"Shumë amerikano-jugorë në Europë"
Jozef Blater ka filluar një tjetër "kryqëzatë". Presidenti i FIFA-s ka deklaruar se synon të luftojë mbipopullimin e Ligave të Europës me futbollistë nga Amerika e Jugut. "Numri i amerikanojugorëve, që luajnë në kampionatet e ndryshme të ‘Kontinentit të Vjetër‘ është i tepruar. Pjesa më e madhe e tyre vijnë nga Brazili apo Argjentina dhe arrijnë të marrin me lehtësi pasaportën europiane. Në situatën e krijuar, duhet të ndërhyjmë", tha Blater gjatë një vizite në Meksikë. "Në të gjithë botën luajnë gjashtëmijë lojtarë profesionistë nga Amerika Jugore. Aktualisht sportistët natyralizohen pas pesë vjetësh, mendoj se kjo periudhë kohore duhet rritur". Më tej, kreu i futbollit botëror shprehu besim tek organizimi i Afrikës së Jugut për Botërorin 2010: "Kur mungojnë shtatë muaj nga evenimenti, situata është normalizuar".