E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si dje dhe sot me Teodor Kekon

Teodor Keko

Nga Flora Nikolla

“Amaneti” i Kekos - Rekord shitje; “Toena në qarkullim dhe 1000 kopje të tjera-

Në libraritë kryesore të Tiranës, konstaton lehtë se vepra e Teodor Kekos, renditet ndër më të shiturat (brenda kuadrit të librave shqip). Librashitësit, që jo rrallë herë në kësi rastesh bëjnë dhe rolin e kritikës,konfirmojnë pa drojë vendin e veçantë të Kekos në tregun e librit, ku dhe pse nuk ndodhet fizikisht, vazhdon të preferohet nga lexues të të gjitha moshave.
 Kështu ndodhi dhe me librin i tij më të fundit me tregime “Amaneti”, botuar në 50 vjetorin e lindjes së shkrimtarit të njohur, në tetor 2008, i cili brenda një kohe të shkurtër arriti një rekord shitjesh. Fillimisht në treg u hodhën 1000 kopje, por të gjitha kopjet rezultojnë të shitura duke sjellë kështu një ribotim nga shtëpia Botuese “Toena”, e cila aktualisht ka hedhur një tirazh të dytë prej 1000 kopjesh në qarkullim .
 12 tregimet e këtij libri, kryesisht janë tregime që trajtojne tema sociale në sfondin e jetës sonë të përditëshme, me problemet e shoqërisë shqiptare. Ky ndoshta është dhe sekreti që ai është blerë etshëm nga një lexues i gjerë që me sa duket kërkon tregime origjinale të mbushura me jetë, jashtë skemave klasike dhe krijimit në tavolina pune. 
 Në fakt tregimet e Kekos janë pjesë e ciklit të librave të tij që tregojnë Shqipërinë e tranzicionit “me individë të fortë dhe shoqëri të dobët”, ku thyen kufizimet, duke bërë një letërsi të drejtpërdrejtë, të hapur, pa norma “morale”. Ato ngjajnë me pjesë jete dhe fatesh njerëzore dhe janë shumë larg temave të stisura. 
 Jeta është aty më e vërtetë se kurrë, komplekse, me të gjitha misteret dhe enigmat e saj natyrisht edhe pse e treguar me mjeshtërinë e një artisti të vërtetë.
 Siç shprehej dhe Teodor Keko, me këto tregime të fundit, donte të mbyllte të ashtuquajturin cikël të tranzicionit. Dhe deri diku ia doli, por tranzicioni shqiptar zgjati më shumë se ç’mendonte Dori ndërsa ai iku më shpejt se ç’mendohej. Ai punonte vazhdimisht te natyraliteti i trajtimit të temave, por, pasi mbaron së lexuari veprën e tij, bindesh se arma e tij më e fortë ishte humanizmi. Si kanë vërejtur me të drejtë disa kritikë, personazhet e Teodor Kekos nuk shfaqin kurrë mllef, ndonëse janë të pakënaqur nga realiteti ku jetojnë dhe përpiqen me të gjitha mënyrat për të shpëtuar prej tij. 
 Dhe ai vetë ishte pak a shumë si personazhet e tij, i thjeshtë, herë-herë rebel, herë-herë e urrente këtë realitet, autopsinë e të cilit diti ta bëjë mirë.
 Por siç shkruan Andi Bejtja në parathënien e “Amanetit”, “letërsia shqiptare ka një boshllëk të madh në trajtimin e temave e personazheve të viteve 1980-2000, ndaj dhe vepra e Teodor Kekos është një gur me peshë në gjithë këtë boshllëk”. 
 Por të njëjtin fat si dhe libri "Amaneti" pati edhe vëllimi me tregime të zgjedhura të këtij autori "Curuculum Vitae", një përmbledhje kjo me krijimtarinë më të mirë të shkrimtarit në gjininë e prozës së shkurtër. Dhe ky libër këto ditë është botuar nga shtëpia botuese Toena, për të qënë në duart e lexuesit.
 Kur koha e superlativave ka ikur dhe kur vetë Keko nuk do t'i pranonte "falsitetet", duket se rebeli, antikonformisti, që u shqua për sinqeritetin e tij, ishte dhe do të mbetet një emër në letërsinë shqipe. Një vështrim i veçantë dhe turbullues ai i Dorit, një krijimtari e ndjeshme ndaj jetës dhe një dëshirë e madhe per vetë jetën. Pasioni i tij i hershëm për letërsinë, ushqyer nga një familje artistësh, bëri që ai të mbetej gjithnjë i pandryshueshmi dhe i vërteti Teodor Keko. 
 Të gjitha librat e tij karakterizohen nga mprehtësia e vështrimit të problemeve shoqërore, duke arritur hera-herës në ironi e sarkazëm. Keko, i cili kaloi gradualisht në prozë, (roman dhe tregim), ka në krijimtarinë e tij tema të larmishme, por që mbi të gjitha në to trajton marrëdhëniet njerëzore që kalojnë përmes shpirtit.
 Njeri, pastaj, poet, shkrimtar, publiçist, politikan, për Teodor Kekon vdekja ishte sfida më e madhe. Njeriu dhe pastaj dëshira për jetën ishin gjithçka për Dorin, që, sikundër ishte në jetë, pikërisht atë arriti të shkruajë me stil të kthjellët dhe mendim të sinqertë në tri gjinitë që punoi; publiçistikë, poezi, ashtu edhe në tregimin dhe romanin shqiptar. 

(*) Autorja është gazetare e ATA

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›