E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si do të votohet për partitë dhe koalicionet në zgjedhjet e vitit 2009

Do të ketë konkurrim edhe brenda partive të të njëjtit koalicion. Gjiknuri: “Pikat ku PS-ja ka dhënë konsensus për Kodin e ri Zgjedhor

Shaban Sulçe

Zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2009 do të sjellin jo vetëm konkurrim mes koalicioneve që do të hyjnë në garë për të fituar zgjedhjet, por konkurrim edhe midis partive brenda koalicioneve. Kjo pasi në zgjedhjet e ardhshme, ku do të votohet me vetëm një fletë votimi, votuesi do të siglojë votën vetëm mbi partinë që dëshiron të votojë. Vota e kësaj partie, së bashku me votat që kanë marrë partitë që konkurrojnë brenda të njëjtit koalicion, do të nxjerrë rezultatin përfundimtar të koalicioneve në zgjedhjet e ardhshme. Skema e votimit në zgjedhjet e ardhshme është bërë e ditur dje nga nënsekretari për Koordinimin dhe Çështjet Ligjore në PS dhe përfaqësuesi i PS-së në grupin e ekspertëve pranë Komisionit të Kodit Zgjedhor, Damian Gjiknuri. Gjatë një prononcimi me shtyp, Gjiknuri ka bërë të ditur të gjitha pikat për të cilat Partia Socialiste ka dhënë konsensusin e saj në Komisionin Parlamentar për Hartimin e Kodit të ri Zgjedhor. Çështjet e miratuara deri tani nga komisioni dhe që nuk janë më pjesë e debateve politike janë si më poshtë: parimet e përgjithshme dhe struktura e Kodit Zgjedhor, listat e zgjedhësve dhe mënyra e hartimit të tyre, periudha zgjedhore dhe mënyra e caktimit të datës së zgjedhjeve, materialet zgjedhore dhe fletët e votimit dhe shpërndarja e tyre, caktimi i QV-ve dhe i komisioneve të nivelit të dytë të administrimit të zgjedhjeve si dhe procedura e votimit”, - tha Gjiknuri.
Mënyra e votimit
Eksperti për zgjedhjet në Partinë Socialiste, Damian Gjiknuri, tha se në zgjedhjet e ardhshme votuesi do të votojë vetëm një herë për një prej partive të koalicioneve që do të konkurrojnë. Ai theksoi se kjo mënyrë votimi do të nxisë jo vetëm konkurrencën midis koalicioneve, por edhe partive përbërëse të tyre. “Votohet për çdo parti dhe vota i llogaritet koalicionit. P.sh., në një zonë zgjedhore me 10 mandate, koalicionit A i takojnë 6 mandate, në bazë të votave të mbledhura dhe Koalicionit B 4 mandate. Më pas këto vende ndahen mes partive 1, 2 ose 3, në bazë të përqindjes së marrë. Pra, në thelb kemi konkurrim mes koalicioneve A dhe B, por edhe në mes të partive brenda këtij koalicioni. Ky sistem avantazhon koalicionet në tërësi, pasi konkurrimi fillestar bëhet mes tyre dhe më pas çdo parti merr atë që i takon, por duke mos cenuar rezultatin e përgjithshëm të koalicionit. Një individ ka një votë, që do të thotë se do ta hedhë vetëm në një kuti, dikush do të zgjedhë partinë 1 brenda koalicionit A, dikush partinë 3, në fund këto vota do të mblidhen për koalicionin A, pra do të kemi një konkurrim që do ta quaja të shportave. Nga njëra anë shporta A dhe nga tjetra shporta B, dhe të gjitha votat e partive brenda koalicionit do të llogariten me një shportë. Bëhet formula për ndarjen e mandateve p.sh., koalicionit A mund t’i takojnë 6 mandate, më pas sa vota kanë këto parti brenda kësaj shporte, në një farë mënyre kjo është formula më e pastër proporcionale e ndarjes. Pra votuesi voton vetëm një herë në një nga partitë e koalicionit”, - tha Gjiknuri. Ai theksoi se si rezultat i kësaj mënyre votimi, në zgjedhjet e ardhshme do të eliminohet plotësisht fenomeni i Dushkut, sipas tij, “sepse në të gjitha forcat nuk ka më vota të transferueshme, çdo votë që transferohet nga një parti te tjetra në një farë mënyre i hiqet partisë tënde, sepse dhe mandatet brenda një koalicioni ndahen në bazë të një raporti të caktuar”.
Mandatet
Gjiknuri shpjegoi edhe një prej çështjeve që ka sjellë më shumë pikëpyetje pas përzgjedhjes së sistemit proporcional rajonal, që është mënyra e shpërndarjes së mandateve të deputetëve. Duke e shpjeguar me shembull të thjeshtë matematikor, eksperti i PS-së për zgjedhjet theksoi se e rëndësishme është që në zgjedhjet e ardhshme, çdo parti do të marrë aq deputetë sa i takojnë. “Partia 1 ka listën e saj me renditjen përkatëse, gjithashtu dhe të tjerat, vota e hedhur për atë parti i shkon asaj partie dhe në fund llogaritet se sa mandate i takojnë partisë 1, p.sh. i takojnë 4 mandate, këto 4 mandate do të ndahen sipas listës së renditjes së deputetëve nga partia, pra 4 të parët. Partia 2, së cilës i takojnë 1 ose 2 mandate, në bazë të listës përkatëse do të marrë mandatet që i takojnë. Sipas peshës që ka çdo parti, në bazë të asaj do të ndahen dhe mandatet. Në fund të fundit ky është koncepti më i pranueshëm më liberal njëkohësisht dhe shumë praktik. Kjo bën që të gjithë do të përfaqësohen në qeveri sipas peshës politike, duke mos i ngrënë hakun asnjërit”, - vijoi ai.
Listat e zgjedhësve
Nënsekretari për Koordinimin dhe Çështjet Ligjore në PS dhe përfaqësuesi i PS-së në grupin e ekspertëve pranë Komisionit të Kodit Zgjedhor, Damian Gjiknuri, tha se përsa i përket çështjes së listave të zgjedhësve do të jetë vetëm një ekstrakt i regjistrit elektronik të gjendjes civile, ku sanksionohet përfundimisht se zgjedhësi voton vetëm aty ku ka vendbanimin e tij, apo thënë ndryshe, ku ka gjendjen civile. “Në listën e zgjedhësve do të shënohet edhe numri unik i identifikimit, i cili është i pasqyruar në kartën e identitetit dhe pasaportat e reja. Nuk parashikohen më kategori të veçanta zgjedhësish përveç të dënuarve, ushtarakëve dhe të sëmurëve në spitale”, - theksoi ai.

