E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shulku: Njerëzit me pushtet po e prishin futbollin

Sipas shefit të sektorit të garave në FSHF,ngjarjes së Peqinit do t'i bëhet një hetim i hollësishëm

Në institucionin e futbollit shqiptar, natyrisht që janë shqetësuar për atë çfarë ka ndodhur në ndeshjen e javës së katërt, Shkumbini-Besa. Por ajo që e ka shtangur më shumë FSHF-në, është prania e deputetit Dashnor Sula në incidentin e ndodhur në tunelin e stadiumit të Peqinit. Kur priste nga momenti në moment relacionin e kësaj ndeshjeje, shefi i sektorit të garave në FSHF, Ilir Shulku, gjeti kohën për të biseduar me mediat. "E kemi thënë edhe sezonin e kaluar dhe po e përsërisim: njerëzit me pushtet po e prishin futbollin shqiptar. Nuk mund të vazhdohet më kështu, që për hir të imunitetit, bën çfarë të duash dhe arrin të futesh deri në fushë. Klubi, gjyqtarët dhe delegati i ndeshjes nuk kanë çfarë t'i bëjnë një deputeti. Ky i fundit, dashje pa dashje, nxit ekipin dhe tifozët, e më pas ndodhin skena të papëlqyeshme,"- thotë Shulku, duke marrë spunto nga ngjarja e Peqinit. Deputeti që përfaqëson qytetin e Peqinit në parlamentin shqiptar, Dashnor Sula, i njohur si një tifoz i zjarrtë i Shkumbinit, të tilla veprime i ka të përsëritura. Ndërkohë, sezonin e kaluar, kolegu i tij i Fushë-Krujës, Hajrulla Paturri, goditi me grushte gjyqtarin Shkëlqim Guçe në ndeshjen Iliria-Albpetrol. Për njerëzit me pushtet, që po bëhen protagonistë për keq, shefi i kampionateve, Ilir Shulku, deklaron se ky është një handikap i madh. "Me këtë kategori njerëzish është një handikap i madh, të cilën ne si FSHF nuk mund ta zgjidhim dot. Për shembull, delegati që ne dërgojmë, ka për detyrë të urdhërojë policinë që të ndalojë veprimet e këtyre njerzëve. Por nga ana tjetër edhe forcat e rendit nuk kanë çfarë t'i bëjnë një njeriu me imunitet. Këta e kanë treguar edhe episodet e kaluara. Eshtë puna e policisë, sepse as FSHF-ja dhe as klubi nuk mund t'i ndalojë këta persona "VIP". Mund të them se sezonin e kaluar kemi vënë në dispozicion të prokurorisë gjithë dokumentacionin që ka të bëjë me deputetin Paturri, i cili goditi me grushte gjyqtarin Guçe. Lind pyetja: çfarë është bërë me këtë çështje? E përsëris që është një handikap i madh. Eshtë për të ardhur keq që këta njerëz nxitin në mënyrën më të keqe dhunën, në vend që me autoritetin e tyre ta shmangin atë."

"Hetim të hollësishëm ngjarjes në Peqin"

Duke vazhduar më tej, shefi i sektorit të garave, Ilir Shulku, i pyetur për mënyrën se si do të procedohet dhe a do të merret ndonjë masë për shkaktarët, sqaroi: "Nëse raporti i delegatit dhe vëzhguesit zbardh gjithçka, atëherë do të jetë një gjë e mirë, sepse do ta fusim çështjen direkt për t'u shqyrtuar në komisionin e disiplinës. Por nëse ndodh e kundërta, atëherë nuk kemi si ta fusim në komision. Nëse ngjarja do të ndodhte në fushë, atëherë do të ishte direkt puna jonë, por tani gjithçka bëhet më e vështirë. Megjithatë, ne do të bëjmë një hetim të hollësishëm, për të nxjerrë të vërtetën. Në lidhje me këtë, kemi ngarkuar inspektorët e disiplinës, të cilët do të merren direkt me ngjarjen. Përveç raporteve të delegatit dhe vëzhguesit, ata do të bëjnë një investigim të hollësishëm. Do të marrin në pyetje deputetin e Peqinit, presidentin e Besës, futbollistët dhe stafet teknike të skuadrave, për atë që ka ndodhur. Shpresojmë që gjithçka të zbardhet, por nëse palët e fshehin ngjarjen, ky nuk është faji ynë."

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›