E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shytat (Parotiti), kush rrezikon të preket dhe masat

26/01/2011  Mjekia Ilda Xhelili në një intervistë për “Metropol” flet mbi sëmundjen e shytave dhe masat për parandalimin e tyre

- Çfarë është kjo sëmundje dhe cili është shkaktari?

- Parotiti është një infeksion akut human, shumë ngjitës, i cili lë imunitet të përhershëm, që karakterizohet nga prekja e gjëndrave të pështymës. Kjo sëmundje kalon lehtë në moshën e fëmijërisë, kurse tek të rriturit prek gjëndrat seksuale, meningjet (cipat e trurit) dhe pankreasin, duke shkaktuar kështu forma klinike të zgjatura, ndonjëherë edhe të rënda. Shkaktar i kësaj sëmundjeje është një virus që i takon grupit të paramiksoviruseve. Virusi gjendet në gjakun e të sëmurëve, në lëngun e palcës së kurrizit (lëngu cerebrospinal), në pështymë apo në inde të ndryshme të organizmit.

- Çfarë karakteri ka kjo sëmundje dhe cila është predispozita e saj?

- Sëmundja ka kryesisht karakter stinor, duke u përhapur më tepër gjatë stinës së dimrit dhe të pranverës. Prek njëlloj të dy sekset e moshës 5-15 vjeç. Një përqindje të madhe zënë rastet në moshën e adoleshencës, por nuk përjashtohen rastet edhe në moshat e rritura apo dhe të moshuarit. Për fëmijët e porsalindur e deri në 6 muajt e parë të jetës është një fenomen jashtëzakonisht i rrallë për shkak të mbrojtjes pasive nga transmetimi i imunitetit të nënës.

- Si përhapet sëmundja dhe cili është burimi i infeksionit?

- Që të ndodhë infeksioni, është i domosdoshëm një kontakt i ngushtë jetësor me burimin e infeksionit. Kjo kushtëzohet kryesisht nga jeta kolektive (kopshtet, shkollat, konviktet, kafenetë etj.). Burim i vetëm infeksioni është njeriu i sëmurë ose bartës i viruseve. Infektimi bëhet me anë të ajrit: a) direkt nëpërmjet spërklave; b) me anën e sendeve të kontaminuara me pështymë të infektuar. Pështyma është infektuese shtatë deri në tetë ditë përpara shfaqjes së shenjave klinike dhe rreth dhjetë ditë pas fillimit të sëmundjes. Gjithashtu virusi eliminohet gjatë 15 ditëve të para të sëmundjes me anë të urinës.

- Si zhvillohet sëmundja?

- Virusi hyn në rrugët e sipërme të frymëmarrjes, shumëzohet dhe prej andej kalon në gjak. Me anë të gjakut ai shpërndahet në organe të ndryshme, por sidomos në gjëndrat e pështymës, gjëndrat seksuale, pankreas, tiroide, mëlçi, veshka dhe sistemin nervor.

- Cilat janë shenjat klinike të sëmundjes?

- Nuk mjafton të themi se parotiti prek gjëndrat e pështymës (glandula parotis). Në fakt, duhet të theksojmë se parotiti është një sëmundje virale e përgjithshme, e cila, sipas lokalizimit, paraqitet me forma klinike të ndryshme. Thamë se infeksioni prek kryesisht gjëndrat e pështymës, por mundet, sidomos tek të rriturit, që si shenjë e parë klinike të jetë orkiti (inflamacioni i testikujve), pankreatiti (infeksioni i pankreasit) ose i sistemit nervor (meningoencefaliti).

