E Diel, 1 Nëntor 2026

“Si do rishikohen shkrimtarët shqiptarë të viteve 45-90”

Flet drejtori i Institutit të Studimeve Albanologjike, Ardian Marashi

Petrika GROSI
Drejtori i Qendrës të Studimeve Albanologjike, Ardian Marashi, zbardh në një intervistë ekskluzive dhënë për gazetën “Albania” detajet dhe mënyrën sesi do të veprohet për të përzgjedhur shkrimtarët, të cilët do të jenë pjesë e historisë së letërsisë shqiptare. Problemi bëhet edhe më i nxehtë për atë pjesë të historisë së letërsisë e cila është e politizuar, e fryrë apo e cunguar sipas interesave të regjimit komunist, pra vitet ’45-‘90. Marashi shprehet i sigurt se në këtë mes nuk do të ketë privilegjime të natyrës politike e ideologjike dhe rrëfen konceptin mbi të cilin do të punojnë grupet e punës që do të merren me këtë proces. Pra si do të rishikohen shkrimtarët në historinë e re të letërsisë? Duhet thënë se ende janë të paqarta metodikat që do të ndiqen, si edhe shumë detaje të tjera teknike, por sipas drejtorit të QSA-së, është ende herët për të folur më konkretisht për këtë problem.

Z. Marashi, ç’mund të na tregoni ju si drejtor i projektit dhe i Qendrës së Studimeve Albanlogjike, cilat do të jenë kriteret për zgjedhjen e autorëve që do të jenë pjesë ose jo, e historisë së re të letërsisë?
Për momentin e vë në pikëpyetje mundësinë e redaktimit të një historie të re të letërsisë shqipe. Vë në dyshim sesa jemi të gatshëm ne për të përballuar një projekt të tillë. Për momentin ideja ime personale, por ende e pakonfirmuar me këshillin shkencor dhe atë drejtues është që duhet të përgatisim një tjetër vepër bazike, e cila do të ndihmojë për hartimin e historisë së letërsisë shqipe. Nëse do të hartojmë një histori të letërsisë shqipe për shek.XX, sipas modelit të deritashëm të historive të letërsisë më parë duhet bërë një përzgjedhje autorësh, (madhorë - kryesorë, të mesëm dhe autorë panoramikë). Të jeni të sigurt se, sa herë që shtrohet për debat, lista e autorëve ndryshon sipas personave që janë në debat. Sidomos diskutime ka për autorët e mesëm që u përkasin viteve ’30-’40 dhe viteve ’50-’80. Gjithsesi, tashmë studimet janë në një fazë fillestare, larg të qenurit të plota dhe nuk mund të jenë vendimtare për të folur mbi përfshirjen ose jo, të një autori në këtë vepër.

A mund të bëhet historia e letërsisë bazuar mbi një listë autorësh?
Mendoj që, puna kryesore do të jetë përpilimi i një liste të autorëve të rëndësishëm të letërsisë shqipe dhe evidentimi i plotë për ta. Kjo punë mund të marrë dy volume nga 1000 faqe secili dhe mendohet të jetë një vepër me titullin “Autorë shqiptarë”, e cila do të ndiqet nga vepra me titull “Vepra shqiptare”, me tri volume prej 1000 faqesh. Do të trajtohen jo autorët, por veprat kryesore të tyre që kanë lënë gjurmë në letërsinë shqipe. Pasi të hidhen këto hapa, do të kemi siguruar një bazë të qëndrueshme e gjithëpërfshirëse për nisjen e punës së hartimit të një historie të re të letërsisë shqiptare. Kjo do të jetë një vepër analitike, ku nuk do të ketë nevojë të shkruajmë filani lindi këtu, botoi këtë vepër, etj., pasi kjo zgjidhet me dy botimet e tjera që përmendëm më parë. Ato botime do të kenë edhe karakterin utilitar për shkollat. Studiuesit e kërkuesit shkencorë nuk do të kenë nevojë të zbresin në nivelin e nxënësve të shkollave të mesme apo të studentit.

Çfarë garancie jepni ju për mosabuzimin me autorët “e përkëdhelur” të komunizmit?
E para e punës po ju tregoj si do të veprohet; Normalisht, do të mblidhet komisioni që drejton projektin dhe do të hartojë një platformë, e cila do t’iu dërgohet studiuesve, pedagogëve, kërkuesve shkencorë në të gjitha qendrat (Kosovë, Maqedoni, Itali) për bashkëpunim dhe do presim kontributet e gjithësescilit. Kontributet do të zgjidhen në bazë të veprimtarisë të këtyre studiuesve, që ofrohet si kontribut. Nëse një studiues ka bërë një monografi për një autor, atëherë ai do të jetë i privilegjuar për të qenë bashkëpuntor i projektit. Komisionet e redaktimit që do të mblidhen herë pas here bashkë me specialistët dhe do të gjykojnë për hapat e tjerë. Historia e letërsisë shqipe, në projektin tim aktual do të jetë plotësim i dy volumeve të mëparshme. Nuk mund të shërbejë si kriter vlerësimi sasia e shkrimeve apo konferencave të bëra për një autor.

