Reali, kampion financiar
Real Madrid kryeson renditjen e 20 klubeve më të pasura në botë për vitin e gjashtë të njëpasnjëshëm, sipas Deloitte. Football Money League e bazuar në sezonin 2009-10, po ashtu, ka njoftuar se të hyrat e kombinuara të 20 klubeve për herë të parë kanë kaluar shifrën prej 4 miliardë eurosh.
Rivali i përhershëm i Realit, Barcelona mbetet në pozitën e dytë, para Manchester Unitedit, që është i treti. Pas tyre vijnë Bayern Munich, Arsenal dhe Chelsea. Të hyrat e Realit janë rritur për 9.3 për qind në 438.6 milionë euro, ndërsa të Barcelonës për 8.8 për qind në 398 milionë euro. Rritje prej 7 për qind ka regjistruar edhe Manchester United në shifrën 349.8 milionë euro.
Hulumtimi i rendit klubet në bazë të të hyrave dhe nuk llogarit pasurinë e pronarëve ose përfitimin dhe humbjen nga llogaritë financiare të sezonit 2009-10. Fuqia përfituese e Premierligës u konfirmua edhe njëherë me rezultatin që shtatë klube nga 20 janë nga Anglia. Ngjitjen më të madhe ka bërë Manchester City, që një vit më parë ishte në pozitën e 20-të, ndërsa tani janë të 11-it me rritje prej 49.5 për qind në 152.8 milionë euro. Klubi nga Eastlands pritet të ngjitet edhe më tepër nëse arrin të kualifikohet për në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve.
Roma ka pësuar rënien më të madhe. Klubi nga Serie A ka rënë për gjashtë pozita dhe tani gjendet i 18-ti, me reduktim prej 16 për qind në të hyra vjetore. Liverpooli ka zbritur për një pozitë në të tetën, sikurse Juventus që ka humbur dy vende, dhe tani është i dhjeti. Bianconerët marrin 65 për qind të të hyrave të tyre nga marrëveshjet e transmetimit, për dallim nga klubi gjerman Hamburg me 23 për qind në pozitën e 13-të.
Arsenali udhëheq me përqindjen më të madhe të të hyrave nga ndeshjet, 42 për qind, rezultat i kalimit nga Highbury në Emirates Stadium, ndërsa Juventus merr vetëm 8 për qind nga ndeshjet e tij në stadiumin Olimpico.
Schalke është skuadra më e varur nga biznesi komercial, që sjell 57 për qind të të hyrave të tyre, ndërsa Aston Villa, e 20-ta, ka vetëm 15 për qind. Katërmbëdhjetë prej 20 klubeve të para morën pjesë në Ligën e Kampionëve, ndërsa pjesa tjetër garoi në Europa League.
Renditja e Money League:
1 Real Madrid - 438.6 milionë euro
2 Barcelona - 398.1
3 Man Utd - 349.8
4 Bayern M - 323
5 Arsenal - 274.1
6 Chelsea - 255.9
7 Milan - 235.8
8 Liverpool - 225.3
9 Inter - 224.8
10 Juventus - 205
11 Man City -152.8
12 Tottenham -146.3
13 Hamburger -146.2
14 Lyon -146.1
15 Marseille -141.1
16 Schalke -139.8
17 Atletico Madrid -124.5
18 Roma -122.7
19 Stuttgart -114.8
20 Aston Villa -109.4