E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shumë mysafirë në PriFilmFest

Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Prishtinë (PriFilmFest), në edicionin e tij të III’të do të shfaqë 39 filma të metrazhit të gjatë dhe të mesëm, në 7 kategori garuese dhe jogaruese. Organizatorët paralajmërojnë edhe ardhjen e shumë mysafirëve ndërkombëtarë. Nga Express më 22 shtator 2011 në ora 11:58

Sipas organizatorëve të festivalit filmit të Prishtinës, i cili mbahet nga 24 shtatori deri më 10 tetor, hapja e festivalit do të shënohet me ardhjen e regjisorit të njohur Joshua Marston. Marston në Prishtinë do të qëndrojë vetëm për pak orë, dhe do të prezantojë premierën e filmit të tij “Falja e Gjakut”, një bashkëprodhim ky amerikano-shqiptar që u nderua me shumë çmime ndërkombëtare deri më tani.

Tjetri mysafir i PriFilmFest është aktori i njohur gjerman, Gedeon Burkhard, i cili njihet për rolin e tij përkrah Brad Pitt në filmin“Inglorious Bastards”, të regjisorit Quentin Tarantino. Burkehard, i cili konsiderohet të jetë pasardhës i aktorit të njohur shqiptar, Aleksandër Mojsiu, do të jetë edhe kryetar i jurisë ndërkombëtare për kategorinë e filmave të metrazhit të gjatë. Anëtarë të tjerë të kësaj jurie janë kritiku i njohur britanik i filmit, Phillip Bergson; si dhe producenti izraelit, Itai Tamir.

Ndërkohë, filmin e tij të parë si regjisor në PriFilmFest do ta shfaqë edhe regjisori i ri, Miguel Angel Pate, i cili deri tani ka punuar si asistent regjie në shumë projekte hollivudiane, si në filmat “Unknown” (me Liam Neeson dhe Diane Kruger në rolet kryesore), “Inglorious Basterds” të Quentin Tarantinos, “The Reader”, “Hanna”, etj. Angel Pate në PriFilmFest vjen me filmin e tij “Bridges”, që shfaqet në programin e metrazhit të mesëm.

Organizatorët kanë paralajmëruar edhe ardhjen e aktores së njohur serbe, Mirjana Karanovic, e cila njihet ndërkombëtarisht me rolet e saj në filmat “Babai në udhëtim zyrtar” (1985), “Underground” (1995) dhe në filmin boshnjak “Grbavica” (2005), të regjisores Jasmila Zbanic, ku Karanovic u shfaq në rolin e një gruaje myslimane të dhunuar nga serbët gjatë luftës në Bosnje.

Në festival do të jetë prezent edhe regjisori, Nader T.Homayoun, filmi i të cilit “Teheran”, u nderua në Festivalin e Filmit të Venecias të vitit 2009 dhe me çmimin e madh të jurisë, në Festivalin e d’Anjou (2010), por edhe të edicionit të kaluar të PriFilmFest. Në PriFilmFest 2011 ai vjen me filmin “Irani: Një revolucion kinematografik”.

Sipas organizatorëve, këta janë vetëm disa nga emrat e njohur ndërkombëtarë që janë ftuar në festivalin e sivjetmë.

Duket mirë, deri këtu.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›