BOX

Teza e PS-së për koalicionet e përbëra
Koalicioni i përbërë është fundi i pazareve paraelektorale, duke ia nënshtruar rezultatin vullnetit të elektoratit.
Me këtë koalicion çdo parti merr vetëm atë që i japin votuesit. Votuesit janë shumë më përcaktues sesa më parë. Pra, në thelb, partitë konkurrojnë me siglat, lista dhe programet e tyre dhe në fund të votimit marrin aq mandate sa u takojnë.
Është një mënyrë që lejon koalicione, të cilat bëjnë që votuesi të zgjedhë alternativën: mes të majtës e së djathtës.
Më tutje, edhe brenda vetë alternativës, votuesit i mundësohet të zgjedhë atë alternativë që i duket më e përshtatshme dhe që e ka më për zemër, për tradita, merita apo arsye të caktuara.
Pra kjo formë koalicioni mundëson edhe një konkurrencë të ndershme midis palëve, por edhe një konkurrim të ndershëm mes aleatëve. Në rastin e koalicionit të përbërë, votuesit, krahas koalicionit, zgjedhin edhe partinë në momentin e votimit.
Në këtë rast, llogaritjet e vendeve në Kuvend, kryhen në dy faza:
a) fillimisht llogariten vendet e fituara nga koalicioni mbi bazën e votave të fituara nga i gjithë koalicioni;
b) më tej vendet e fituara nga koalicioni i shpërndahen çdo partie në përbërje të tij, sipas votave të fituara nga secila parti. Natyrisht që për të dyja nivelet e llogaritjes ka formula të ndryshme llogaritjeje.

PS: Administrata zgjedhore, pa militantë

Propozimi i PS-së është që në zgjedhjet e ardhshme administrata zgjedhore të mos përbëhet nga militantë partiakë. “Administrata zgjedhore duhet t'u kushtojë shumë pak shqiptarëve dhe t'u ofrojë një shërbim shumë më cilësor ditën e zgjedhjeve e në periudhën paszgjedhore. Kapitulli i shëmtuar i pazareve me votat e qytetarëve në komisionet e votimit e të numërimit duhet të mbyllet njëherë e mirë. Partitë duhet të tregojnë vullnet të plotë për këtë. PS-ja synon çmilitantizimin e administratës zgjedhore, e cila jo pak herë ka sjellë pasoja për procesin zgjedhor. Për këtë janë propozuar skema alternative për pjesëmarrje edhe të personave jopolitikë në çështjet e administrimit të zgjedhjeve, sidomos gjatë procesit të numërimit apo mbikëqyrjes së procesit të numërimit”, - tha Gjiknuri.

10 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›