Berluskoni: Fitoren në derbi e dua dhuratë për ditëlindje!
Karlo Ançeloti nuk mund të flejë i qetë, të paktën kur dëgjon Silvio Berluskonin, por ka mundësi që trajneri i Milanit të ketë bërë një gjumë të rehatshëm, pas fitores me Lacion, si asnjëherë në këto javët e fundit. Tani atmosfera është e qetë, lojtarët e kuptuan që projekti, ndonëse i rrezikshëm, është tërheqës, dhe asnjë nuk ankohet për qëndrimin në stol. Dukej objektivi më i vështirë për t'u arritur nga Ançeloti, por në të vërtetë u arrit shumë shpejt. Kush qëndron në stol, nuk mërzitet, madje buzëqesh. Kush zëvendësohet nuk bën skena, madje e duartroket shokun që po hyn. Ekipi funksionon dhe "drejtori" i punimeve është i kënaqur.
TRAJNERI - Ançeloti e komenton kështu fitoren ndaj Lacios: "Do të nënshkruaja për një Milan gjithnjë kështu, sepse do të ishte e vështirë të humbiste. E administruam mirë emergjencën, secili mori përgjegjësitë e tij. Futbolli është lojë skuadre dhe kundër Lacios e treguam. Ishim agresivë, sulmuesin e ndihmoi mbrojtja, mbrojtësit sulmuan, mesfushorët bënë gjithçka. Jemi përmirësuar, edhe pse duhet të mendojë se nuk e kemi zgjidhur çdo problem. "Pastaj përgëzime për Gatuzon: "Përveç sedrës në fushë, nuk gaboi ndonjë pasim; e interpretoi mirë rolin e Pirlos".
ZËVENDËSPRESIDENTI - Adriano Galiani nënvizon rritjen taktike të skuadrës: "Ishte një Milan i disiplinuar, me një qendërsulmues, një sulmues të dytë dhe një fantazist. Kjo është mënyra e të luajturit. Ronaldinjo mund të luajë shumë mirë si sulmues i dytë, ndërsa fantazisti ynë kryesor është sigurisht Kaka. Një duartrokitje e veçantë për Borrielon, për ndihmën në zonën tonë; nuk kisha parë asnjëherë një qendërsulmues të Milanit që ta bënte një gjë të tillë.
PRESIDENTI - Edhe Silvio Berluskoni u zbavit shumë në tribunë. Duke ardhur në stadium, pronari kuqezi theksoi mbështetjen për Ançelotin: "Nuk është në rrezik, por nuk duhet të flejë i qetë, duhet të qëndrojë zgjuar, për të drejtuar skuadrën!". Pastaj, pas ndeshjes, nuk e fshehu entuziazmin e tij. "Ishte momenti, shënuam katër gola të bukur dhe fituam me meritë, - vazhdoi Berluskoni. -Rezultati 4-1 na ka bërë të lumtur. Duhet të përmirësohemi, por dy humbjet e para kishin lidhje edhe me episode negative. Ky është Milani i vërtetë. Jam i lumtur për Paton, që u çlirua më në fund; për Borrielon, që është një qendërsulmues i mirë; për Ronaldinjon, që bën gjithnjë spektakël, si dhe për Shevçenkon, që po kthehet në nivele të larta. Këtë të diel unë do të jem në "San Siro" për të parë derbin, edhe pse djemtë më premtuan tri fitore radhazi (ndeshja e nesërme me Rexhinën) për ditëlindjen time, më 29 shtator. Përndryshe, do të më vinte keq. Pastaj ata e kanë të qartë: duhet ta fitojnë kampionatin dhe Kupën UEFA!"