Zgjedhjet, PAD, në koalicion me PD-në

Partia Aleanca Demokratike do të bëhet pjesë e koalicionit zgjedhor të drejtuar nga Partia Demokratike gjatë zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, që do të zhvillohen në 28 Qershor 2009. Gjatë një konference për shtyp të dielën, Kryetari i PAD-së, Neritan Ceka, informoi mbi vendimin e djeshëm të Asamblesë së Përgjithshme të kësaj partie, ku u vendos që PAD të bëhet pjesë e koalicionit zgjedhor të drejtuar nga PD, duke ruajtur indentitetin e vet dhe duke luftuar në të gjitha zonat zgjedhore për të nxjerrë deputetë. Duke i'u referuar rezultateve zgjedhore të 2007, zoti Ceka u shpreh se nëse PAD merr aq vota sa ka fituar në 2007, pra rreth 4 për qind të votave në nivel kombëtar, por të përqëndruar në disa rrethe, PAD mund të arrijë të ketë një numër prej 6 deputetësh në Kuvend. Ky rezultat favorizohet edhe nga pjesëmarrja në një koalicion të madh siç është ai me PD-në. Ky është dhe favori që kemi në krahasim me koalicionet e tjera të mundshme, tha zoti Ceka.