Forma më e zakonshme që ndeshet është ajo me inflamacion të gjëndrës parotis (parotiti). Kjo formë fillon me shenja të përgjithshme, si: dobësi, ulje të oreksit, dhimbje koke, dhimbje fyti, ethe dhe temperature 38-39 gradë C. Pas 24 orëve i sëmuri ndien vështirësi në përtypje, dhimbje veshi nga një ose të dy anët, ndonjëherë mund të ketë edhe të vjella. Më vonë fillojnë e shfaqen shenjat tipike të sëmundjes me dhimbje në këndin e nofullës së poshtme, dhimbje kjo që përhapet në qafë e në vesh. Pikërisht këtu kemi ënjtjen e gjëndrës parotis (gjendja e pështymës), që mund të mbetet e njëanshme, por mund të bëhet e dyanshme pas dy-pesë ditësh. Kjo ënjtje i jep formën karakteristike fytyrës, atë të dardhës. Enjtja mund të marrë përmasa të mëdha, duke përfshirë qafën dhe gjoksin. Lëkura e zonës së ënjtur është e shndritshme dhe pa ndryshime të ngjyrës. Karakteristike është enjtja më e madhe gjatë dhe menjëherë pas ushqyerjes si rezultat i ngacmimit reflektor të sekrecionit. Gjithashtu vërehet dhe një acarim i faringut dhe i bajameve (anginat). Gjendja e përgjithshme është relativisht e mirë. Temperatura vazhdon e lartë për katër-pesë ditë. Enjtja e gjëndrave ulet brenda dy javësh.

Pas prekjes së gjëndrave të pështymës, prekja e testikujve (orkiti) mbetet lokalizimi më i shpeshtë i virusit. Haset në 20-30% të meshkujve që preken nga ky virus, por është shumë i rrallë në moshën para pubertetit. Orkiti zakonisht është i njëanshëm, por mund të jetë edhe i dyanshëm. Shfaqet zakonisht një javë pas parotitit, por mund të shkojë deri në tri javë. Gjithashtu mund ta paraprijë me një javë para parotitin ose të jetë i shoqëruar me të. Shenja e parë është rritja e temperaturës në shifra të larta, pastaj dhimbje dhe ënjtja e testikujve. Dhimbja përhapet në rrëzë të kofshës, në kofshë dhe shtohet shumë gjatë lëvizjeve. Në prekje testi është i fortë dhe i dhimbshëm. Madhësia e tij shkon tri deri në katër herë mbi normën dhe lëkura është e skuqur. Prekja e testit tjetër, që mund të ndodhë dy-tri ditë pas të parit, shoqërohet me rritje të temperaturës. Enjtja e testeve ulet pas 10-12 ditësh, por në rastet e rënda mund të shkojë edhe tri deri katër javë. Në meshkujt e rritur një deri në tre muaj pas orkitit kemi çrregullime të spermatogenezës (procesi i prodhimit të spermatozoideve, që janë qelizat mashkullore që kryejnë fekondimin e qelizave femërore). Orkiti nga virusi i parotitit është shkaktar i 1.5% të sterilitetit mashkullor. Prandaj është mjaft e rëndësishme vizita te mjeku specialist gjatë sëmundjes së shytave dhe jo të qëndrojmë në shtëpi duke praktikuar mjekime popullore.

Prekja e pankreasit (pankreatiti). Takohet kryesisht tek të rriturit, zakonisht në javën e dytë. Fillon me një valë të re temperature, që shoqërohet me dhimbje barku, të përziera, të vjella ose diarre.

Prekja e sistemit nervor (meningitet dhe encefalitet). Këto përbëjnë 10-20% të rasteve, me temperaturë, dhimbje koke, të vjella, ngrirje qafe. Gjithashtu ka edhe lokalizime të tjera, por që janë mjaft të rralla.

- Cili është mjekimi për këtë sëmundje?

- Për shytat nuk është se ka ndonjë mjekim specifik, ai është më tepër simptomatik. Rëndësi kanë barnat për uljen e temperaturës (paracetamol, ponstan). Gjatë kohës së temperaturës këshillohet regjim shtrati si dhe dietë e lëngët, meqë përtypja vështirësohet. Për sa i përket orkitit, në kundërshtim me opinionin popullor, veprimtaria fizike nuk luan rol në zhvillimin e tij apo të ndërlikimeve të tjera. Por në këtë rast mjekimi është specifik dhe i takon mjekut specialist.

Parandalimi

Sëmundja kalohet lë imunitet të përhershëm, pra kalohet vetëm një herë në jetë. Në protokollin e vaksinave që bëhen në moshën e fëmijërisë sot është edhe vaksina e parotitit, e cila tolerohet mire, lë imunitet të qëndrueshëm, të afërt me atë të vetë sëmundjes. Si dhe për gjithë vaksinat e tjera, kanë kundërindikacion ata persona që kanë reaksion nga veza, të sëmurët që marrin kortizonikë, ata që trajtohen me rrezatim dhe kimioterapi si edhe gratë shtatzëna.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›