Shumë lehtë me Mourinhon

Sulmuesi Emmanuel Adebayor ka lavdëruar ndikimin e Jose Mourinhos në lojën e tij, pas huazimit nga Manchester City në Real Madrid.
Ish ylli i Arsenalit kaloi në Bernabeu më 25 janar në marrëveshje qëndrimi deri në fund të sezonit, kur gjiganti spanjoll do të ketë opsionin e blerjes së tij. Adebayor, i cili kishte humbur vendin në formacionin bazë të Manchester Cityt, tashmë ka shënuar dy herë për klubin e tij të ri në fitoret ndaj Sevillas dhe Real Sociedadit.
“Jam shumë i lumtur që kam shënuar dy gola”, tha Adebayor gjatë një konference për shtyp në Madrid. “Do të punoj shumë çdo ditë për t’i ndihmuar ekipit të fitojë ndeshjet. Është shumë lehtë të punohet me Mourinhon. Ai është person i shkëlqyeshëm dhe përmirëson lojën time. Ai ka mënyrën e tij si merret me njerëz. Ai ju tregon se çka pret nga ju”, shtoi reprezentuesi i Togos.
Ndryshimi i skenarit nga City në Real Madrid dhe prania e disa bashkëlojtarëve anglo-folës i ka ndihmuar Adebayorit. “Dua t’i falënderoj bashkëlojtarët e mi që më kanë ndihmuar të përshtatem lehtë në La Liga. Granero, Ramos, Ronaldo, Pepe, Marcelo... ata të gjithë flasin anglisht dhe kuptohemi mes vete. Jam shumë i lumtur që jam këtu”, theksoi ai. Reali ka shtatë pikë më pak se lideri Barcelona, por Adebayor u zotua: “Ne do të luftojmë deri në fund për të fituar çdo titull”.