E Diel, 1 Nëntor 2026

Shuma prej 112 milionë euro për fondin e kompensimeve

05/11/2009  Kreu i qeverisë bën me dije shitjen e truallit pronë shtetërore në qendër të Tiranës

“Fund abuzimeve me dokumentacionet, që krijojnë pronarë të paligjshëm”

Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se trualli në qendër të Tiranës është shtetëror dhe për këtë ekzistojnë dokumente dhe fakte të pakontestueshme. Ai bëri me dije se qeveria do të shesë këtë truall, vlera e të cilit arrin deri në 112 milionë euro. Kreu i qeverisë theksoi se asnjë qindarkë nuk do të kalojë në buxhetin e shtetit, por do t’i kalojë fondit të kompensimit të pronarëve. “Mund të bëhet edhe një ligj i veçantë për shitjen e tyre me ankand dhe t’ua kthejmë pronarëve. Mund të ketë edhe ide të tjera, por ne do t’i shesim ato me 2000 euro metrin katror, në përputhje me planin e qytetit që ndërtohet, por i gjithë ky fond prej 112 milionë euro gradualisht me kalimin e tij do të kalojë i tëri për kompensimin e pronarëve”, - deklaroi ai. Ai tha se do të nxirret një vendim i veçantë, që do të mundësojë shitjen e tokës, dhe këtë do ta mbështesë në një ligj të vitit 1994, në të cilin, sipas tij, thuhet se “qeveria nuk lejohet të shesë tokën publike përveçse me vendim të Këshillit të Ministrave për qëllime të caktuara”. Duke iu përgjigjur pretendimeve të lëshuara nga Bashkia e Tiranës për truallin disa metra larg godinës së Bankës së Shqipërisë, Berisha tha se do t’u jepet fund abuzimeve me dokumentacionet, të cilat krijojnë pronarë të paligjshëm në toka publike. Kryeministri kërkoi nga Ministria e Punëve Publike të verifikojë dhe të bëjë publike të gjithë dokumentacionin për qendrën e Tiranës, për të shmangur në këtë mënyrë përvetësimet e padrejta të tokës publike. Sipas tij, për të gjitha shpronësimet e bëra nga ish-mbreti Zogu I në këtë hapësirë të kryeqytetit ka pasur kompensimet përkatëse. “Qendra e Tiranës në çdo centimetër të saj ishte vetëm tokë publike me dokumentet më të qarta. Ndërtesa e Ministrisë së Kulturës, sipas atlaseve dhe të gjitha dokumenteve, është ndërtuar në vitin 1932 nga lartmadhëria e tij mbreti Zogu I, i cili në asnjë rrethanë dhe në asnjë rast nuk i ka përvetësuar kujt pronën, por ka shpronësuar në përputhje me Kodin Civil”, - tha ai. Berisha shtoi se pak më sipër, rreth fundit të viteve 1800, ishte ndërtuar një kazermë ushtarake turke, më pas kjo godinë u shndërrua në një spital austro-hungarez e pastaj gjimnaz, ndërkohë që sot gjendet Dhoma e Tregtisë. Berisha tha se gjithçka është ndërtuar mbi truall shtetëror dhe për të cilin pronarët e atëhershëm kanë marrë shpërblimin e nevojshëm. Duke iu referuar debatit të ditëve të fundit, kryeministri tha se tashmë del se është pronë e një familjeje. Por duke hedhur poshtë këtë pretendim, ai tha se falsifikatorët dhe mbështetësit e tyre do të marrin përgjigjen e merituar nga ligji. “Ajo ndërtesë është mbi 100-vjeçare. Më sipër janë varrezat e Karapicëve dhe xhamia e Karapicëve. Ka dokumente për këtë. Lartmadhëria e tij Zogu I ndërtoi sheshin dhe hoqi të gjitha varrezat familjare ose shtëpiake që ishin brenda qytetit. I bëri të gjitha ato me shpronësim të plotë. Edhe xhaminë e rrafshoi për të ndërtuar sheshin, por e kompensoi”, - tha kryeministri Berisha.

Baza ligjore

Kreu i qeverisë ka theksuar se shitja e një sipërfaqeje që rezulton pronë shtetërore mund të realizohet duke u mbështetur në një ligj të vitit 1994. Duke pranuar se ligji në fjalë ndalon shitjen e një pronë shtetërore, Berisha tha se gjithashtu ekziston një dritare, po në këtë ligj, që do të lejonte shitjen. “Ka një ligj të vitit 1994, ku qeveria nuk lejohet të shesë tokën publike përveçse me vendim të Këshillit të Ministrave për qëllime të caktuara”, - tha ai.

Fondi

Të gjitha paratë që do të mblidhen nga shitja e tokës në qendër të Tiranës, pronë e shtetit, do të kalojë për kompensimin e pronarëve. “Ne do t’i shesim ato me 2000 euro metrin katror, në përputhje me planin e qytetit që ndërtohet, por i gjithë ky fond prej 112 milionë euro gradualisht me kalimin e tij do të kalojë i tëri për kompensimin e pronarëve”, - tha ai. Berisha tha se gjithçka do të bëhet në mënyrën më transparente në funksion të kompensimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›