E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shvarc, Kadare... dhe Robbinsi im!

Një autor shumë i lexuar në Shqipëri u bë Harold Robbins. Amik Kasoruho sjell në librin e tij të ri, botimet “Buzuku”, një nga episodet më mbresëlënëse të punës së tij si përkthyes - Si erdhi në shqip “Mos dashuro kurrë një të huaj”?

Ngjarjet e çuditshme ngjasin edhe në jetë. Më përmend Robinsin. Është, për mua, autori më i dashur, përkrah Pirandelos. Edhe pse i dua ndryshe njërin prej tjetrit.

"Mos dashuro kurrë një të huaj" është një përkthim që e dua shumë jo vetëm se romani është një nga më tërheqësit dhe njerëzorët që më ka takuar të lexoj dhe ka një dinamizëm që të duket sikur je duke e parë në film, por edhe për një arsye krejt vetjake. Ishte libri i parë që përktheja nga anglishtja. Dhe tortura e parë imja: anglishten - me aq sa e njihja në atë kohë - e pata mësuar në burg. Kam pasur mësues të jashtëzakonshëm. Por gjithsesi, njohuritë e mia në atë gjuhë ishin shumë të kufizuara. Në Durrës jetonte një familje mike, ajo e Luigj Komaskut. Që të dy, burrë e grua, e njihnin shumë mirë anglishten. Kishin në shtëpi një bibliotekë shumë të pasur dhe unë, kohë mbas kohe shkoja aty dhe merrja libra për të lexuar. Një ditë prej ditësh me japin një libër (pikërisht "Mos dashuro...") që u kishte rënë në dorë në një mënyrë të veçantë dhe të çuditshme.

Një fëmijë, që banonte pranë tyre, sheh në një kashun plehrash, një libër anglisht. Me gjasë do ta kishte lënë aty ndonjë turist... Fëmija e dinte se çifti Komasku e zotëronin anglishten (sot ai fëmijë duhet të jetë më shumë se 50 vjeç dhe mbase as që i kujtohet kjo ndodhi) dhe ua çon atyre në shtëpi. Unë vendosa ta përktheja edhe pse nuk kisha asnjë shpresë se mund të ma botonin. Vuajta gjatë përkthimit edhe sepse një pjesë e dialogëve zhvilloheshin në "slang", në të folmen tipike të mjediseve të varfra dhe të degraduara të Nju-Jorkut. Por pata fat. Në Kavajë aso kohe jetonte një mik i babait tim, që me vonë, në burg u bë dhe imi, Skënder Cilka, i cili ka studiuar në Nju-Jork dhe e njihte mirë edhe të folmen slang. Atë e kam bezdisur kushedi sa herë për t'i kërkuar shpjegime dhe ai me një durim që rrallë herë e kam ndeshur tek të tjerë, më jepte shpjegimet e duhura. Me një makinë shkrimi rrangallë, që ma kishin falur shokët, e shtypa në tri kopje. Një nga ato kopje ia çova Robertit (Shvarcit). Ishte koha kur ai kishte përkthyer për qejf të tij "Harkun e Triumfit" që qarkullonte dorë me dorë i daktilografuar në Tiranë.

Të njëjtin fat pati edhe Robbinsi im. Por atë që nuk e kishte bërë për vete, Shvarci e bëri për mua. Ia kaloi dorëshkrimin Kadaresë. Ky, mbasi e lexoi shkon dhe ia paraqet shtëpisë botuese Naim Frashëri. Nuk e di kujt. Libri nuk u pranua. Përgjigjja që i dhanë Kadaresë qe "protagonisti nuk ka ide politike dhe shoqërore të qarta!" Dhe Kadare (sipas rrëfimit që më ka bërë Roberti) i nxehur, ua kthen: po pse mos pretendoni që në vitet '30 në SHBA ky protagonist të kishte ide të qarta për revolucionin?

Sidoqoftë libri nuk u botua.

Dorëshkrimi, kur unë ika për në Itali, pat mbetur në Shqipëri dhe nuk di si e qysh, mbërriti në dorë të çupës sime të hallës dhe ajo ma nisi këtu mbas disa vjetësh.

Në vitin 1999, në mos qofsha gabim, më telefonon nga Tirana Arben Basha, që asi kohe bënte edhe punën e botuesit. E kishte lexuar këtë libër si dorëshkrim, kur ai qarkullonte dorë më dorë (aq është e vërtetë sa e vetmja kopje që i shpëtoi humbjes, mua më ra në dorë mbas 3-4 vjetësh nga një shok që ma rekomandoi për ta lexuar(!). Pra e kishte lexuar dhe kërkoi t'ia çoja për ta botuar.

U botua. U ribotua. Për mua, si të thashë, ka mbetur ndër librat më të mirë që kam përkthyer.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›