Çfarë duhet nënkuptojmë me këtë?
Si kriter vlerësimi do të shërbejë vlera e mirëqenë e veprës dhe njëkohësisht, mendimi i përgjithshëm i studiuesve për vendin që zë në letërsinë shqipe kjo vepër.

A do të kemi përjashtime autorësh nga kjo histori?
Normalisht që do të ketë rishikime, sepse distanca nga viti 1990 lejon të kemi një perceptim më të plotë për fenomenin letrar para vitit ’90. Çdo studiues duhet të ketë një distancë relative me objektin për të cilin flet. Nëse flasim për Shuteriqin, Ali Abdihoxhën, Sterio Spassen, etj., normale që ndryshe do të bëhet vlerësimi, pasi në librari sot ata mund të mos jenë fare dhe gjejmë shkrimtarë të tjerë. Aq më tepër që vet koha influencon shumë në pjekjen e vlerësimit. Ndiqen metoda të ndryshme për këtë lloj studimi. Mund të jenë anketat sociologjike në universitete, shkolla, biblioteka e shtëpi botuese. Nuk do të jetë një histori përjashtuese për asnjë autor me vlera.

A mund të ndikoheni nga politika e sotme?
Nuk jam i ngutur për ta realizuar tani këtë histori. Në fillim duhet bërë iventari i autorëve e veprave të mundshme. Ky inventar tani për tani nuk ekziston. Në momentin që do të kemi të gjitha fijet në dorë, që do të disponojmë bazën e të dhënave, inventarin e letërsisë shqipe, atëherë do të mund të flasim me më tepër siguri. Ky inventar s’ka për të qenë detyrimisht vetëm për letërsinë shqipe brenda kufijve, ndaj dhe perceptimi me veprat “Autorë shqitparë” dhe “Vepra shqiptare”, më duket i volitshëm para se të kalohet në përpilimin e një historie të re të letërsisë sonë. Pastaj, hartimi i historisë së letërsisë shqipe nuk mund të jetë epokal. Do të ketë një sërë veprash dhe projektesh individuale që do të mbushin hapësirat e ndryshme. Jetojmë në epokën e tekstit altenativ dhe nuk mund të marrim si të mirëqenë që historia e letërsisë shqipe do të jetë përfundimtare. Kjo nuk parjashton faktin se ajo do të jetë diçka serioze dhe pse është e tillë, ndaj nuk mund të fillohet puna pa pasur gjërat e sakta mbi tryezë. Si përfundim, Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë e specialistët e Qendrës së Studimeve Albanologjike që merren me letërsinë, në bashkëpunim me të gjithë kolegët e universiteteve e të qendrave kërkimore, janë të gatshëm që në këtë moment të sjellin dy vepra kapitale. Për këtë pothuajse gjërat janë të gjitha të gatshme.

Po me autorët e rinj (post ‘90) si do të veprohet?
Gjithçka është orientuese dhe nuk është një parametër që do të shërbejë për përzgjidhjen, rolin dhe vendin e një autori në historinë e letërsisë do ta përcaktojnë kritere të ndryshme. Sigurisht që referencat janë të vlefshme, do të merren parasysh deri diku edhe çmimet letrare kombëtare, studimet e monografitë mbi këta autorë, lexueshmëria e tyre gjatë anketimeve në biblioteka, përzgjedhja e tyre nga mësuesit në shkolla për temat e bisedave letrare, etj.

Kur do të finalizohet projekti juaj?
E quaj të domosdoshme një periudhë 5-6 vjeçare, ndërkohë që do të merren parasysh edhe studimet, të cilat do të bëhen gjatë kësaj periudhe.

Si do të hartohet historia e re e letërsisë shqipe, në bazë të personaliteve, rrymave apo periudhave letrare?
Kjo ende nuk është vendosur. Kategoria mund të jetë “letërsia e kinematografia”, “letërsia dhe teatri”, “letërsia dhe filmi”, “letërsia dhe ideologjia”, “letërsia dhe politika”, “letërsia dhe shoqëria”, në kuptimin etnografik të shumë veprave. Për një grup verpash ose grup autorësh mund të gjendet një kornizë, një vështrim i posaçëm që t’u përshtatet atyre. Nuk do të ndjekim modelin e vitit ’81 pasi është i kaluar dhe i papërshtatshëm. Një ndër problemet kryesore të historisë së letërsisë është metodologjia. Historia e letërsisë është një studim mbi letërsinë që e shikon në një plan global dhe jo të paraqitet si një inventar i saj.

Cilët nga shkrimtarët e realizmit, mendoni se do të ruajnë pozitat e tyre njësoj si më parë, sa i takon vlerave dhe vendit që ata do të kenë në histori?
Normalisht, do ta quaja një gjë që nuk më intereson shumë, pasi kjo nuk është një çështje emrash. Mua më intereson dukuria për periudhën ’45-’90; Çfarë solli ky realizëm dhe këto vepra në kuadrin e përgjithshëm të historisë së letërsisë? Është një autor, Zef Zorba, i cili nuk ka botuar asnjë vepër deri në vitet ’90, por që pas vdekjes, u konsiderua si një ndër më të çmueshmit e poezisë shqipe. Pra nuk do jetë një histori letërsie, e cila shpall vlera të qenësishme apo verdikte mbi autorët…

24 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›