E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shumaker: I dashur Rosi, po sikur të të sfidoj në motor...

Majkëll Shumaker prezantohet në Ueblli vetëm pasdite, falë një vonese të avionit për shkak të kohës së keqe. Por pas pak minutash zbret në pistë, për të hipur në një makinë nga ato që do të marrin pjesë në garë.

Shumaker, çfarë mendoni për rregullat e reja në Formula 1?

Ishte diçka që duhej të ndodhte dhe FIA e bëri. Më dukej e qartë se mund të mbyllnin sytë për atë se çfarë po ndodh në nivelin ekonomik në të gjithë botën.

Çfarë Formula 1 do të shohim?

Mendoj se do të jetë më emocionuese. Nuk ka më aerodinamikë dhe disenjator teknik, por gjëja esenciale është reduktimi i ngarkesës aerodinamike dhe shtimi i asaj mekanike. Tashmë makinat mund të ecin më pranë njëra-tjetrës dhe ndoshta kjo mund të jetë më e mjaftueshme për të parë më shumë spektakël.

A mund të ketë surpriza në nivel protagonistësh?

Skuadrat më të mira do të qëndrojnë sërish në krye, kanë njerëzit dhe organizimin më të mirë. Ndonjë skuadër mund të bëjë hapa përpara, por nuk do të prishen ekuilibrat vetëm për faktin se do të ketë rregulla të reja.

A e rrezikon kriza zhdukjen e ndonjë skuadre tjetër pas Hondës?

Duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe të hedhim hapat e duhur. Por më duket se këtë po bëjnë Fia dhe Fota.

Flitet për pikë: medalje tre të parëve, pikë për t‘u këmbyer...

Në kohën time, ndërruan sistem për të më ndaluar që të fitoja, tani duan të ndërrojnë sërish, për të lënë të tjerë që të fitojnë...

Të ndaluara testimet: nuk do t‘ju shohim më te Ferrari?

Më pëlqejnë më shumë garat se testimet.

Këtu jeni dyshe me Sebastian Vetel në skuadrën e Gjermanisë...

Argëtohem kur e shoh. Ka një lloj temperamenti që duhet ta zhvillojë, pastaj rezultatet vijnë vetë. Ka gjene për t‘u bërë kampion bote një ditë, e tregoi këtë vit.

Çfarë mendoni për këtë garë?

Është argëtuese, të garosh mbi pistën e një stadiumi më pëlqen. Dhe ka me të vërtetë emocione të bësh sfidë me kaq shumë pilotë të specialiteteve të ndryshme.

Do të ishte bukur po të qe edhe Rosi

Po, nuk do të më vinte keq ta sfidoja këtu, meqë ai është konkurrent i fortë edhe në garat me makina. Por edhe unë mund ta sfidoja në motor.

Në 2009-ën do t‘ju shohim në ndonjë garë të Botërorit Superbike?

Jo, e përjashtoj këtë mundësi. Ndoshta mund të shkoj ta shoh, por jo të garoj.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›