E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Shume gazetarë me vështirësi ekonomike”

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë denoncoi gjendjen e vështirë social-ekonomike të shumicës së komunitetit të gazetarëve që punojnë në tregun mediatik shqiptar dhe u bën thirrje institucioneve përkatëse që të ndërhyjnë 

TIRANE-Unioni i Gazetarëve shqiptarë tërhoqi sot vëmendjen për gjendjen reale, social-ekonomike të shumicës së komunitetit të gazetarëve që punojnë në tregun mediatik shqiptar.
Përmes një deklarate për shtyp, Unioni i Gazetarëve kërkoi që qeveria dhe parlamenti i ri të rendisin në krye të punës së tyre, reformën kundër informalitetit në mediat shqiptare. Sipas të dhënave që disponon Unioni rezulton se "nga 24 gazeta të përditëshme, 16 prej tyre në mënyrë të përherëshme nuk respektojnë datat e dhënies së pagave të gazetarëve.
"Rreth 60 për qind e mediave të këtij tregu, gjatë 6 muajve të fundit u janë rikthyer mungesës së korrektesës për pagat mujore të gazetarëve, paga që vonojnë nga 10 ditë në 2 dhe 3 muaj", thuhet në këtë deklaratë.
Gjithashtu, pagesat për sigurimet e tyre shoqërore janë të padepozituara si kontribut pranë tatimeve dhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore.
Në këtë kuadër, Unioni i Gazetarëve shqiptarë i bën thirrje Inspektoriatit Shtetëror të Punës, autoritetit fiskal të Tatim Taksave dhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore që të verifikojnë të gjitha rastet e informalitetit në tregun mediatik në Shqipëri.
Në përfundim, Unioni i Gazetarëve u bënë ofertë publike enteve rregullatore, shoqatave të tjera të gazetarëve dhe në veçanti gjithë komunitetit profesional të gazetarëve, që të hedhin hapin konkret për institucionalizimin e Urdhërit të Gazetarëve.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›