E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shumë dobët

Për njohësit e futbollit kosovar, kampionati i porsapërfunduar duhet harruar sa më shpejt. Sipas tyre, ky kampionat ishte më monotoni në periudhën e pasluftës. Përveç që nuk pati rritje të cilësisë, ata thonë se kurdisjet e shumëpërfolura i qitën hije shumë të keqe futbollit në opinionin kosovar dhe më gjerë. Nga Valon Konushevci valon.konushevci@gazetaexpress.com më 17 qershor 2011 në ora 15:00

Ndeshja e barazhit mes Ballkanit e Lepencit, e cila u zhvillua të enjten, shënoi edhe përfundimin zyrtar të edicionit 2010/2011.

Për njohësit e futbollit kosovar, kampionati i porsapërfunduar është për t’u harruar sa më shpejt. Madje, ata nuk mbajnë mend që në Kosovën e pasluftës të ketë qenë ndonjë kampionat më monoton sesa ky që posa përfundoi.

Sipas tyre, shumë faktorë ndikuan që edhe sivjet futbolli kosovar të numërojë në vend, duke filluar nga infrastruktura katastrofale, kriza e madhe financiare e klubeve, etj, etj.

Dhe, kapaku i gjithë kësaj, sipas njohësve të futbollit, ishin kurdisjet ‘ashiqare’ të rezultateve, për të cilat u përfol jashtëzakonisht shumë. Me këtë rast, imazhi i futbollit kosovar, edhe ashtu i vrazhdë, u prish akoma më shumë në opinion.

“Me siguri që ka qenë një monotoni shumë e madhe. Këtë e dëshmon edhe fakti se ndeshjet përcilleshin nga 200 apo 300 shikues. Fatkeqësisht, nuk po e bëjmë ndonjë hap përpara, por mbrapa. Nuk kishte cilësi e kualitet. Dhe në kushte të tilla, çfarë janë te ne, është e pamundur të punohet rreth ngritjes së cilësisë. Me keqardhje them se nuk kam shpresë që në edicionin e ardhshëm do të bëhet më mirë”, deklaroi për Express trajneri i njohur kosovar, aktualisht i lirë, Hysni Maxhuni. Ai tha garat e pasluftës ishin më të mira.

Sipas tij, kurdisjet e shumëpërfolura ishin shqetësuese për opinionin. “Nuk mund të themi se gjithë kampionati ishte i kurdisur. Kurdisje ka pasur edhe përpara dhe do të ketë edhe në të ardhmen. Sivjet ka pas kurdisje në disa ndeshje kah fundi, por që janë vërejtur dhe bënë jehonë. Kurdisje ka edhe nëpër liga të evropiane, por ata nuk vërehen”, shtoi ai.

Njëjtë mendon edhe strategu tjetër Afrim Tovërlani. “Stinori vjeshtor ishte më i mirë. Por, stinori pranveror, posaçërisht këto njëmbëdhjetë xhirot e fundit, ishin monoton, pa interes, pa shikues dhe u përshkrua me anomali”, thotë Tovërlani.

Sipas tij, kurdisjet e rezultateve e dëmtuan shumë futbollin kosovar. “Nuk kam fakte të prekshme, por kam shumë miq nëpër klube. Kosova është vend i vogël dhe ndodhitë merren vesh shpejt. Andaj, nuk mund ta mohojë askush faktin se kishte kurdisje, të cilat i qitën hije të keqe futbollit tonë. Si në luftë për titull, ashtu edhe në luftë për mbijetesë kishte shumë mjegull, e cila largoi shikuesit nga tribunat”, theksoi Tovërlani.

Sipas tij, kriza e madhe financiare në të cilën gjenden klubet, u hap rrugë kurdisjeve të rezultateve. “Ka klube që lojtarëve nuk ua japin pagat, edhe ashtu të vogla me muaj. Ka pasur raste që klubet i kanë shfrytëzuar ndeshjet për të bërë para, të cilat ua shpërndajnë lojtarëve sa për t’i qetësuar nga vonesat pagesave”, përfundoi ai.

Ky kampionat më i miri ishte për Hysin, i cili e fitoi titullin e kampionit për herë të parë në histori të klubit. Por, ky sukses i bardhezinjve po kontestohet nga Prishtina, drejtuesit e të cilës i akuzojnë gjyqtarët për të cilët thonë se e ndihmuan Hysin në këtë drejtim, derisa ekipin e tyre e dëmtuan. Kurse, nga Superliga u përshëndet Ferizaj e Flamurtari.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›