E Hënë, 2 Nëntor 2026

Tir Jazz Fest nis rrugëtimin e tij të katërt

09/06/2005  Ndoshta më shumë se çdo gjë tjetër, të gjithë të pranishmit në çeljen e "Tir Jazz Fest" i befasoi banda e madhe shumëngjyrëshe e kryeqytetit, e cila nën drejtimin e dirigjentit Edmond Doko, krijoi një atmosferë të vërtetë jazz-i, pak para fillimit të këtij aktiviteti. Të veshur me bluza dyngjyrëshe, në hyrje të Piramidës, ku edhe po zhvillohet Festivali i Jazz-it, banda ekzekutoi melodi të njohura në stil jazz, midis të tjerave edhe këngën e mirënjohur "Nju Jork-Nju Jork". Më pas, të pranishmit kaluan në sallë për të ndjekur hapjen e këtij aktiviteti të rëndësishëm. Pak para fillimit të koncertit të parë, festivalin e përshëndeti edhe ambasadorja amerikane në Tiranë, Marsi Riz. "Jam shumë e lumtur që marr pjesë në këtë aktivitet dhe ishte një kënaqësi e veçantë të dëgjoje dhe bandën e qytetit të luante pjesë jazz dhe për më tepër këngën e famshme 'Nju Jork-Nju Jork'“, tha midis të tjerash ambasadorja Riz. Eshtë për t'u theksuar fakti se ambasada amerikane në Tiranë ka dhënë një kontribut të çmuar në realizimin e "Tir Jazz Fest". Nata e parë e festivalit u çel me interpretimin e grupit francez "Melc", me një program të titulluar "Old and new sounds". Grupi është formuar në vitin 2001, me Gildas Etevenard, Julien Tamisier dhe Thibault Frisoni. Pak kohë më parë grupit i është bashkangjitur dhe vokalistia dhe violinçelistia Jeanne Added. Tamisier deklaroi për "Metropol" se muzika e tyre, e cila është bazuar në forma improvizimi, ka një karakter dhe tingull më urban, duke dashur kështu të shkëputet nga ritmet standarde dhe për t'i dhënë një shtysë të re krijimtarisë së tyre improvizuese, "e cila duhet patjetër të ketë një karakter personal". Grupi ka një aktivitet të ngjeshur artistik edhe në rrafshin e preokupimeve individuale, "fakt që e vështirëson aktivitetin në grup, pasi jo gjithmonë planet tona përputhen në kohë", tha Tamisier, duke shtuar se ishte një fatkeqësi pamundësia për të njohur më tepër Tiranën dhe vende të tjera të Shqipërisë, "por jemi shumë të ngarkur edhe me aktivitete të tjera, të cilat nuk mund t'i shmangim, si rezultat i detyrime kontraktuale". Grupi francez u largua dje nga vendi ynë. Ndërsa drejtori artistik i festivalit, Fatos Qerimi, theksoi faktin se festivali edhe këtë vit ruajti strukturën e mëparshme, duke u zhvilluar në sallë të mbyllura. "Jemi në përpjekje për të krijuar edhe mundësinë e interpretimit në vende të hapura, por aspekti financiar nuk na ka favorizuar në këtë drejtim, shprehet Qerimi. "Tir Jazz Fest" do të vazhdojë deri në datën 11 qershor.

L.Olli

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›