K.Ronaldo: Luajtëm në një fushë patatesh
Kristiano Ronaldo, autor i golit të Portugalisë në ndeshjen miqësore ndaj Argjentinës, të cilën e fituan amerikano-latinët me rezultatin 2-1, tha se nuk pati një duel mes tij dhe Mesit, por “ishte vetëm një ndeshje futbolli”. “Jam i kënaqur nga ndeshja ime. Shënova një gol dhe pata mundësi të tjera për shënim. Nuk ishte një duel Kristiano-Mesi, por Portugali-Argjentinë”, u shpreh Kristiano Ronaldo pas ndeshjes. “Humbëm, por luajtëm mirë. Jemi shumë më mirë, në krahasim me Botërorin”, shtoi sulmuesi i Real Madrid, mbi ndeshjen në të cilën Mesi shënoi golin e fitores për argjentinasit në minutën e fundit të takimit me 11-metërsh. Ronaldo u ankua për terrenin e lojës në stadiumin e Gjenevës: “Terreni ishte si një fushë patatesh. Nuk ishte në lartësinë e një ndeshjeje midis dy kombëtareve të nivelit të lartë”.