E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studentët në grevë për diplomat

05/11/2009  Universiteti Bujqësor

Nuk kanë të sosur pakënaqësitë e studentëve për kuotat e pranimeve të miratuara nga qeveria për studimet master të nivelit të parë dhe të dytë. Kësaj radhe protesta është zhvendosur në Universitetin Bujqësor të Tiranës, ku studentët e Fakultetit të Agrobiznesit janë përfshirë në grevë, pasi diplomat e tyre nuk janë të përshtatshme me tregun e punës. Këta studentë kanë kërkuar që të shtohen kuotat për përfshirjen e tyre në studimet mater të nivelit të parë (+2), ashtu siç përcaktohet në dokumentin e kartës së Bolonjës. Rreth 20 studentë të këtij fakulteti, të mbështetur dhe nga fakultete e tjera, kanë pohuar se do të vijojnë grevës së urisë derisa të gjejë zgjidhje ky problem. Ata janë konfrontuar edhe me forcat e policisë, që kanë tentuar të pengojnë hyrjen e studentëve në grevën e urisë. Studentët kërkojnë që të ndjekin studimet e ciklit dyvjeçar për të marrë një diplomë të nivelit të dytë të integruar, në përputhje me sistemin e Bolonjës. Studentët grevistë kanë paralajmëruar se nuk do të dalin nga ngujimi deri në fund të zgjidhjes së kërkesave të tyre, pasi cikli trevjeçar që kanë përfunduar nuk njihet nga tregu i punës nëpërmjet formatit të diplomës që u është shpërndarë. Këshilli i Ministrave ka miratuar në tri mbledhjet e fundit të zhvilluara gjatë muajit tetor kuotat dhe kriteret e pranimit për masterat e nivelit të parë. Por sipas shqetësimit të ngritur nga studentët këto kuota janë tepër të ulëta krahasuar me numrin e nxënësve që mbarojnë fakultetin. Megjithatë, specialistët e fushës pohojnë se Ministria e Arsimit dhe as qeveria nuk janë shkaktaret e këtyre kuotave të ulëta apo mesatares, që është vendosur si kriter, pasi kjo është e drejtë vetëm e dekanit, i cili deri tani nuk është shprehur për këtë problem. Pak ditë më parë protesta është iniciuar edhe na studentët e Shkencave të Natyrës, të cilët u kanë kërkuar institucioneve qeveritare përgjegjëse që të shtojë numrin e kuotave të pranimit për këtë cikël studimesh. Gjithashtu bëhet e ditur se këto protesta do të vijojnë derisa të jepet një zgjidhje konkrete nga këto institucione.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›