Frika e Cechut

Portieri i Chelseas, Petr Cech frikësohet se gabimi i tij në humbjen 0-1 nga Liverpooli të dielën e kaluar mund t’i ketë kushtuar ekipit me përjashtim nga gara për titull në Premierligë.
Portieri çek nuk perceptoi si duhet topin, derisa Raul Meireles shënoi golin e vetëm të takimit. Pas ndeshjes, Cech ishte fajësuar nga menaxheri i Chelseas, Carlo Ancelotti.
“Ishte faji im. Trajneri nuk mund të kishte thënë asgjë më ndryshe. Gabimet janë pjesë e futbollit dhe ju duhet të mësoheni dhe të jetoni me to. Unë tani kam bërë gabimin tim të parë këtë sezon”, tha Cech për tabloidin anglez The Sun. Humbja la Chelsean në 44 pikë, dhjetë më pak se lideri Manchester United.
“Manchester United u mposht nga Wolves, ndërsa edhe Arsenali nuk mori pikë të plota. Ne kishim rastin të ngushtojmë dallimin dhe është mëkat që nuk e shfrytëzuam mundësinë. Do të më shqetësojë për kohë më të gjatë, por këto gjëra ndodhin”, shtoi ai.
Cech beson se Chelsea mbeti prapa Manchester Unitedit pas serisë së rezultateve negative të muajit dhjetor. “Dhjetori është arsyeja kryesore që jemi prapa, por diçka e ngjashme mund t’i ndodhë edhe Manchester Unitedit”, përfundoi ai.