E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shumë të lënduar dhe të arrestuar në protestën e radikalëve (Video)

Nga Express më 29 maj 2011 në ora 23:34

Dhjetëra demonstrues dhe policë janë lënduar si rezultat i përleshjeve gjatë një proteste të organizuar nga Partia Radikale Serbe në Beograd, në shenjë kundërshtimi ndaj arrestimit të kriminelit serb Ratko Mlladiq. Policia ka arrestuar 70 protestues, të cilët kanë kërkuar ndërprerjen e bashkëpunimit të Serbisë me Tribunalin e Hagës, ndërsa qeverinë aktuale serbe e quajtën tradhtare për shkak të arrestimit të Mlladiqit.

Pavarësisht thirrjes së organizatorit për paqe, përleshjet janë përhapur në rrugët e Beogradit. Demonstruesit kanë sulmuar policinë me shishe dhe gurë, si dhe kanë gjuajtur fishekzjarrë. Protestuesit kanë thirrur parulla “Rroftë Ratko Mlladiq”.

Zëvendës presidenti i Partisë Radikale Serbe, Dragan Todoroviq për përleshjet, që kanë pasuar në qendër të Beogradit, ka akuzuar organet shtetërore, për të cilat tha se nuk kanë reaguar profesionalisht, por në pajtim me interesat politike.

Një orë pas përfundimit të mitingut, policia ka shpërndarë protestuesit nga platoja para Kuvendit të Serbisë, ku sikur edhe në rrugët në qendër të qytetit kanë mbetur shumë shishe të thyera dhe shporta të bërllokut, si dhe gurë.

Në protestë morën pjesë mijëra vetë, kurse me një fjalim të pranishmëve iu është drejtuar i biri i kriminelit Ratko Mlladiq, Darko Mlladiq, si dhe është lexuar një letër e liderit radikal Vojisllav Sheshel, i cili ndodhet në burgun e Sheveningenit në Hagë.

Demonstruesit gjatë mitingut kanë thirrur parulla kundër qeverisë, ndërsa presidentin e Serbisë Boris Tadiq e kanë quajtur “ustash”.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›