vitin 2009;  Florenc Çapja, vjeç 31, lindur dhe banues ne Elbasan, i dyshuar për tentativë vrasje ndaj shtetasit F.M, në vitin 2006.

Më pas ekspertiza tregoi se babai i Gentian Beqirit, i ekzekutuar dje në banesën e tij, nuk ka vdekur nga infarkti, por nga dhuna e ushtruar nga ekzekutorët e të birit. Fillimisht u dyshua se i ati i Gentian Beqirit humbi jetën nga infarkti në spital ku u dërgua në gjendje kome. Ndërkohë që prokuroria e Elbasanit ka hedhur poshtë këtë pistë duke deklaruar se ai është vrarë nga të njëjtat duar që i morën jetën të birit në sy të tij.

Ditën e djeshme familja Capja ka reaguar përmes një letre të hapur drejtuar presidentit Bujar Nishani, kryeministrit Sali Berisha, ambasadorit amerikan Aleksandër Arvizu, kryeprokurores Ina Rama dhe medias ku shprehet se Florent Capja, i dyshuar për vrasjen së 35-vjeçarit, 48 orë përpara ngjarjes, ka qenë në Maqedoni.

/IDEA/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›