Shuhet "zonja Robinson"
09/06/2005 Aktorja e famshme amerikane Anne Bancroft, e paharrueshmja znj.Robinson, në filmin që bëri epokë "I diplomuari", u nda dy ditë më parë nga jeta, në moshën 73-vjeçare. Lajmi u bë i ditur nga zëdhënësi i bashkëshortit të saj, Mel Brouks. Aktorja vdiq si rezultat i një kanceri në mitër, në spitalin "Oros Sina", të Nju-Jorkut. Në karrierën e saj të gjatë, Bancroft fitoi në vitin 1963 çmimin "Oscar", si edhe u kandidua pesë herë për këtë çmim prestigjioz. "Po përpiqeni të më joshni? Znj.Robinson, po përpiqeni të më joshni, apo jo?". Bëhet fjalë për një nga frazat më të famshme të kinematografisë botërore, në filmin "I diplomuari", një film i xhiruar në vitin 1967, i cili do të bënte të mirënjohur edhe një aktor tjetër të madh hollivudian, Dustin Hoffman. Fraza është pikërisht pyetja që Hoffman, një djalosh i ri dhe pa eksperiencë, i drejton znj.Robinson, e cila është mamaja e të dashurës së tij. Filmi ishte fitues i padiskutueshëm i shumë çmimeve të dhëna edhe disa vite më pas, i kandiduar për 6 çmime "Oscar", por vetëm regjisori i filmit, Mike Nichols, u largua nga salla me një statujë në dorë. Anna Maria Italiano (emri i vërtetë i Bancfort), lindi në vitin 1931, në Bronks të Nju-Jorkut, nga një familje italianësh të emigruar prej disa vitesh në SHBA. Që në moshë të vogël, dëshira e saj më e madhe ishte të bëhej aktore, dëshirë që e realizoi me sukses të plotë. Karriera e saj filloi në vitet '50, një periudhë kur menaxherët e saj e këshilluan të ndërronte emrin. Ajo luajti në dhjetëra filma, por dy ose tre prej tyre mund të quhen filma karriere. I pari u realizua gjatë viteve '50 dhe kritika beson se ajo nuk e kishte shfaqur tërësisht talentin e saj të padiskutueshëm, ndërsa dy të tjerët u realizuan gjatë viteve '60, ku "The Miracle Worker" i dhuroi dhe çmimin "Oscar", ndërsa roli i znj.Robinson te filmi "The Graduate", do ta bënte të pavdekshme. Fillimet e aktrimit ishin në televizion. Por vetëm pas dy vitesh, në 1952, ajo nënshkruan kontratën me "Fox", duke luajtur për gati gjashtë vjet në filma "westerns" dhe krimi. Pas vitit '58, vëmendja e saj përqëndrohet në "Broadway", ku qëndroi deri në vitin 1963, vit që i dhuroi dhe statujën e artë. Rruga e saj në Hollivud vazhdoi për vite me radhë, duke vazhduar deri në vitet '90. Por jeta e saj u lidh pazgjidhshmërisht me rolin e saj te filmi "I diplomuari", edhe pse kur u xhirua ky film ajo kishte fituar një "Oscar" dhe ishte një yll në rritje, si në Hollivud, ashtu edhe në "Broadway". Madje, kënga që shërbeu si kolonë muzikore e duetit të famshëm Simon-Garfuncel dhe titullohej "Znj.Robinson", e shndërroi në një mit në mbarë Botën. Që prej vitit 1964, ajo ishte gruaja e aktorit të famshëm Mel Brouks.
Leonard Olli
Leonard Olli